Edhe opozita kundër propozimëve të Fatmir Mediut: Duhen zgjedhje urgjente e jo komitete!

511

Fatmir Mediu, kryetari i PR kërkoi që të krijohet një komitet kombëtar për krizën e ku si bashkëkryetar të jenë dy ish-ministrat e jashtëm, Arta Dade dhe Besnik Mustafaj.

Propozimet e kreut të Partisë Republikane:

1- Ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për integrimin Europian. Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish Ministra të Jashtëm, konkretisht z.Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish kryeministra, ish ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit.

2- Mandatimi me ligj i këtij Komiteti, për të kontrolluar dhe zbatuar detyrimet e çdo institucioni, që rrjedhin nga detyrimet Europiane dhe në veçanti, zbatimin e 9 kushteve të vendosur nga Bundenstagu Gjerman, me një plan konkret veprimi.

Në lidhje me këtë propozim, redaksia e gazetës “Koha Jone” online u bëri të njëjtën pyetje, nëse janë dakort me propozimin MEDIU, disa prej politikanëve të cilët janë përgjigjur si me poshtë:

Tritan Shehu , ish-deputet dhe ish-ministër i PD:

Në lidhje me pyetjen tuaj, së pari dëshiroj të jap mendimin tim pa komentuar kërkënd nga kolegët, mendimet e të cilëve unë i respektoj. Përsa i takon gjendjes konkrete e mënyrës së tejkalimit të kësaj krize të thellë e të zgjatur politike e institucionale, që po kalon vendi, unë gjykoj se ajo mund të tejkalohet vetëm me ndryshime të thella, që kërkojnë procese politike adeguate për t’i realizuar ato. Dhe pa asnjë dyshim kjo imponon ndryshime në qeverisje, gjë që mund të realizohet vetëm nëpërmjet një procesi votimi demokratik. Unë nuk shoh mundesi ndryshimesh e tejkalimi të gjëndjes me të tjera me opsione, që nuk mund të gjenerojnë ndryshimet e mëdha e të domosdoshme. Gjithashtu dua të shtoj se ne duhet të koncentrojmë  vëmendjen e përpjekjet tona vetëm tek opsioni realist e adeguat, që është vota e lirë, pa u shpërqendruar nga rrugetime të tjera jo produktive, pavarësisht se çfarë energjish kërkon e para. E për të arritur suksesin, për të ndaluar këtë rrëshqitje të vendit drejt autokracisë lindore, pa asnjë dyshim duhet një ndërgjegjësim e lëvizje e gjerë popullore, adeguate kjo me gjendjen tonë nën grusht shteti në zgjerim.

Agron Duka, kryetar i PAA:

Zgjidhja e kësaj krize të tejzagjatur politike kërkon përfshirjen e senatorëve të jetës politike shqiptare. Prandaj propozimi i z. Mediu është shumë interesant, vlen për t’u diskutuar dhe për të nisur një debat mbi këtë Komitet dhe mënyra se si forume të ngjashme, permanente, të jenë një zë i fortë për zgjidhjen e krizave dhe orientimin e debatit mbi çështje të interesit kombëtar.

Ndoshta kjo nuk do të kërkonte detyrimisht miratim nga Parlamenti, por vullnet pozitiv të politikanëve që kanë një farë eksperience, te të cilët janë investuar ndër vite taksat e shqiptarëve, dhe kanë ende vullnetin për t’i shërbyer vendit. Pra me një rol këshillimor, pa kaluar nga Parlamenti, sepse në radhë të parë nuk duhet larguar edhe më shumë vendimmarrja nga qytetarët. Detyra e tanishme është të plotësojmë kushtet e Bundestagut, nëpërmjet të cilave të shkojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më vonë, nëse do të duam që Komiteti të jetë pjesë e ofertës politike në zgjedhjet e parakohshme, le të jetë vota e qyteatrëve përcaktuese për miratimin e tij si një strukturë e posaçme. 

Nard Ndoka, kryetar i PDK, ish-deputet:

Procesi i integrimit, standardet, kushtet, axhenda kombetare, realizohen vetëm nga një Kuvend dhe Qeveri e dale nga zgjedhje të lira. Integrimi nuk realizohet nga ish-ët, kontributi i tyre është i çmuar në media, në seminare dhe në takime me studentët për të shpalosur dijet e tyre dhe informimin e brezit të ri për sfidat që kemi përpara për integrimin.

Integrimi dhe axhenda kombetare është proces politik, institucional dhe atribut kushtetues, që buron nga vota dhe perfaqesimi i qytetarëve.

Pengesa e integrimit sot, është qeverisja e korruptuar dhe kryeministrin Edi Rama, si personazh regresiv ne mardheniet me partnerët ndërkombetar.

Ditmir Bushati, ish-ministër i jashtëm:

Sot është dielë e dielë, pushim!

Edi Paloka, nënkryetar i PD, ish-deputet:

(Nuk dha asnjë koment)

Taulant Balla, sekretar i përgjithshëm i PS, deputet:

Nuk u përgjigj

 

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.