Tërmet i fortë, 600 të plagosur dhe 16 të vdekur. Pallate e hotele të rrëzuara

407

Shqipëria është në panik nga tërmeti 6.4 ballë. 16 persona kanë humbur jetën dhe 600 persona janë të plagosur nga tërmeti që ka shkundur Shqipërinë. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende shumë njerëz. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar. 43 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Viktimat janë nxjerrë nga rrënojat në zonën e Thumanës, në Durrës, dhe në Kurbin. Ndërkohë që po punohet ende për të nxjerrë qytetarë të tjerë nga rrënojat, çka bën që numri i viktimave të rritet në orët në vijim.

Zonat me problematike janë Durrësi, Golemi, Thumana, Lezha dhe Tirana. Në Thumanë, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.

Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i përfshirë nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Edhe në Durrës, situata paraqitet tepër e rëndë. Një nga katër pjestarët është nxjerr i pajetë nga rrënojat e pallatit në Durrës. Në Tiranë dhe Durrës raportohet nga ministria e shendetsisë se janë qindra të lënduar dhe të plagosur të cilët janë në spitale. Në qarkun e Lezhës njoftohet se ka dy viktima deri në këto momente. Ky është momenti kur nxirren disa prej tyre nga rrënojat, mes tyre edhe fëmijë.

Tragjedia në Shqipëri. Zhvillimet minutë pas minute

ORA 15:30- Mas për situatën pas tërmetit në Durrës

Nisin kontrollet në të gjitha subjektet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës, me qëllim heqjen e depozitave qendrore të gazit. Kështu, në zbatim të urdhrit të brendshëm të kryeinspektorit, strukturat e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), duke bashkërenduar aksionin edhe me Shtabin e Emergjencave Civile, kanë ushtruar kontrolle në të gjitha subjektet e dëmtuara gjatë tërmetit në zonën e Durrësit, me qëllim heqjen e depozitave qendrore të gazit në subjektet me impiante qendrore të GLN.

Nga ana e grupeve të ISHTI janë hequr 6 depozita të mëdha, konkretisht në subjektet:

1- Vila Verde

2-Hotel Lubjana

3- Hotel Tropikal

4- Karburant Gega “plazh ”

5- Hotel Mia Mar

6- Restorant Reom në Manzë Durrës

Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI),  sqaroi se kontrollet po vijojnë edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti.

ORA 15:18-Nxirret i gjallë nga gërmadhat, i mbijetuari i 43-ë i tërmetit

Nxirret i gjallë nga gërmadhat, i mbijetuari i 43-ë i tërmetit tregon se është ‘OK’. I riu tregon se ndodhet jashtë rrezikut për jetën duke ngritur dy gishtat. Forcat e shpëtimit dhe emergjencës civile ia dolën të shpëtojnë personin e 43-ë pas rënies së tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë në territorin e Shqipërisë. Është bërë e mundur shpëtimi i një djali, i cili paraqitet në gjendje koshiente. Për të treguar se ndodhet në gjendje të mirë fizike, i riu bëri shenjën ‘OK’ duke i çliruar banorët nga ankthi. Por, pas shpëtimit, ai rrëfeu se poshtë rrënojave të Hotel ’’Miramare’’ ka dhe persona të tjerë të bllokuar. Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë të kryhen. Presidenti Meta uli Flamurin Kombëtar në gjysmështizë në kujtim të 15 jetëve të humbura nga tërmeti i mëngjesit të sotëm në 03:57. Shqipëria ka marrë asistencë nga Rumania, Greqia, Italia, Kosova në bazë financiare dhe materiale.

ORA 15:18 – Veliaj: 500 ndërtesa të dëmtuara

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se nga një vlerësim paraprak janë rreth 500 ndërtesa të cilat kanë pësuar dëmtime të cilat do të riparohen menjëherë pas kalimit të këtyre momenteve. Në një intervistë për Euronews, Veliaj thekson se të gjithë grupet e punës janë në terren për të ofruar ndihmë në qendrat sociale, ndërkohë që do të punojnë 24 orë derisa të bëhet një vlerësim profesional i këtyre shtëpive.
Ai nënvizon se Bashkia e Tiranës ka ofruar menjëherë një fond prej 100 mijë eurosh si asistencë imediate për Thumanën dhe Durrësin, ndërkohë që janë nisur me urgjencë edhe grupet zjarrfikëse dhe specialistë për të ndihmuar në zonat më të dëmtuara nga tërmeti.

