Erdogan “leksione” Europës: Është koha që të shkruani një histori të re për veten tuaj

0 115

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan është shprehur se është koha që Europa të shkruajë një histori të re për veten e saj.

“Ka ardhur koha që BE, e cila në vitet e fundit është larguar nga vlerat e saj të themelimit dhe ka mbetur nën ndikimin e politikave afatshkurtra të vendeve anëtare, të shkruajë tashmë me luftën e Ukrainës një histori të re për veten e saj”, u shpreh ai mes të tjerash, transmeton agjencia turke Anadolu.

Në deklaratën e tij presidenti Erdogan në mesazhin e tij për 9 majin – Ditën e Evropës, ka thënë se shpallja e Deklaratës së Schuman-it e cila hodhi themelet e integrimit evropian, festohet si “Dita e Evropës” që nga viti 1999 kur u regjistrua statusi kandidat i Turqisë për në Bashkimin Evropian.

“Idetë në thelbin e Deklaratës së Schuman siguruan që pas luftës e cila shkatërroi të gjithë botën, vendet në Evropë të bashkoheshin për paqe, siguri, zhvillim dhe prosperitet duke lënë mënjanë dallimet dhe armiqësitë e tyre”, tha Erdogan.

Më tej ai shtoi: “BE me politikat e përbashkëta që ka zhvilluar nga e kaluara në të tashmen ka shkuar përtej të qenit një projekt paqeje. Ka ardhur koha që BE, e cila në vitet e fundit është larguar nga vlerat e saj të themelimit dhe ka mbetur nën ndikimin e politikave afatshkurtra të vendeve anëtare, të shkruajë bashkë me luftën e Ukrainës një histori të re për veten e saj”.

“Sot kjo tragjedi që po ndodh në mes të Evropës para gjithë botës është gjithashtu në cilësinë e një paralajmërimi për BE. Tani, ashtu si në periudhën kur u hodhën themelet e integrimit evropian, ka nevojë për solidaritet, bashkëpunim dhe më e rëndësishmja për një pikëpamje vizionare dhe të guximshme”.

Ai shtoi se Turqia ka dhënë një kontribut konkret në kapërcimin e sfidave aktuale, jo vetëm si vend kandidat dhe aleate e NATO-s, por edhe si një partner që ka përvojat e BE-së të rrënjosura thellë dhe të forta.

Pasi tërhoqi vëmendjen se efektet negative të luftës në Ukrainë kanë arritur në përmasa globale, presidenti Erdogan tha:

“Në skenën botërore që bëhet gjithnjë e më komplekse, është në interesin e të dyja palëve që në vend të dallimeve tona fokusi të jetë mbi emëruesit tanë të përbashkët dhe në vend të konflikteve të interesit fokusi të jetë mbi vlerat themelore që ne mbrojmë si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve Turqi-BE në çdo fushë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.