Dhuna dhe ngacmimet në punë, Meta dekreton ligjin që ratifikon konventën

0 163

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar sot me shpallje: Ligjin nr. 13/2022 “Për ratifikimin e konventës 190 “Konventa për Dhunën dhe Ngacmimin” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986”.

“Bërja pjesë e legjislacionit të brendshëm, të standardeve që vendos kjo konventë në drejtim të eliminimit të dhunës dhe ngacmimeve që ndodhin gjatë, në lidhje, me ose që lindin nga puna, është për t`u vlerësuar.Shqipëria duhet të bëjë përpjekje serioze për të respektuar dhe realizuar në praktikë të drejtën e gjithsecilit për një botë pune pa dhunë dhe ngacmim. Ratifikimi i kësaj konvente duhet të shoqërohet me plan konkret për përmirësimin e legjislacionit tonë kombëtar për përafrimin me standardet ndërkombëtare të punës së ILO-s, dhe atë të Bashkimit Europian në këtë fushë, e që garantojnë të drejtën për barazi dhe mosdiskriminim në punësim dhe profesion. Gjithashtu, në përputhje me detyrimet e marra përsipër sipas konventës, nevojitet përmirësimi i vazhdueshëm i legjislacionit të brendshëm për të siguruar autorizimin e inspektorateve të punës dhe autoriteteve të tjera përkatëse, për të trajtuar dhunën dhe ngacmimin në botën e punës, duke përfshirë edhe lëshimin e urdhrave që kërkojnë marrjen e masave me fuqi ekzekutimi të menjëhershme, dhe urdhra për të ndaluar punën në rastet e një rreziku të afërt për jetën, shëndetin ose sigurinë, duke iu nënshtruar çdo të drejte për ankesë pranë një autoriteti gjyqësor ose administrativ, i cili mund të parashikohet me ligj. Dhuna dhe ngacmimi në botën e punës duhet të trajtohen në politikat përkatëse kombëtare, siç janë ato politika që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, barazinë dhe mosdiskriminimin, dhe migracionin”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.