Ekzekutime mafioze dhe atentate, Policia: 69 pika kontrolli. Lleshaj: Nuk shembet Shqipëria

0 295

Vendi është tronditur ditët e fundit nga ngjarjet kriminale. Vrasjet mafioze, atentate dhe krimet në familje, kanë shkaktuar pasiguri tek shqiptarët por Policia e Shtetit thotë se ka ngritur 69 pika kontrolli dhe se në pranga kanë rënë 9 persona si dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. ”Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.Në të gjithë vendin, prej orës 18:00 të ditës së djeshme janë ngritur 69 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale”,- thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas, janë proceduar penalisht 10 të tjerë, si dhe janë ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri armë zjarri. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 40 persona për verifikim.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nga Gjirokastra i’u përgjigj edhe interesimit të gazetarëve mbi ngjarjet e fundit kriminale. Ai ftoi gazetarët në radhë të parë, por edhe qytetarët të mos panikosen nga ajo që ndodhi këtë javë, ku krimi goditi në Tiranë e Elbasan, pasi sipas ministrit Shqipëria nuk shembet, as për një dhe as për dy ngjarje.

”Ne sot kemi rreth 35 vrasje deri tani. S’kemi pasur kurrë ndonjëherë në historinë e re të Shqipërisë, kaq. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë. Duhet të jenë zero. Por zero nuk bëhen kurrë këto, për sa kohë ka njerëz në botë. Dhe këtë mund ta krahasoni dhe me shifrat më të mira të vendeve të tjera perëndimore. Kemi shumë vende europiane që kanë më shumë vrasje për frymë sesa Shqipëria. Vende europiane, jo vende të rajonit! Ndaj unë e ftoj edhe median, publikun dhe shoqërinë që të mundohemi të mos krijojmë situata histerie dhe paniku dhe tjetra, të distancohemi pak nga krimi. Distancim nga krimi unë nënkuptoj mbështetjen e policisë. Se nganjëherë i turremi policisë a thua se Policia i bën vrasjet! Jo, Policia është për t’i parandaluar dhe për të gjetur e vënë para përgjegjësisë autorët e tyre”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.