Dyndja e familjarëve të pacientëve, QSUT: Nuk lejohen vizitat. Të sëmurët po trajtohen shumë mirë nga stafi

0 302

Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ka reaguar pas situatës ku familjarët e pacientëve të shtruar aty, kërkonin që të futeshin në ambientet e brendshme. Përmes një postimi në mediat sociale, QSUT u bën thirrje të gjithë familjarëve të pacientëve që të zbatojnë rregullat dhe shtojnë se askush nuk mund të futet, pasi po jetojmë një situatë pandemie. Në reagim shtohet se sigurohen të gjithë të afërmit dhe familjarët e pacientëve, si dhe të gjithë qytetarët, se të shtruarit në Spitalin e Sëmundjeve Infektive po marrin shërbim mjekësor të pakursyer, nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve të palodhur të këtij spitali.

Njoftimi i plotë

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u kujton familjarëve dhe të afërmve të qytetarëve të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infektive, se ndodhemi në një SITUATË PANDEMIE! Kjo do të thotë që kërkohet përgjegjshmëri maksimale prej të gjithëve.

Spitali i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është kthyer në spital Covid prej disa muajsh, që do të thotë se përveç pacientëve dhe personelit, ASKUSH TJETËR nuk mund të lejohet të hyjë. Kjo bëhet për të ruajtur shëndetin e të afërmve dhe familjarëve të pacientëve.

QSUNT ka vendosur në dispozicion një koordinator të posaçëm, në rastet kur familjarët kanë sende personale që duhet t’ua dërgojnë të afërmve të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infektive. Për pacientët e shtruar, komunikimet e familjarëve me mjekun bëhen kryesisht nëpërmjet telefonit, për të evituar kështu infektimin e tyre.

QSUNT siguron të afërmit dhe familjarët e pacientëve, si dhe të gjithë qytetarët, se të shtruarit në Spitalin e Sëmundjeve Infektive po marrin shërbim mjekësor të pakursyer, nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve të palodhur të këtij spitali.

Leave A Reply

Your email address will not be published.