Efektet elektorale “Koka” dhe “Doshi” në Durrës e Shkodër

0 239

Në dy bashkitë më të mëdha të 6 marsit – Durrës e Shkodër – nuk do të jenë të përfshirë në fushatë dy faktorë të rëndësishëm elektoralë lokalë të dy dekadave të fundit – Lefter Koka dhe Tom Doshi. Po si do të ndikojë kjo mungesë në rezultatet e 6 marsit në këto dy bashki të rëndësishme?

Në Durrës

Në dy dekadat e fundit, Lefter Koka ka qenë kryetar bashkie e deputet në Durrës, me një ndikim të fortë lokal në fushatat elektrorale parlamentare e bashkiake.

Pasi nuk u kandidua më për kryebashkiak nga PS-ja, Koka u rreshtua me LSI-në dhe u zgjodh si deputet i saj më 2009. Si rrjedhojë, në territorin aktual të Bashkisë Durrës (qyete+fshatra), LSI-ja pësoi një rritje prej pothuaj 6.5 mijë votash (krahasuar me zgjedhjet paraardhëse parlamentare).

Pasi nuk pranoi të digjte mandatin e deputetit (si kolegët e tjerë opozitarë), Koka iu bashkua grupit parlamentar të PS-së. Dhe në zgjedhjet e prillit të vjetshëm, ishte kandidat për deputet i listës së PS-së. Në territorin aktual të Bashkisë Durrës (qyete+fshatra), ai mori 9050 vota personale (në këto zgjedhje, përveç votës për partitë, kishte edhe votë personale për kandidatët). Në të njëjtin territor, LSI-ja pësoi një tkurrje prej mbi 10 mijë votash. Një tranferim pothuaj arithmetik ky i votave personale të Lefter Kokës nga LSI-ja tek PS-ja…

Vijmë në ditët e sotme. Nga një sondazh privat që kam zhvilluar në Bashkinë Durrës më rezultoi se janë të gatshëm të votojnë qysh sot për kandidaten e PS-së rreth 11 mijë votues më pak se sa votuan vjet për të në të njëjtin territor. Duket qartë që faktor kryesor i firos janë votat e munguara personale të Lefter Kokës.

Por a do ta dëmtojë ky faktor kandidaten e PS-së në Durrës? Për fatin e saj, dy kandidtatët e opozitës janë në garë të fortë me njëri-tjetrin dhe votat opozitare ndahen pak a shumë më dysh. Si rrjedhojë, kandidatja socialiste mund të shpallet fituese, edhe nëse nuk arrin të marrë 50% të votave…

Në Shkodër

Në dy dekadat e fundit, Tom Doshi ka qenë deputet i Shkodrës, fillimisht i PS-së, e më pas i PSD-së.

Më 2017, kur Doshi kandidoi për herë të parë me siglën e PSD-së, kjo fundit pati një rritje prej 7700 votash në territorin aktual të Bashkisë Shkodër (qyete+fshatra). Nga ana tjetër, pothuaj me kaq vota u tkurr PS-ja në të njëjtin territor…

Më 2021, krahasuar me katër vjet më parë, PSD-ja u rrit përsëri – kësaj rradhe me rreth 2200 vota. Nga ana tjetër, PS-ja u tkurr me rreth 4000 vota.

Dy zgjedhjet e fundit parlamentare ilustrojnë qartë transferimin e votave nga PS-ja tek PSD-ja, si rezultat i efektit elektoral “Tom Doshi” në territorin aktual të Bashkisë Shkodër (qyete+fshatra). Por a do ta dëmtojë tërheqja e Doshit nga Kuvendi kandidaten e PS-së në Shkodër?

Nga një sondazh privat që kam zhvilluar në Bashkinë Shkodër, më rezultoi se shumica e të anketuarve që kishin votuar për PSD-në në prillin e vjetshëm ishin gati të votonin qysh sot për kandidaten e PS-së. Dhe në qoftë se Doshi i nxit privatisht të gjithë përkrahësit e tij të votojnë për të më 6 mars, kandidatja socialiste mund të ketë një farë shansi ta fitojë garën, edhe pse do të marrë më pak se 50% të votave. Kuptohet që shanset e saj varen nga mënyra sesi do të ndahen më 6 mars votat mes dy kandidatëve opozitarë shkodranë…

Leave A Reply

Your email address will not be published.