Digjet zyra e noterit të arrestuar, reagon ministria e Drejtësisë

0 34

Sot në orët e para të mëngjesit u dogj zyra me gjithë dokumenta e noterit të Sarandës Aleko Anagnosti.

Ministria e Drejtësisë raportohet se ka sekuestruar dokumentet e tij.

Zjarri dyshohet i qëllimshëm, për të fshehur prova të mundshme pasi vetë noteri është arrestuar për tjetërsimin e 10.000 metrave tokë në Sarandë.

Anagnosti ndodhet në paraburgimin e Sarandës me masë “Arrest në burg” 45 ditë për shpërdorim detyre. Zyra me shumë dokumente u dogj sot pjesërisht nga persona të paidenfitikuar.

Anagnosti është një nga noterët më të vjetër dhe djegia e zyrës së tij i shkakton një dëm të madh qytetit pasi ai disponon arkivën edhe të noterëve të tjerë që kanë lënë profesionin vite më parë. Nga kqyrja paraprake, është parë se autorët kanë hapur derën kryesore dhe u kanë vënë flakën dokumenteve.

Ky veprim tregon qartë synimin e tyre, për të shkatërruar çdo provë të dokumentuar. Me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, ka nisur një auditim i përgjithshëm në të gjitha zyrat noteriale të Sarandës.

Ditë më parë Gjykata e Sarandës, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10.230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Për tjetërsim prone në Sarandë është arrestuar Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, juristja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Rovena Alikaj, noteri Aleko Anagnosti, dhe 3 biznesmenët Fredi Merkuri, Valter Llomi dhe Argonida Canaj, ndërsa në kërkim është shpallur ish drejtori i ASHK Sarandë Ardian Kola dhe 2 biznesmenët Behar dhe Bedri Muçobega.

Leave A Reply

Your email address will not be published.