Fillim i ri apo opozitë jeniçere

0 178

Nga Genc Pollo

Të enjten, në 10 shkurt, mazhoranca ka caktuar për votim në seancë amendamentet kushtetuese të depozituara në tetor 2021 nga mazhornanca e Edi Ramës. Sipas tyre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK; niveli i parë i vetingut) do t’u zgjatet mandati deri në fund të v.2024.

Përfundimi i vetingut, i cili aktualisht është në gjysëm të rrugës, është i arsyeshëm. Lënia e tij përgjysëm do të ishte zgjidhje e keqe megjithë problemet jo të pakta që janë evidentuar nga shqiptarët e ndërkombëtarët. Kështu duhet kuptuar edhe përkrahja e qartë për përfundimin e tij nga BE dhe ShBA.

Por debatit parlamentar e publik i ka munguar një analizë e opsioneve të ndryshme për të pëmbyllur vetingun. Jo pak njohës të sistemit të drejtësisë më janë shprehur se kalimi i komptetencës së vetingut tek këshillat e prokurorëve e gjyqtarëve siç parashikon kushtetuta mund të funksionojë në rregull. Por supozojmë se opsioni i tyre nuk është më i miri.

Nëse mbetet zgjatja e mandatit të KPK-së atëhere Kuvendi ka dy nënopsione: 1- të vazhdojë me komisionerët aktualë; 2- të emërojë komisionerë të rinj të cilët do të shërbejnë deri në dhjetor 2024.

Komisionerët aktualë janë përfshirë në disa skandale të dokumentuara e denoncuara publikisht. Në një rast janë denoncuar njëzëri nga Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara. Për këto kam shkruar në detaj muaj më parë.

Për t’a thënë thjesht dilema e Kuvendit duket si ajo e Nastradinit që duhet të zgjidhte për të ngrënë rrush nga kaçilja që kishte përmjerë apo nga kaçilja e pastër.

Unë mendoj se, nën shëmbullin e Nastradinit të urtë, Kuvendi duhet të mos aprovojë toptan amendamentet e Taulant Ballës por të shtojë edhe emërimet e reja të komisionerëve.

Në lojë hyn opozita!

Sa më lart nuk do të kishte shumë kuptim praktik nëse mazhoranca Rama-Balla do të mundej t’i bënte ndryshimet vetë. Por pa deputetët opozitarë ato janë të pamundura. Ky është një rast i rallë kur votat e opozitës vlejnë vërtet për ndryshim real.

Çdo opozitë në botën demokratike do të negocionte lëshime nga mazhoranca në përputhje me idetë e veta.

Në v.2020 mazhoranca Rama e ndihmuar nga opozita jeniçere ndryshuan në favor të tyre Kushtetutën e Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime në shkelje të marrëveshjes me opozitën PD-LSI i siguruan Ramës mandatin e tretë siç provon analiza numerike. BE dhe ShBA i kundërshtuan ndryshimet si shkelje të marrëveshjes ose të paktën si pa konsensusin e palëve të saj.

Tashti është rasti të them (sërish) se opozita nuk mund të votojë asnjë ndryshim kushtetues të ri pa korrigjuar atë të v. 2020. Për hir të shëndetit demokratik të Republikës si dhe për hir të dinjitetit opozitar.

Çdo sjellje tjetër do të ishte vazhdim i opozitës jeniçere.

Leave A Reply

Your email address will not be published.