Filloi si kuriozitet dhe mund të mbyllet si tragjedi

0 338

Nëse karantina është plani i vetëm, atëherë ne nuk kemi plan, por vetëm gatshmëri për të qëndruar të ngujuar. Ka mundësi që kur të fitojmë betejën kundër coronavirusit do ta kemi humbur një luftë, atë për ta mbajtur ekonominë në këmbë. E gjithë bota po flet për një balanc në mes ekonomisë dhe shëndetit.   

Berat Buzhala

Çfarë do të bëjmë kur të gjithë do të futemi në karantinë? Që po e zemë që për ta luftuar koronavirusin duhet të marrim masa edhe më drakonike. Duhet të ngujohet edhe Prizreni e Gjakova, e edhe Peja e Gjilani. Nuk po i numëroj qytetet tjera. Ato mund t’i gjeni në këngën “Thërret Prizreni mori motër”.

Çështja është kjo: çfarë do të bëjmë pastaj? Cili është plani? Në fakt a e ka dikush një plan? A e din dikush se nëse pandemia nuk mposhtet, e duket që nuk do të mposhtet shumë lehtë, sa kohë mund të mbijetojmë ne si shoqëri në karantinë?

Që po nisem prej kompanisë ku unë punoj. Në variantin më optimist, nëse dicka nuk ndyshon shpejt, ne kemi oksigjen deri në vjeshtën e hershme. Madje edhe kjo me kusht që nuk i paguajmë tatimet, nuk i paguajmë qiratë, i zbresim pak pagat dhe disa kompani vazhdojnë me pagesa të rregullta për marketing. Nëse njëri prej këtyre faktorëve dështon atëherë është edhe një muaj më pak jetë.

Industria e jonë është shumë e prekur prej situatës më të re. Ne varemi nga marketingu, kurse marketingu vjen prej bizneseve, e bizneset varen nga qarkullimi i mjeteve, do të thotë i parave.

Izolimi i njerëzve brenda, ose mënyra e izolimit të njerëzve brenda, sigurisht pa ndonjë koncept, nuk e bën aspak të vështirë për ta parashikuar rrjedhen e ngjarjeve në javët dhe muajt në vijim.

E nisim nga ajo që të gjithëve po na mungon, industria e restoraneve, kafeve, jetës së natës, hoteleve – ose me një fjalë industria e shërbimeve. Tashmë kjo sferë është e vdekur. Qindra mijëra punëtorë, të shumtën punëtorë në të zezën dhe me paga relativisht të ulta, janë mbyllur brenda katër mureve. Javët e para drama përvecse e frikshme ishte nga pak edhe argëtuese. Dicka që nuk ishte parë më herët, që po i prekte të gjithë njësoj – ose pothuajse njësoj. Kështu që të gjithë ishin në gjendje që për të mirën e përbashkët të sakrifikonin një pagë personale. Mirëpo kjo nuk përfundon këtu. Tashmë janë qindra mijëra paga personale më pak. Të gjithë ata, pas kalimit të cdo dite, do të blejnë më pak, do të kursejnë më shumë. Kjo dinamikë fillon t’i godas industritë tjera. Cdo kush do të afektohet, e edhe shteti. Nëse ne të gjithë jemi liruar prej tatimeve, nëse bizneset mbyllën një nga një, nëse ratat e kredive nuk kthehen, nëse rryma dhe uji nuk paguhen, nuk do shumë mend për të ditur se edhe arka e shtetit do ta ketë fatin e kuletave tona. Pastaj ai entuziazmi i ditëve të para, ku ndonëse ishte i frikshëm, do të pësojë rënie.

Në cdo vend të botës tonë, të kësaj evropiane, tash qeveritë po bëjnë plane për fazën e dytë të pandemisë. Cdo shkëncetar është i bindur që kjo nuk është një krizë që do të mbyllet në maj a qershor, e që besa as në dhjetor, e ndoshta as në pranverën e ardhshme. Eksperienca e kaluar, ajo e para 100 viteve, ka treguar që cdo pandemi e kësaj natyre do ta ketë edhe një fazë të dytë, e e cila mund të jetë edhe më e rëndë se e para.

Pas shtjerrjes së financave, pas rënies së fuqisë blerëse, njerëzit cdo ditë e më tepër do të kanë më pak empati për vdekjen e një të moshuari në lagjën e tyre, e lëre më diku në një shtet tjetër. Ata do të fillojnë të flasin për hapjen e ekonomisë, për shkollimin e fëmijëve dhe si nën hundë, duke mos qënë të sigurtë për reagimin e rrethit, do të fillojnë të thonë se “edhe ashtu mosha mesatare e viktimave të virusit është shumë e lartë”.

Të këtillet për momentin mund t’i gjykojmë si njerëz pa emocione dhe pa ndjenja për komunitetin, por pritni vec edhe pak dhe do ta shihni se sa shumë njerëz paska pa emocione dhe pa ndjenja të tilla të komplikuara. E sipas të gjitha gjasave edhe ti e unë. Kjo nuk është punë e thjeshtë. Solidariteti dhe sakrifica maksimale për të shpëtuar cdo jetë të mundshme mund të shpie në një humnerë tjetër shumë më të rrezikshme se sa kjo e para. Bota po shkon tash drejt një krize të rëndë ekonomike, me shumë mundësi më e rënda që nga ajo e viteve të 30’ta, që njihet edhe si Depresioni i Madh ekonomik. Numri i të papunëve në Amerikë ka shkuar mbi 16 milionë. Një rënie e madhe ekonomike në Amerikë shkakton stuhi në Evropë dhe anëkënd globit.