ORA 15:00- Mbërrin ekipi i emergjencave greke

Ekipi grek i specializuar për kërkim shpëtim në rastet e tërmeteve ka mbërritur në orën 15:00 në aeroportin e Rinasit. Ekipi i ekspertëve të Emergjencave Civile greke do të ndërhyjë në zonat më prekura nga tërmeti në Durrës dhe në Thumanë.

ORA 14:59-Njoftim i rëndësishëm për qytetarët: Mos përdorni ashensor

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë një njoftim për të gjithë qytetarët që të mos përdorin ashensorin e pallatave deri në një moment të dytë. “Përdorues të ashensorëve/Banor/Administator/Persona Përgjegjës, nisur nga situata e krijuar dhe dëmet e shkaktuara prej lëkundjeve të forta sizmike të datës 26 Nëntor, lutemi të merrni masat për mospërdorimin e ashensorëve deri në një njoftim të dytë. Kjo është për sigurinë e jetës për Ju dhe familjet tuaja”, thuhet në njoftim.

ORA 14: 50-Ministria e Infrastrukturës, thirrje inxhinierëve dhe arkitektëve

”Situata është e rëndë. Ndihma juaj shpëton njerëz”, kjo është thirrja që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën për të gjithë inxhinierët dhe arkitektët në vend. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bën thirrje për solidarizim të inxhinierëve të ndërtimit dhe arkitektëve me eksperiencë për të qenë pjesë në grupin e emergjencave që është ngritur pranë stadiumit, në Durrës. Grupet do të përbëhen nga 2 ose 3 veta dhe të shpërndahen në qytetin e Durrësit. Ministria bënë thirrje vullnetarëve të paraqiten ose të konfirmojnë me mesazh se do të jenë pjesë e këtyre grupeve, në numrin e telefonit +355682007099.

ORA 14:45- Mbërrin në Rinas ekipi i specialistëve nga Mbrojtja Civile italiane

Forcat e specializuara italiane aktualisht po nisen drejt Durrësit dhe Thumanës për t’i ardhur në ndihmë banorëve që gjenden nën rrënoja.

ORA 14:05- Tjetër lëkundje 5 Ballë

Ministria e Mbrojtjes njofton se “lëkundjet e fundit, në orën 14:10, ishin me magnitudë 5 të shkalles Rihter, me epiqendër në Kepin e Rodonit”.

ORA 13:50- Flamuri Kombëtar në gjysëm shtizë në Presidencë

Flamuri Kombëtar, në Institucionin e Presidentit të Republikës është ulur sot në gjysëm shtizë. “Në nderim të jetëve të humbura nga kjo fatkeqësi e madhe për mbarë vendin tonë!”,- shkruan kreu i shtetit në një mesazh në rrjetet sociale. Deri në orën 13:50 llogariten 12 viktima dhe më shumë se 600 të plagosur si pasojë e tërmetit.

ORA 13:45-Rama: Do të bëjmë çdo gjë për të shpëtuar qytetarët

“Plaga e madhe do të na bëjë më të fortë nesër”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të parë me qytetarët shqiptarët pas shkundjes së Shqipërisë nga tërmetet që kanë marrë deri tani jetën e të paktën 13 qytetarëve, dhe ka lënduar mbi 600 persona të tjerë. Kryeministri theksoi se janë 41 persona të shpëtuar nga rrënojat, ndërsa garantoi se do të bëhet çdo gjë e mundur për të shpëtuar jetët e qytetarëve që janë ende nën rrënoja.

Ora 13:40- Mediat e huaja: “Tërmeti vrastar godet Shqipërinë”

Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht gjendjen e krijuar në Shqipëri nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit, që deri më tani i kanë marrë jetën 8 personave dhe kanë lënduar rreth 600 të tjerë. Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendjen kryesore kësaj situate, duke publikuar në faqet online foto dhe video të operacioneve për kërkimin e të mbijetuarve në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Durrës dhe Thumanë.

