Edi Rama: Sa turp kjo çështja bullgare! Shfaqje e frikshme impotence e BE

0 29

Kryeministri Edi Rama vijon me sulmet e tij ndaj mënyrës si po funksionon BE, të paktën në raport me vendet aspirante për të hapur negociatat e anëtarësimit, pozicion që ka edhe vendi ynë. Para nisjes së samitit dy ditor në Bruksel mes zyrtarëve të lartë të BE dhe Ballkanit Perëndimor, kreu i ekzekutivit shqiptar ka shfryrë sërish në rrjetet sociale, konkretisht në Twitter:

“Është një ditë e re në Evropë, por jo në Bullgari! Sa turp për Evropën kjo çështje bullgare! Në mes të një lufte shumë të nxehtë në oborrin e pasmë të Evropës, një vend i NATO-s rrëmben dy vende të tjera të NATO-s nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence!”

Kryeministri Rama kishte paralajmëruar para dy ditësh mundësinë e bojkotimit të këtij samiti, bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Diçka e tillë shkaktoi deklarata të forta tek opozita shqiptare dhe zëra autoritarë në vendin tonë. Dje, kryesocialisti ndryshoi qëndrim, duke bërë me dije se Shqipëria do të kërkojë në samit një ide të re për Komunitetin e Ri Politik Evropian, që çon përpara frymën e Evropës.

“Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës!

Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”, – shkruajti dje Rama.

Leave A Reply

Your email address will not be published.