Dënimi i Tahirit ribashkon opozitën

0 195

Dënimi i ish-ministrit të brendëshëm të qeverisë Rama 1, Saimir Tahirit, i cili u përshëndet nga ambasadorja Kim si një hap përpara në rrugën drejt fundit të pandëshkueshmërisë, është pritur me skepricizëm dhe mosbesim nga opozita. Ose më mirë të thuhet nga të gjitha fraksionet e saj polirike. Për herë të parë, që nga vjeshta e kaluar kur nisi parcelizimi i opozitës të gjitha palët po bien në unison për të njëjtën çështje, atë të një procesi të trukuar, të një drejtësie me regji, të marjes në mbrojtje nga Edi Rama apo të standarteve të dyfishta në gjykim. Edhe grupimi i foltores edhe presidenti i republikës edhe PD-ja e Bashës edhe LSI-a kanë përdorur pak a shumë të njëjat terma që hedhin poshtë farsën e një produkti të pastër të reformës të diskredituar në drejtësi.

“Vendimi për Tahirin është plotësisht i trukuar dhe qesharak” ka shkruar Sali Berisha i cili ka treguar me emra se kush ka ndërhyrë për të shkuar tek një dënim që i jepen një kundravajtësi të thjeshtë. “Vendimi shënon triumfin e plotë të narko-drejtësisë së narko-shtetit! Kështu, pusetës së narko-shtetit iu vu kapaku. Kreu i Meduzës, madamë Radari, Gjeneral Hashashi dhe e tërë nomenklatura kanabiste e narko-shtetit, mbrëmë festuan marrëveshjen me Tahirin. Rama dhe madamë Radari, gjeneral Hashashi etj. nuk folën pas vendimit, por respektuan heshtjen e kodit të Mafies” ka thënë ai.

Nga Shkodra ku dha një intervistë për TV1 Channel, kreu i shtetit deklaroi: “Burgosja e Saimir Tahirit është pjesë e drejtësisë me regji. Saimir Tahiri nuk është arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë. Ai ka qenë përgjegjës, por kryepërgjegjësi është kryeministri i cili e përdori për të fshehur përgjegjësitë e veta” tha Ilir Meta.

Po për mbrojtje të Tahirit foli edhe PD-ja e vulës me gojën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, i cili komentoi edhe heshtjen e Ramës për këtë dënim. “Edi Rama mbrojti Saimir Tahirin sepse është edhe vetë i kapur ‘kokë e këmbë’ nga krimi. Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë sepse ai e di që të gjitha fijet e krimit dhe trafiqeve lidhen te ai. Ai kishte të gjithë informacionin nga institucioent shqiptare dhe partnerët, por e mbrojti Sajmir Tahirin dhe ministrat e tjerë të tij sepse ishte ai garanti i krimineleve të cilet i siguronin vota” ka shkruar Bardhi.

Ndërsa për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi e rëndësishme është që drejtësia nuk funksionon sepse sipas saj dokumentat që ka nënshkruar Veliaj për inceneratorin e Tiranës janë më të rënda se përgjimet e Tahirit. Sipas Kryemadhit një drejtësi me du standarte nuk është aspak e tillë: “Ok, zoti Tahiri kishte disa telefonata që e implikonin me Habilajt. Po zoti Erion Veliaj i cili ka firmë në shkresë për incineratorin e Tiranës. Zoti Alqi Bllako i cili ka firmë në shkresë për incineratorin e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Zoti Armando Subashi i cili ka shkresë, ka letër, ka vendime, ka fakte të kryera me firmën dhe vulën e tyre për incineratorin e Fierit. Dhe ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme. Nuk mendoj pasi mbaron e gjithë vepra, gjithë krimi i kryer dhe pasojat i hanë qytetarët ne mendojmë që bëjmë sistemin e drejtësisë” ka thënë ajo.

E pra, sikurse shihet, përdorimi nga ndërkombëtarët i çështjes Tahiri si një provë se reforma në drejtësi po funksionon është kundërshtuar nga të gjitha fraksionet opozitare. Madje çuditërisht ajo ka prodhuar një efekt të pa ndodhur këto muajt e fundit. Ajo ka bërë gjithë opozitën të flasë me një zë dhe të mbajë të njëjtat qëndrime për atë që e ka konsideruar si një proces farsë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.