Siç shkruan ‘La Repubblica’, lëkundjet e fuqishme janë ndjerë në gjithë jugun e Italisë deri në Napoli. Citohet Kryeministri italian Giuseppe Conte, i cili ka urdhëruar menjëherë dërgimin e ndihmave me avion nga Italia për Shqipërinë. Tërmet vrastar e quajnë mediat greke atë të orëve të para të kësaj të marte. Edhe në mediat e vendit fqinj pasqyrohen gjerësisht pasojat e lëkundjeve në Shqipëri si dhe ndihmat e ofruara nga Kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek për qeverinë shqiptare. Situata është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat britanike, franceze e gjermane.

ORA 13: 30 -Kosova një minutë heshtje dhe ndihma për Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për viktimat e tërmetit. Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar së përveç njësitëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës ka bërë mobilizimin e kompanive private që kanë kontratë me Qeverinë të nisen drejt Shqipërisë për të qenë në gjendje gadishmërie për çfarëdo nevoje. Po ashtu ndërmarrjet publike Trepça dhe Koorportata Energjitike e Kosovës kanë dërguar ekipet e zjarrfikësve.  Derisa Ministri i financave ka propozuar ndarjen e mjeteve prej 500 mije eurove.

ORA 13: 15 – Moment drithërues, polici nxjerr nga rrënojat nënën e tij

1900 forca policie janë të angazhuar në terren për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti 6.4 ballë që ka tronditur Shqipërinë. Njëri prej policëve ka mbërritur pikërisht në pallatin ku nëna e tij jetonte, në Thumanë. Ai u përfshi intensivisht për të shpëtuar nënën nga rrënojat dhe banorët e tjerë, pa e ditur se operacionin e shpëtimit do ta bënte pikërisht në atë vend. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar.

ORA 13:16 – Pamjet e ndërtesave të shkatërrruara në Thumanë

Ora 12:30 -Sizmologu i njohur grek: Rreziku më i madh nga tërmeti në Shqipëri kaloi

Sizmologu i njohur grek Akis Tselentis ka deklaruar në një prononcim për mediat në Athinë se nuk pritet tërmet më i fortë se ai që goditi vendin tonë, pasi rreziku më i madh kaloi.  “Tërmeti i Durrësit u ndje deri në Patra, jug të Greqisë. Epiqendra ishte në Adriatik. Tërmeti i parë ishte 6.4 kurse i dyti 5.8. Shtëpitë në Shqipërisë nuk janë si të Greqisë. Në Shqipëri nuk janë ndërtuar shtëpitë me standardet për të përballuar tërmetet. Si pasojë kemi kaq të plagosur dhe te vdekur. Nuk pritet të kemi më tërmet kaq të madh, mund të pasohet nga të vegjël. Tërmeti i Durrësit ishte qendror. Por ka rrezik që mund të ketë tërmete në Korçë sepse çarja e Durrësit ngatërrohet me atë të Korçës. Aty ku mbaron çarja e Durrësit fillon e Korçës” tha ai.

Ora 12:50- Njoftohet mbledhja e Shtabit të Emergjencave, Tiranë

Ministria e Brendshme njofton se sot në orën 14:00 do te zhvillohet mbledhja e Shtabit te Emergjencave, Tirane. Takimi do te zhvillohet tek salla ne Këshillin e Qarkut Tiranë.

Lexoni edhe

Publiée par Oligert Musta sur Lundi 25 novembre 2019

Ndërkaq banorët e Tiranes dhe të Durrësit, por edhe të zonave të tjera, të tmerruar kanë braktisur banesat e tyre nëpër pallate dhe kanë dalë në rrugë. Më poshtë pamje nga situata në lagjet e Tiranës dhe në Durrës.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbërritur në Thumanë pranë banorëve të dëmtuar më rëndë nga tërmeti. Kreu i Shtetit e ka përshkruar dramatike situatën duke kërkuar të bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja. “Situata mjaft dramatike. Po bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja”, u shpreh Meta.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.