Fillon terapia me plazëm për Covid-19, Manastirliu: Bëhu hero, dhuro gjak

0 324

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije fillimin e procedurës së terapisë me plazmë. Lajmin Manastirliu e dha nga Banka e Gjakut në QSUT. Terapia me plazëm po përdoret gjerësisht në vendet e tjera, për kurimin e të sëmureve me Covid-19. Manastirliu u ka bërë thirrje pacientëve që kanë kaluar Covid-19, që të dhurojnë gjak.

”I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazëm. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”. Ajo tha se janë marrë masat për kryerjen e të gjithë procesit, që nga ekzaminimet e deri te procesi final i trajtimit. Manastirliu ka kërkuar nxitjen e zinxhirit të solidaritetit për dhurimin e plazmës nga personat që e kanë kaluar sëmundjen.

”Sot ne nisim fushatën ”Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty” dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”. Një paciente 30-vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar sot, në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Shefja e shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo tha se prej kohësh po punohet me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë terapi dhe i bëri apel personave që e kanë kaluar sëmundjen, të bëjnë këtë gjest human në ndihmë të atyre që kanë nevojë. Çdo mashkull që është ndërmjet 18-65 vjeç dhe çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatëzani, që e kanë kaluar Covid-19, mund t’i bashkohen iniciativës së dhurimit vullnetar të gjakut/plazmës për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi në spitale. Dhurimi mund të bëhet në çdo bankë gjaku në spitale dhe çdo person që dëshiron të dhurojë, mund të aplikojë online në faqen Web të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.