Gjiknuri pranon njohjen me Zoton dhe Mërtirin, por i quan rastësi udhëtimet në një avion

0 146

Ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri pranoi se njihte dhe kishte takuar disa herë në raporte pune Klodian Zoton dhe se njihte për fytyrë Mirel Mërtirin, por i cilësoi udhëtimet në të njëjtin avion me ta si rastësore. Deputetët e opozitës thanë se shanset për këtë rastësi ishin 1 në 1 milion.

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri pranoi në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët të martën njohjen që prej vitit 2001 me Klodian Zoton, një prej aksionarëve të kompanive përfituese të kontratave koncesionare për trajtimin e mbetjeve, i shpallur në kërkim me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai pranoi po ashtu se njihte “për fytyrë” edhe Mirel Mërtirin, një tjetër person i lidhur me koncesionet.

Aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gjiknuri tha se këto njohje ishin rrethanore dhe dha si shembull se njësoj kishte pasur shok shkolle edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se Zoton e njihte që nga puna në Ministrinë e Mbrojtjes, por këmbënguli se njohja ishte për shkak të punës dhe se kishte njohur shumë njerëz. Ai tha se në këtë funksion e kishte takuar disa herë Zoton.

I pyetur nga kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku mbi udhëtimet me këta persona, Gjiknuri, mohoi që të kishte udhëtuar me ta. Ai veçoi katër udhëtime bazuar në të dhënat TIMS, për të cilat ishte akuzuar më parë në Kuvend, dhe këmbënguli se tre nga udhëtimet e tij në këto raste ishin për punë publike. Ai tha se një prej udhëtime ishte familjar, por la të kuptohej se prania në të njëjtin avion me personat në fjalë ishte rastësi. “Është transport publik”, këmbënguli Gjiknuri dhe sërish iu referua njohjeve me përfaqësues të opozitës, për të thënë se këto pikëtakime nuk ishin të dyshimta.

Por në një përballje të mëvonshme në seancë, deputetja Dhurata Çupi dhe kryetarja e komisionit Jorida Tabaku këmbëngulën se këto udhëtime nuk mund të quheshin rastësore. “Nuk mund të lejoj që të kalojë si normale udhëtimet e ministrit me biznesmenin që fiton koncesion,” tha Çupi.

“Një në 1 milion është mundësia”, tha Tabaku, duke iu referuar shanseve që Gjiknuri të ishte 7 herë sipas saj në të njëjtin avion me personat që morën koncesionet. Tabaku tha se Gjiknuri gënjeu në komision, pasi në një seancë plenare kishte deklaruar se Mërtirin e kishte pasur shok shkolle. Ish-ministri u përgjigj njëlloj. Ai këmbënguli se kompanitë në emër të personave të shpallur tashmë në kërkim kishin fituar gara për leje minerare, ndërsa tha se “shok shkolle kishte pasur edhe Lulzim Bashën”.

E pyetur nga deputetja Ina Zhupa për disa pikëtakime të tjera me personat e lidhur me koncesionet e inceneratorëve, përfshi një kontratë për eficencën energjitike të Qytetit Studenti. Gjiknuri refuzoi të përgjigjej duke thënë se ishin jashtë objektit të hetimit. “Në qoftë se jam në konflikt interesi duhet ta hetojnë organet e tjera”, tha Gjiknuri dhe këmbënguli se njohjet janë rastësore. ”Këto janë broçkulla” tha ai duke iu referuar pretendimeve të Zhupës se kishte vizituar Mërtirin në shtëpinë e tij në Maltë dhe se rezultonte në një përgjim të prokurorisë në një hetim ndaj Klodian Zotos.

Ish-ministri këmbënguli se projektet e impianteve ishin të sukseshme dhe pranoi se po relativizonte situatën, kur përmendi në mënyrë të përsëritur një sërë kontratash për punë publike të kohës së qeverisjes së demokratëve për të cilat po ashtu ka pasur akuza. Gjiknuri tha se kontratat publike komplekse kishin pasur probleme të njëjta, kishin filluar me buxhete që ishin rritur masivisht rrugës. “Rruga e Kombit filloi me 600 milionë dhe shkoi 1.2 miliardë dhe ende s’ka përfunduar”, tha ai. Ndërsa përmendi edhe një sërë kontratash të tjera me probleme. ”Të gjitha janë me vonesë dhe me kosto shtesë”, tha ai.

Në një moment në përgjigje të pyetjes së deputetit Lefter Gështenja se koncesionet ishin pa projekt, Gjiknuri tha se kontrata të nënshkruara gjatë qeverisjes së demokratëve me projekte të paplota apo të bëra keq i kishin kushtuar më shtrejtë buxhetit të shtetit se sa koncesionet e inceneratorëve. “900 milonë të harxhuara dhe të pambaruar, këtu po diskutojmë për 40 milionë dollarë, por kjo pra është diferenca”, tha ish-ministri i MEI.

