DW: Nëse shkarkohet Meta do të zgjidhet një president i ri, vetëm për 5 muaj

0 158

Do ta konfirmojë Gjykata Kushtetuese vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta apo do ta rrëzojë atë duke e lënë Metën të përfundojë mandatin e tij presidencial në korrik të këtij viti? Është hedhur hapi përfundimtar i një procesi, i cili nisi me akuza nga mazhoranca socialiste, vazhdoi me ngritjen e një komisioni hetimor, hedhjen në votë dhe vendimin e Parlamentit pro shkarkimit të Presidentit Meta. Gjykata Kushtetuese nisi të martën, (01.02) procesin e gjykimit të vendimit të Parlamentit me një seancë publike dhe praninë e të dyja palëve: Parlamentit dhe Presidencës. Seanca që zgjati 9 orë do të rifillojë tër e enjten (03.02). Që nga bërja funksionale e kësaj gjykate, në fund dhjetorin e vitit 2020, pas tri vitesh mosfunksionimi, vendimi për Presidentin Meta është sprova e saj më e rëndësishme.

Për herë të parë në historinë e Gjykatës Kushtetetuese në Shqipëri, kjo gjykatë do të marrë një vendim për shkarkimin ose jo të një kreu shteti. Me fjalë të tjera kjo gjykatë duhet të gjykojë nëse vendimi i parlamentit është konform me kushtetutën, ligjin themeltar të shtetit, apo bie ndesh me të. Në qershor të vitit të kaluar, parlamenti i ri, i dalë nga Parlamentaret 2021 mori me 104 vota pro nga 140 deputetë gjithsej, vendimin për shkarkimin  e presidentit Meta për shkak të “deklaratave të tija publike para dhe gjatë fushatës elektorale që nxitën dhunë dhe shkelën kushtetutën.” Hyrja në fuqi e këtij vendimi bëhet vetëm, nëse Gjykata Kushtetuese e konfirmon atë.

Rrëzohet kërkesa e Metës për ndryshim të trupit gjykues

Presidenti Meta, që vendimin e Parlamentit për shkarkimin e tij e quan “antikushtetues dhe qesharak” nuk mori pjesë në seancën e parë të Gjykatës Kushtetuese për fatin e tij presidencial. Përfaqësuesit e tij ligjorë kërkuan që disa gjyqtarë nga trupa me shtatë gjyqtarë kushtetues të përjashtoheshin nga gjykimi apo të jepnin dorëheqje me pretendimin e mungesës së paanshmërisë nga ana e tyre. Por përfaqësuesja e parlamentit, si palë në proces, e quajti kërkesën e përfaqësuesve ligjorë të presidentit ”abuzive, që synon zvarritjen e procesit.” Seanca publike që do të rifillojë të enjten, (03.02) do të merret me dëgjimin e argumentave të palës së përfaqësuesve ligjorë të Presidentit Meta kundër vendimit të Parlamentit.

Gjykata Kushtetuese: 30 ditë kohë për të marrë vendim

Procesi i gjyqësor në GJK për të konfirmuar ose hedhur poshtë vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit Meta ka nje afat: ai duhet të merret brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancave gjyqësore. Të paktën pesë nga shtatë anëtarët e GJK  duhet të votojnë pro ose kundër vendimit të parlamentit. Burime zyrtare thanë për DW se nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin e Parlamentit për shkakimin e Presidentit, Ilir Meta, pritet zgjedhja e një presidenti/e të përkohshëm, për disa muaj deri në korrik, kur do të zhvillohen procedurat kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit me mandat pesë vjeçar. /DW

Leave A Reply

Your email address will not be published.