Firmoset marrëveshja, Rama: Do të kemi një qendër kombëtare për sigurinë kibernetike

0 37

Qeveria ka firmosur një marrëveshje për forcimin e sigurisë kibernetike në vend me kompaninë amerikane “Jones International” drejtuar nga James Logan Jones Jr. Në konferencën për shtyp, kryeministri Edi Rama tha se qendra kombëtare për sigurinë kibernetike se do të ngrihet së shpejti, duke e cilësuar si investim të rëndësishëm.

Sipas tij ky sistem do të jetë një vlerë e shtuar edhe për NATO-n në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje vjen pas skandalit të publikimit të të dhënave të qytetarëve shqiptarë, të cilin kreu i qeverisë e cilësoi edhe si mësim.

“Është kënaqësi që ne të kemi mundësinë të bashkëpunojmë me ju duke shfrytëzuar të gjithë eksperiencë dhe dashamirësinë tuaj ndaj vendit tonë. Projekti ynë është shumë ambicioz dhe prania juaj na e lehtëson.

Këtu nuk është thjeshtë çështja për të ndërtuar sisteme sigurie, por një sistem tërësor sigurie, që të ketë mundësi të ofrojë një vlerë të shtuar edhe për NATO-n. Në kohën ku jetojmë, shansi i vendeve më pak të zhvilluara është i panjohur në histori, falë teknologjisë. Si për paradoks, moszhvillimi i mjaftueshëm kthehet në avantazh dhe teknologjia në shans për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme.

Ne vlerësojmë shumë këtë mundësi bashkëpunimi me ju, për të adresuar dhe sfidën e madhe të ngritjes së një qendre të madhe kombëtare për mbrojtjen kibernetike. Që të jetë në shërbim të ushtrisë sonë dhe të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile. Duke pasur ndihmë, kurajën tuaj për të mos pasur frikë për të parë larg ne do t’ja dalim të kemi një qendër kombëtare sigurie, duke dhënë shërbime edhe përtej kufijve. ne patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e të dhënave personale, një ngjarje që nga ata që kanë ndodhur në të gjithë vendet më të zhvilluara, por që na jep edhe mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike që duhet të jemi të mbrojtur, por janë edhe sulmet nga brenda nga persona të infiltruar dhe të paguar. Prandaj unë e vlerësoj shumë aspektin e marrëveshjes sonë”, deklaroi Rama.

Leave A Reply

Your email address will not be published.