Bota nuk është tash sikur ajo që ishte në kohën e Gripit Spanjoll. Në atë kohë ekonomitë dhe njerëzit nuk ishin kaq të integruar sa janë sot. Ishin, por jo kaq. Në vitin 2008, në krizën e fundit ekonomike, rënia e një banke, e katërta sipas fuqisë në Amerikë, Lehman Brothers, e kishte dridhur të gjithë ekonominë botërore. U deshtën rreth dy vite angazhim global për ta stabilizuar ekonominë. Kriza tash është pakrahasimisht më e rëndë se sa ajo. Nuk është puna më tek një bankë. Janë të panumërta industritë që po pritet të kolapsojnë. Bie fjala turizmi, industria ajrore, ajo e naftës etj., et. Këto kanë konsekuenca globale.

Prandaj, në kohën kur varret po shtohen, madje në Amerikë për t’i akomoduar të vdekurit e shumtë po hapen varreza masive, ekonomistët dhe filozofët kanë filluar t’i shtrojnë disa pyetje, që në shikim të parë do të dukeshin jomorale. Kur është momenti që të pajtohemi me disa vdekje, për t’i parandaluar disa të tjera? Cili është balanci ideal në mes të vdekjeve të sotshme dhe shpëtimit të ekonomisë? Sa vdekje në ditë nga coronavirusi do të ishin të pranueshme në mënyrë që të fillojmë ta hapim jetën gradualisht, e edhe ekonominë dhe edukimin? Nëse fillojmë ta hapim jetën, në cilin sektor duhet të fillojmë atë?

Sigurisht që në vendin tonë pyetje të këtilla edhe më tutje nuk po bën askush. Edhe më tutje jemi në disponimin e karantinave, sepse kjo është gjëja më e lehtë për t’u bërë. Një fjalë goje, e madje dukesh pak edhe si hero: Mbylle Prishtinën. Nesër e mbyllim edhe Fushë Kosovën. Pasnesër e mbyllim krejt Kosovën. Po edhe? Cka më tutje? Cili ështyë plani kur të mbyllemi 100 përqind?

Kjo ishte një qasje e domosdoshme në fillim, mirëpo pas kaq kohësh dikush do të duhej të kishte menduar për fazën e dytë. Kosova e ka një popullatë të re, që do të thotë potencialisht kemi gjasa më të mira për t’i rezistuar virusit. Dallim i esencial në mes të Gjermanisë, që ka pak viktima, dhe Italisë që ka shumë viktima, është mosha e të prekurëve. Në Gjermani mosha mesatare e të infekturarëve është 48 vjec, kurse në Itali 68. Në këtë diferencën prej 20 vjetëve, fshihen mbi 10 mijë të vdekur. Në Kosova mosha mesatare e të prekurëve është sipas të gjitha gjasave edhe më e ulët, prandaj ka më pak raste të lajmëruara si të infektuar, e ka edhe më pak raste të vdekjeve. Jo pse autoritetet këtu po e bëjnë ndonjë punë gjeniale.

Po të ishte për punë gjeniale në Zvicra nuk do t’i kishte deri më tash 130 vdekje për 1 milionë banorë, kurse Kosova jo tamam 4 për një milion. Le ta çojë dorën ai që guxon të mendojë që Kosova është dhjetëra herë më e organizuar se Zvicra në cfarëdo fushe? Një konstatim i tillë do të ishte një fyerje e inteligjencës për cdokënd. Ne kemi vështirësi ta organizojmë edhe festën e pavarësisë, e lëre më një pandemi. Cdo kush duhet ta dijë që shtetet si Zvicra, gjatë gjithë vitit janë të përgatitura, kanë plane të gatshme, për raste pandemishë, por megjithatë e kanë të vështirë të mbrohen më shumë se sa kaq.

Ne thjesht jemi me fat që demografinë e kemi në anën tonë, si dhe, sic po thonë studimet e fundit, shoqëritë që janë ta vakcinuara kundër TBC’së, janë 10 deri në 20 herë më pak të ekspozuara nga rreziku i coronavirusit. Përndryshe në Itali mosha mesatare e të vdekurëve nga coronavirusi është më e lartë se sa jetëgjatësia mesatare në Kosovë. Në Itali mosha mesatare e të vdekurëve deri tash është 80 vjec, kurse në Kosovë mosha mesatare e jetëgjatësisë është 76 vjec.

Mirëpo t’i lëm anash krekosjet idiotike për gjoja një organizim spektakolar të Kosovës, sepse kësaj propagande nuk i besojnë as ata që e thonë. Ideja është se cfarë të bëhet tash e tutje. Deri këtu jemi mbrojtur falë demografisë e jo demagogjisë, falë moshës së re e jo organizimit, mirëpo këtu e tutje ka mundësi që nuk do të mund të mbrohemi më, me fjalë boshe e as më kakarisje sikur ajo e gjelit në maje të plehut. Nëse urgjentisht nuk dilet me një strategji të re, me një fushatë të re të vetëdijesimit, duke marrë masa për t’i mbrojtur grupet që janë më të ndieshme ndaj virusit, atëherë në fund të kësaj lufte të gjatë, do ta korrim një fitore të Pirros. Do ta kemi një ekonomi të vdekur, një arsim të rrënuar, një sistem shëndetësor të stërlodhur. Do ta kemi një shoqëri të mundur. Ajo cfarë kishte nisur si një kuriozitet, për një virus që po i vriste kinezët, ka mundësi që do të përfundojë si tragjedi.

Mirëpo me kënd po flas? Ne nuk kemi as qeveri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.