Gjykata e Lartë refuzon Lefter Kokën, mbeten të sekuestruara 4 prona të tij

0 55

Pasuritë e Lefter Kokës mbeten nën sekuestro. Kërkesa e ish-ministrit, tashmë i arrestuar për korrupsion me inceratorët, është hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit i ka thënë “jo” rekursit të ish-deputetit për heqjen e sekuestros nga katër prona, si pjesë e hetimit pasuror që po kryhet ndaj tij.

Këto prona janë bllokuar nga vendimi i Apelit të GJKKO. “Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, – thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Lefter Koka u vu në pranga më 14 dhjetor 2021, i dyshuar për përfshirje në aferën 4.9 milionë euro me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) janë shkelur procedurat për dhënien e koncesioneve, por edhe janë konsumuar vepra penale nga zyrtarë deri të nivelit më të lartë.

Me anë të rekursit të firmosur nga vetë Koka, ai i kërkonte nga Gjykata e Lartë të lironte kantinën e verës në Rashbull të Durrësit, ku rezulton pronar me 88% të aksioneve. Ndërkohë pas hetimeve për rastin e Fierit, ish-ministrit iu vunë në sekuestro katër prona. Dyshimet janë se Koka ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Rreth 3.3 milionë euro pasuri e sekuestruar (1.2 milionë euro Lefter Kokës, 2 milionë euro në Elbasan; dhe 140 mijë euro babait të deputetit Bllako) dhe 9 masa të tjera arresti për Fierin dhe 5 masa për Elbasanin është deri tani bilanci i hetimeve të SPAK-ut dhe vendimeve të gjykatave. Procesi vazhdon.

Leave A Reply

Your email address will not be published.