Dita Ndërkombëtare e Arsimit, studentët kërkojnë ulje tarifash. Kushi: T’i japim më shumë prioritet arsimit

0 247

Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit, dhe një pjesë e studentëve të Universitetit të Tiranës kanë kërkuar reduktimin e tarifës për vitin akademik 2020-2021. Sipas tyre, një pjesë e pagesës vjetore që duhet t’i tarifojnë universitetit, për shpenzimet e godinave të fakulteteve nuk janë përdorur.

”Padyshim çështja e reduktimit duhet t’i përgjigjet situatës, përsa kohë ne po përpiqemi të përshtatemi me situatën në këtë lloj mënyrë dhe duke qenë se kjo ka rezultuar jo efektive, duhet padyshim që edhe tarifat të mos jenë po të njëjta dhe të bëhet përgjysmimi, duke qenë se jo të gjitha shërbimet po ndahen, dhe studentët nuk po përfitojnë nga shërbimet që universiteti ka për qëllim t’i japë”, thotë Esmeralda Murati, studente e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, ky pretendim i studentëve është mbështetur edhe nga pedagogët, pavarësisht se sipas tyre kjo mund të sjellë probleme financiare për universitetin. ”Kam parë disa kërkesa nga disa grupime, në thelb më duken të gjitha të drejta, të cilat janë të artikuluara në formë ankese dhe jo në formë propozimi. Nuk e di sa e realizueshme, se është kollaj të thuash, se sa e realizueshme është për financat e universitetit, se universiteti mund të kalojë në kolaps total duke mos pas asnjë lloj të ardhure duke heq edhe këto. Por më duket absolutisht e arsyeshme që tarifat e studentëve të mos lihen kështu indiferente dhe të patrajtuara dhe të pa logjikuara sikur kjo situatë të mos kishte ardhur kurrë dhe ne nuk jetojmë në gjendje pandemie. Ka një shumicë studentësh që kanë kosto të shtuara, një shumicë që nuk po i shfrytëzojnë logjistikën që jep fakulteti normalisht”,-thotë Ervin Goci, pedagog.

Pagesa për dy vitet e studimeve të masterit shkencor pranë fakultetit të drejtësisë është afro 150 mijë lekë të rinj. Për uljen e tarifave, mijëra studentë të universitetit të Tiranës kanë dërguar më herët peticione pranë ministrisë së arsimit, por nuk kanë marrë ende një përgjigje.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka zgjedhur të urojë këtë ditë të shënuar nga OKB, me një videoje sensibilizuese ku shfaqen mesazhet e saj, të nxënësve e stafit shkollor gjithashtu. ”Të gjithë së bashku, le t’i japim akoma më shumë prioritet arsimit si një e mirë publike. Sepse arsimi ka fuqinë që të transformojë rrënjësisht jetët tona, redukton pabarazinë dhe është shtylla bazë për zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi. Gëzuar të gjithëve Ditën Ndërkombëtare të Arsimit”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.