Fëmijët e burgosur në kampin Al-Hawl, Lleshaj vizitë në Liban

0 287

Në kampin Al-Hawl në Siri, mendohet se janë 80 shqiptarë të burgosur, mes tyre 50 gra dhe fëmijë e që sytë i kanë nga shteti, pasi situata aty është shumë kritike për jetën e tyre. Pas protestave të familjarëve dhe shoqërisë civile që kërkuan kthimin e të vegjëlve të mbetur në zonat e luftës, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, sipas medieve libaneze. ka shkuar vetë për të takuar këtë të hënë homologun e tij, Mohammad Fahmi.

Paçka se nga ministria e brendshme në Tiranë nuk konfirmohet vizita, sipas medieve të huaja, Lleshaj është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në këtë shtet. Në njoftimin e tyre mediat përmendin edhe solidaritetin e Shqipërisë pas shpërthimit të 4 gushtit në portin e Bejrutit. Të dhëna të tjera priten të zbardhen nga takimi dypalësh, nëse do të ketë ndonjë hap konkret nga Libani për kthimin e fëmijëve shqiptarë nga kampet e Sirisë.

Në vitin 2015, qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm u krijua për të trajtuar shfaqjen e ekstremizmit të dhunshëm tek shtetasit shqiptarë që u bashkuan në radhët e organizatave ekstremiste në konfliktet në Lindjen e Mesme vitet e fundit, duke përfshirë të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri dhe Irak (ISIS). Familjarët, shoqëria civile dhe organizata të ndryshme joqeveritare në kohë dhe forma të ndryshme kanë kërkuar rikthimin e grave dhe fëmijëve që janë bërë pjesë e konfliktit të armatosur në Siri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.