DW: Ukraina akuzon Rusinë për “terror nuklear”

0 202

Asnjë vend i botës nuk ka qëlluar ndonjëherë centrale atomike, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një videomesazh të publikuar natën e së premtes. Rusia “shteti terrorist kalon në terror nuklear”, u shpreh Zelensky. Sipas presidentit ukrainas, lidershipi i Moskës kërkon “të përsërisë” katastrofën atomike të Çernobilit.

Në centralin atomik më të madh europian, Saporishja kishte shpërthyer zjarri natën pas një sulmi rus. Sipas të dhënave të autoriteteve zjarri është shuar ndërkohë, dhe nuk ka prekur reaktorët atomikë. Ushtria ruse kishte lejuar të kalonin vetëm pas disa orësh trupat e zjarrfikësve. Agjencia Ndërkombëtare Atomike në Vjenë deklaroi, se sipas qeverisë ukrainase, matjet nuk tregojnë shtim të radioaktivitetit. Në të njëjtën kohë kjo agjenci kërkoi fundin e luftimeve përreth centralit atomik dhe paralajmëroi nga “rrezik serioz”, nëse goditen reaktorët.

Edhe presidenti ukrainas paralajmëroi. “Pikërisht tani tanket ruse godasin blloqet e reaktorëve.(…)Aty janë tanke të pajisur me kamera infrarot. Që do të thotë, ata e dinë se ku qëllojnë, ata janë përgatitur për këtë.” Deklaratat e Zelenskyt nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur-

Ndërkohë presidenti amerikan, Joe Biden i bëri thirrje Rusisë të ndalë aktivitetet ushtarake në zonën e centralit atomik. Britania e Madhe kërkoi seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit. Sjellja “e paskrupullt” e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin mund “kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Europës”, deklaroi zyra e kryeministrit, Boris Johnson.

Vështirësohet qasja tek faqja e Deutsche Welles

Ndërkohë në Rusi është bërë shumë e vështirë qasja në mediat e pavarura dhe tek Facebooku. Organizata joqeveritare GlobalCeck dhe gazetarët e AFP-së kanë vënë re probleme në qasjen e faqes online të Deutsche Welles, shërbimit rus të BBC apo programeve si Medusa, RFE-El. Ministria e Jashtme në Moskë ka bërë të ditur, se BBC përdoret për të minuar politikën e brendshme dhe sigurinë e Rusisë. Mediat ruse duhet të përdorin vetëm informacionet zyrtare të autoriteteve ruse për raportimin e tyre. Koncepte sil “sulm” apo “invazion” janë për to të ndaluara. Autoritetet ruse e paraqesin luftën e Ukrainës, si “mision të posaçëm” të ushtrisë dhe mision paqeje për mbrojtjen e ukrainasve rusishtfolës.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.