Disa herë Gjiknuri u përplas me deputetët e opozitës për shkak të tonit dhe mënyrës se si ai u përgjigj pyetjeve.

Nga ana e tyre, deputetët socialistë u shqetësuan ndaj qëndrimeve të kolegëve të opozitës dhe po ashtu i “ngritën” disa herë topin Gjiknurit dhe miratuan deklarimet e tij.

I pyetur nga deputeti Besjan Ajazi mbi rolin e tij në këto “vepra madhore”, Gjiknuri foli për eksperiencën e tij në qeverisje, tha se disa gjëra mund të ishin bërë më mirë, por se ai kishte pasur sfida dhe këmbënguli se kishte qenë ministër në një “sektor të vështirë”.

Më herët, komisioni hetimor dëgjoi dëshminë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Agaçi në pjesën më të madhe të përgjigjeve të tij iu referua kompentecave që kishte Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, duke këmbëngulur se pyetjet e deputetëve të opozitës nuk mund të merrnin përgjigje prej tij.

I thirrur si dëshmitar nga opozita pas një sërë aludimesh dhe akuzash publike se ai vetë ishte i përfshirë në kalimin e kontratave për inceneratorët në Elbasan, Fier, Tiranë, Agaçi i cilësoi këto shpifje dhe këmbënguli se procedura e ndjekur nga Këshilli Ministrave ishte e ligjshme.

Agaçi tha gjatë fjalës së tij se ishte i lumtur që i ishte dhënë mundësia për të sqaruar publikisht pozicionin e tij në lidhje me akuzat që i ishin bërë. Ai këmbënguli që një dokument që qarkullonte në media si i miratuar nga qeveria nuk ekzistonte dhe nuk ishte miratuar kurrë.

Këmbënguljes në pyetje të deputetëve të PD mbi kohën e shkurtër që ishte marrë për miratimin e financimit për koncesionin e Elbasanit, Agaçi iu përgjigj duke përmendur një sistem elektronik të vënë në punë sipas tij në vitin 2010 që ia kishte lehtësuar shumë punën administratës. Ai po ashtu pretendoi se 17 procedurat e kaluar në një ditë, kishin filluar më herët.

Agaçi mohoi të kishte pasur ndikim dhe po ashtu këmbënguli se nuk i ishte kërkuar apo bërë presion nga kryeministri në lidhje me procedurën për inceneratorët. Ai tha se vendimi ishte bërë me procedurë të përshpejtuar, por se kishte kaluar në një mbledhje normale të qeverisë dhe ishte votuar unanimisht.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave pretendoi padijeni në lidhje me disa prej çështjeve që u ngritën në komision. I pyetur mbi një dokument që tregonte nisjen e një hetimi nga Ministria e Financave mbi dyshimet për abuzime në inceneratorin e Elbasanit në vitin 2020, Agaçi kërkoi të shihte dokumentin dhe mohoi më pas të ishte në dijeni të hetimit.

Deputetët e opozitës pretenduan se dokumenti në fjalë tregonte dijeninë e qeverisë në lidhje me problemet në koncesione. Por Anila Denaj, ish-ministra e Financave në këtë periudhë, në replikë me kryetaren e Komisionit, Jorida Tabaku tha se në fakt dokumenti tregonte se administrata kishte funksionuar.

Agaçi po ashtu këmbënguli në fjalën e tij se ishte funksionar publik dhe se nuk donte të mbante qëndrime politike, por kur doli në korridor jashtë sallës së komisionit, ai u rrethua nga deputetët e PS-së.

Dëshmitari i fundit i thirrur nga Komisioni të martën ishte deputeti Alqi Bllako, i cili sipas kryetares së Komisionit Hetimor ka mbajtur role dhe ka pasur pozita vendimmarrëse në procesin e miratimit të kontratave. Bllako po ashtu akuzohet nga opozita për konflikt interesi.

Pas betimit, deputeti i PS-së tha se ai nuk mund të dëshmonte pasi kishte dhënë një dëshmi prej 5 orësh në SPAK dhe se ai nuk dinte të ndante se çfarë ishte sekret hetimor e çfarë jo. Bllako tha se do të nënshkruante deklaratën se nuk mund të dëshmonte.

“Nuk dua të ngarkoj as veten time, as këtë komision”, tha ai. Kërkesa e Bllakos për të bërë një deklaratë tre minutëshe para Komisionit mbi akuzat që i janë bërë u refuza nga Tabaku, që tha se Komisioni nuk mund të shërbente për këto qëndrime.

Leave A Reply

Your email address will not be published.