Fëmijët e ngujuar, Presidenti Meta: Me edukim dhe arsimim, mbyllin plagë të rënda si gjakmarrja

0 385

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin për një plagë të shoqërisë sonë e që janë fëmijët e ngujuar. Kreu i shtetit thotë se përmes edukimit dhe arsimimit të fëmijëve mund të arrijmë të ndryshojmë të ardhmen e vendit tonë dhe të mbyllim gjakmarrjen. Teksa ka dekoruar Fondacionin ”Jo-Gjakmarrjes!-Po jetës”, me titullin e lartë ”Nënë Tereza”, Meta nënvizon se ”duke u bërë një zë i fuqishëm për falje dhe pajtim në Shqipëri dhe jo vetëm. Por zgjidhja e këtyre plagëve sociale nuk i duhet lënë në dorë vetëm individëve dhe fondacioneve jofitimprurëse”,- shkruan presidenti në facebook.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

E drejta për arsimim por edhe për përkujdesje, socializim dhe integrim është sot një domosdoshmëri për dhjetëra fëmijë të familjeve të ngujuara për shkak të fenomenit të papranueshëm të gjakmarrjes por edhe atyre në nevojë. Vetëm nëpërmjet edukimit dhe arsimimit të fëmijëve mund të arrijmë të ndryshojmë të ardhmen e vendit tonë dhe të mbyllim plagë të tilla, kaq të rënda si gjakmarrja.

Këtë mision po e realizon më së miri, prej 10 vitesh edhe Fondacioni ”Jo-Gjakmarrjes!-Po jetës”, me në krye Pastoren Elona Prroj, duke u bërë një zë i fuqishëm për falje dhe pajtim në Shqipëri dhe jo vetëm. Por zgjidhja e këtyre plagëve sociale nuk i duhet lënë në dorë vetëm individëve dhe fondacioneve jofitimprurëse.

Është detyrë e të gjithëve ne, e institucioneve përgjegjëse në radhë të parë të angazhohen për një shoqëri më të mirë, me më shumë paqe, pajtim dhe me më pak varfëri, vuajtje e përjashtime. Në vlerësim të kontributit të spikatur të dhënë në këtë drejtim kisha sot kënaqësinë të vlerësoja zonjën Elona Prroj, drejtuese e Fondacionit “Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës!” Titullin e lartë ‘Nënë Tereza’.

Leave A Reply

Your email address will not be published.