Drejt Europës apo drejt gropës?

0 512

Dr. Bledar Kurti

Shqiponja mund të jetojë deri në 70 vjet. Për të arritur këtë moshë, shqiponja duhet të marrë një vendim shumë të vështirë kur arrin moshën e 40-të. Kthetrat i zbuten dhe sqepi i përkulet ndaj nuk mund të kapë më prenë për t’u ushqyer dhe sqepi i përkulur i arrin gushën dhe e vret. Ndaj shqiponja vendoset përpara dilemës: të dorëzohet dhe të vdesë apo të vazhdojë të përpiqet, duke mprehur kthetrat çdo ditë në gurë për t’i forcuar dhe mprehur sqepin për ta drejtuar, që të jetojë edhe 30 vite të tjera.

Kështu edhe shqiptarët, shqiponjat e këtij vendi ndodhen sot në të njëjtën situatë, të dorëzohen e të shuhen apo të luftojnë për të jetuar. Vitet e fundit kanë qenë vitet më të vështira për të gjitha kategoritë e shqiptarëve. Për shkak të një qeverisje të papërgjegjshme shqiptarët gjenden sot në kushtet e mbijetesës dhe po përjetojnë një shpopullim alarmant që rrezikon shuarjen e një kombi.

Në procesin e integrimit europian jemi më larg se tetë vite më parë, duke ecur pas dhe jo drejtë destinacionit, me 15 kushte të rënda, ndërkohë që kishim vetëm 5. Ishim të parët në rajon në këtë proces e sot jemi të fundit. Të fundit në të gjithë indikatorët ekonomik, politik, arsimor, mjekësor, etj, ndërkohë që thyejmë rekord në kontinent për korrupsion, degradim të demokracisë, trafiqe, pastrim parash, mungesës së shtetit të së drejtës, papunësi, mungesē investimesh të huaja, etj.

Përveç pensionistëve dhe shtresave në nevojë, varfëria ka zaptuar edhe shtresën e mesme. Kjo tashmë e konsideruar e shkatërruar pasi nuk arrin dot më të sigurojë jetesën. E gjithë Shqipëria është në mjerim. Shqiponjat e këtij vendi ndodhen në situatë kritike. Familjet shqiptare vuajnë për bukën e gojës ndërsa rinina po e braktis vendin me shifra të paprecedentë. Sipas statistikave 70% e 20 vjeçarëve dëshirojnë të largohen nga vendi.

Shqiptarë çfarë do bëjmë në mes të kësaj tragjedie kombëtare? A do dorëzohemi ndonëse nuk jemi dorëzuar kurrë në histori? Apo do jemi si shqiponja që lufton çdo ditë për të jetuar. A do lejojmë sorrat të na vrasin? Apo do mprehim kthetrat për të ushqyer familjet tona? 25 prilli është dita e referendumit kombëtar. Më 25 prill shqiptarët do votojnë për të shkuar drejt gropës apo drejt Europës.

Është dita e vendimit për të zgjedhur dy rrugë: për t’u dorëzuar ndaj shkaktarëve të varfërisë, diktaturës dhe pengmarrësve të integrimit, apo do zgjedhim të jetojmë, të sigurojmë për familjet tona, të ndërtojmë qytetet tona, të ndërtojmë Shqipërinë tonë e ta bëjmë atë një vend me dinjitet, një vend të zhvilluar, një vend europian. Shqiptarë duhet të zgjedhim të jetojmë duke mbajtur sytë tek shqiponja krenare në flamurin tonë e cila nuk ka jetuar vetëm 70 vjet, por ka jetuar e do jetojë përjetë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.