Fundi i krizës politike? Boçi: Zgjedhje vendore dhe parlamentare në një ditë

0 387

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, thotë se kriza politike në Shqipëri merr fund me mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe parlamentare në një ditë, ndërsa shprehu bindjen se në këto zgjedhje fitues do të dalë PD dhe aleatët e saj. Duke komentuar marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, Boçi u shpreh se nga ky pakt fituan qytetarët shqiptarë dhe Partia Demokratike, pasi Partia Socialiste dështoi të kapte komisionet zgjedhore.

Deklarata

Në një marrëveshje gjithmonë ka gjëra që mbeten pa përfunduar, sepse tendosja e palëve është e madhe dhe gjetja e konsensusit sakrifikon disa prej kërkesave që në parim dhe në opinion duken të drejta dhe të domosdoshme.

Nuk është marrëveshja më e mirë e arritur ndonjëherë për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por në rrethanat e katastrofës ekonomike e politike e të humbjes së arsyes të pushtetit që po shkërmoqet me zhurmë e pasoja, është më e mira e mundshme. Tek mazhoranca, përgjatë gjithë kohës ka dominuar frika. Opozita me avantazhin e detyrimit që i imponoi mazhorancës nëpërmjet faktorit ndërkombëtar, dominoi debatin me qetësi dhe vendosmëri. Frika bëri që mazhoranca t’i trembej si djalli temjanit qeverisë tranzitore, apo ndërrimit të drejtuesve të lartë të policisë.

Opozita nga ana e saj, shmangu me sukses “depolitizimin” e politizuar të komisioneve zgjedhore dhe të grupeve të numërimit, sikurse siguroi monitorim biometrik dhe online për çdo qendër votimi. Ndërsa sot ka arritur të imponojë dhe formulën e saj të zgjedhjes së anëtarëve të KQZ. Ato që bënë diferencën ishin qëllimet.

Qëllimi i mazhorancës ishte gjetja e marifeteve zgjedhore dhe “vrimave”, për të rrëmbyer përsëri pushtet të vjedhur, ndërsa i opozitës përtej interesi politik partiak, ishte sigurimi i një procesi që mbërrin tek vota e lirë, e ndershme e pavjedhur dhe e pa ndikuar nga krimi.

Çdo marrëveshje në të cilën një opozitë imponon kërkesat e saj,është një sukses i pastër dhe i padiskutueshëm i saj dhe ndez patjetërsueshmërisht fitilin e një fitoreje politike të afërt. E tillë ishte dhe kjo marrëveshje. Opozita tregoi forcë dhe karakter në ngulmimin e saj dhe betejën e panegociueshme që ajo bën për votën e lirë. Ironia e Ramës më shumë ishte një maraz i fshehur që nuk arriti të realizonte qëllimin e kontrollit të administrimit të procesit zgjedhor dhe të implementimit të hileve pushtetare, se sa një ironi situative. Opozita ta themi qartë dhe troç, fitoi. /Sot/

Leave A Reply

Your email address will not be published.