Faleminderit bijtë e Dardanisë

0 5
Nga Elis KUÇI
Shqipëria u plagos rëndë nga tërmeti i pamëshirshëm që nuk kurseu jetët e pafajshme të shumë qytetarëve. Situata katastrofike po venit shpresën se gjendja pas tërmetit do të kthehet shpejtë si më parë, duke i shtuar më shumë rrudhat në fytyrën e munduar të shqiptarëve të ndershëm. Por si çdo plagë që ka nevojë për mjekim që të rigjenerojë qelizat e humbura edhe nëna Shqipëri, ashtu e rrëzuar për tokë, pa t’i vijnë në ndihmë bijtë e Dardanisë, bijtë e trungut të saj. Ashtu si djali që lehtëson dhimbjen e nanës, vetëm me zërin e tij, ashtu edhe bijtë e Dardanisë, ngjallën shpresën tek shqiptarët e Shqipërisë, të gjunjëzuar përballë inatit të natyrës.
Bijtë Dardan ishin aty, duke sfiduar barbarinë që la pas katastrofa natyrore, jo vetëm për të “mjekuar” plagët fizike, por për të lehtësuar shpirtërisht vëllezërit e tyre që lëngonin nën rrënoja. Me ardhjen që në orët e para të tragjedisë, duke parë edhe shokun që prodhoi pas-tërmeti, misionet nga shteti i Kosovës morën komandën e kërkim shpëtimit në qytetin e shkatërruar të Durrësit, duke u bërë një trup, aq sa ishte e vështirë të dalloje se kush përfaqësonte Shtetin e Kosovës, edhe kush përfaqësonte shtetin e Shqipërisë.
Kundër tezës që Kosova na ktheu borxhin
Veç raportimeve për ngjarjen, u bë lajm që një autokolonë e ushtrisë, policisë dhe agjencive të tjera nga Republika e Kosovës, po vjen drejt Republikës së Shqipërisë për të përballuar emergjencën e shkaktuar nga tërmeti. Për mua kjo situatë nuk përbën lajm. Do ishte lajm sikur vëllezërit tanë mos të vinin për të na dhënë një dorë dhe për të na lehtësuar dhimbjen, pas këtij morti që na ra. Bijtë Dardan nuk erdhën si shigjetë për të ndihmuar nënën Shqipëri, sepse u kujtuan se kush i priti në vitin 1999, erdhën (për këtë jam i bindur) se i thërriti gjaku.
Vëllai asnjëherë nuk e ndihmon vëllanë për t’i larë borxhin, por e ndihmon se e ndjen dhimbjen po njëlloj, e ndihmon se kanë të njëjtën rrënjë, e ndihmon se kanë pirë të njëjtën sisë atë të Nënës Shqipëri. Por pse me kaq vonesë falënderimi për vëllanë e dalë në shtëpi me vete, që luftoi pa u menduar dy herë për të pastruar plagët e lëna nga tërmeti? Sigurisht pak me vonesë, pasi në traditën e lashtë shqiptare si fillim respektohet miku, (grupet e shpëtimit nga vende të ndryshme) e më pas vëllai i cili në thelb ka dhimbje po njëlloj për fatkeqësinë që padrejtësisht shkaktoi tërmeti.
Shteti Kosovës, shembull për menaxhimin e fatkeqësive natyrore
Megjithëse afro 12 vjeç, shteti i Kosovës tregoi se i ka kapacitetet për të përballuar më së miri fatkeqësinë natyrore. Nuk e di sa është buxheti i qeverisëpër institucionet që merren me menaxhimin e krizave nga fatkeqësitë natyrore, por investimi në këtë fushë nuk është asnjëherë para e harxhuar kot. Kjo për faktin e thjeshtë se Kosova ka dhënë mjaftueshëm jetë të pafajshme, nga padrejtësitë që i bëri shekulli i kaluar, prandaj lipset ngritja e çdo kapaciteti për të përballuar situatat e padëshirueshme.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, bashkimi i forcave të kërkim shpëtimit në një institucion të vetëm, që përgjigjet pas çdo fatkeqësie natyrore në çdo centimetër të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Le të jetë bashkimi në një trupë të vetme të institucioneve të emergjencës prelud i bashkimit në një trupë kombëtare të shumë shërbimeve të tjera. Ky bashkim veç shpirtëror, do prodhonte rezultate pozitive në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.