Gjendet zgjidhja për 4 shtete, si do të furnizohen me gaz

0 43

Lufta në Ukrainë nis të japë pasoja dhe në planin e sigurisë energjetike Europiane. Në kuadër të ndryshimit të furnizimit me gaz dhe naftë, Greqia dhe Bullgaria kanë arritur marrëveshje për nisjen e projektit mbi një sistem lundrues për magazinimin dhe lëvizjen e hidrokarbureve.

Në ceremoninë për firmosjen e kontratës, në Athinë, ndodheshin dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Dhe për ata strategjia e cila kalon nëpërmjet sistemit lundrues shihet si fituese.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis tha se projekti dëshmonte gatishmërinë për të reaguar ndaj sfidave të kohës aktuale duke shmangur përplasjet me vendet e treta, aspak të gatshëm për të bashkëpunuar. Ai shtoi se kjo tregon dhe impenjimin në nivel transkombëtar për një menaxhim të përbashkët të burimeve energjetike. Gazi natyror është një lëndë djegëse kalimtare dhe do të jetë i rëndësishëm dhe në vitet në vijim, por objektivi është ai i energjisë pastër në ekuilibër me natyrën, përfundoi ai.

Platforma lundruese greko – bullgare do të ketë një kapacitet magazinimi prej 153.500 metrash kub gaz natyror në gjendje të lëngshme, dhe parashikohet të jetë në aktivitet tregtar për muajin dhjetor të 2023-shit, duke garantuar një kapacitet vjetor për përpunimin e 5.5 miliard metër kub gaz natyror në gjendje të lëngshme.

Projekti ka marrë dhe mbështetjen Europiane. Për presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, bëhet fjalë për një investim gjeopolitik. Sistemi reflekton prioritetet duke rifurnizuar Greqinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Një gjë e tillë sipas tij do të ndihmojë në clirimin e rajonit juglindor europian nga kërcënimet për furnizim nga ana e Rusisë.

Në qendër të platformës do të jetë anija Aleksandrupolis, aktualisht në fazë ndërtimi në një kantier në Singapor. I gjithë projekti vlen 410 milion euro dhe mbështetet nga fonde europiane dhe qeveritare si dhe nga një kuotë kapitali privat.

Leave A Reply

Your email address will not be published.