Gjykata Kushtetuese dhe frika ndaj saj, lufta për ta deligjitimuar

0 282

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u rikthye në funksion në fund të vitit 2020, vetëm pas një këmbënguljeje të fortë të partnerëve ndërkombëtarë në Tiranë. Por, ky sukses, i cili i atribuohet më shumë diplomatëve Yuri Kim dhe Luigi Soreca, po tentohet të deligjitimohet, duke përdorur disa vendimeve dhe procese kontraverse të Gjykatës Administrative të Apelit.

Kjo gjykatë, e pozicionuar dukshëm kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), struktura përgjegjëse për verifikimin e kandidaturave, po vijon shqyrtimin telenovelë të ankimeve nga Zhaklina Peto, një ish-kandidate për Gjykatën Kushtetuese, e rrëzuar pesë herë rresht për probleme me pasurinë.Në javët e para të janarit, një trupë e gjykatës administrative po shqyrton padinë e Petos, e cila duket se është “dorëhequr nga dorëheqja” prej garës, akt të cilin ia dorëzoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pak orë para se të ri-shqyrtohej për të pestën herë kandidatura e saj.

Sipas padisë që po shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit, juristja Peto pretendon se KED e ka keqinterpretuar kërkesën e saj për t’u dorëhequr nga gara. Peto, në një komunikim që ka pasur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ka kërkuar nga anëtarët e këtij institucioni se, në rast se nuk ndryshojnë relacionin mbi verifikimin e pasurisë, të cilin e vlerësonte si tendencioz, ata “duhet të konsiderojnë dorëheqjen” e saj nga gara.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e datës 23 dhjetor 2020, pasi konstatoi në mënyrë unanime se procedura verifikuese ishte tërësisht në përputhje me ligjin, po me vendim njëzëri konstatoi se shprehja e vullnetit të Zhaklina Petos për t’u dorëhequr nga gara ishte i qartë dhe i pavesuar.

Në përfundim, KED vendosi ndërprerjen e procedurave për Peton, duke argumentuar se ajo ka dhënë dorëheqjen nga gara. Por, pas këtij vendimi, kandidatja Peto u shfaq në media të caktuara, të cilat e kishin suportuar mjaftueshëm në garën e saj të stërgjatë për një post në Kushtetuese, duke pretenduar se nuk ka dhënë dorëheqjen. Pas këtyre deklarimeve, Peto ngriti një padi në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila, siç konstatoi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor 5-ditor dhe, për këtë arsye, u vijua me procedurat për dërgimin në Presidencë për emërimin e emrit të vetëm të mbetur në garë, Sonila Bejtja.

Në fund të dhjetorit 2020, KED miratoi kandidaturën e fundit në garë për në Gjykatën Kushtetuese dhe Presidenti Ilir Meta e dekretoi anëtarin e shtatë. Ky numër është i mjaftueshëm që gjykata supreme në vend të marrë vendime, sidomos për disa çështje që gjenden tashmë në tavolinën e gjyqtarëve dhe që janë tejet jetike për demokracinë në Shqipëri. Anëtari më i fundit, juristja Sonila Bejtja, e kualifikuar që në Tetor 2020, u detyruar të priste serialin e ankimit pas ankimit të kandidates Peto, e cila i drejtohej Gjykatës Administrative të Apelit sa herë që përjashtohej nga gara, me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Gjykata e riktheu disa herë në garë Peton, duke paraqitur si argumenta ato që i konsideronte shkelje proceduriale nga ana e KED-së në shqyrtimin e kandidaturës së saj. Në çdo rast, detajet që konsideroheshin “shkelje proceduriale” në vendimmarrjet e KED-së, në fakt nuk lidheshin aspak as me thelbin dhe as me rezultatin final. Megjithatë, KED, në përmbushje të detyrimit ligjor dhe me durim, shqyrtoi në çdo rast kandidaturën e Petos dhe në çdo vendim konstatonte problematikat me pasurinë e juristes.

“Telenovela” që po zhvillohej mes Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë dhe Gjykatës së Apelit Administrativ, krijoi dyshime për ndërhyrje politike në favorizimin e emrit të Zhaklina Petos. Gjykata Administrative, në çdo rast anashkalonte faktin që KED konstatonte se Peto kishte problem me ligjshmërinë e pasurisë, përfshirë edhe burimin e një shtese në apartamentin dupleks në Tiranë, veprim që është kryer në kohën kur ajo ishte e martuar me Ministrin e Brendshëm aktual, Bledi Çuçi. Megjithatë, KED vendosi përfundimisht përjashtimin e Petos nga gara, mbështetur edhe në aktin e saj të dorëheqjes. Por, Gjykata Administrative e Apelit duket e vendosur të mbështesë çdo padi të saj, duke zhvilluar disa seanca për të provuar faktin nëse dorëheqja është dorëheqje apo jo.

Në aspektin ligjor dhe praktik, gjithçka është e mbyllur. Edhe në rast se Administrativja pranon padinë e Petos, siç ka bërë rregullisht edhe më parë, nuk ekziston asnjë hapësirë kushtetuese dhe ligjore që ajo të marrë një mandat si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Por, nga ana tjetër, kjo “telenovelë” duket se ka një qëllim më të madh, që e tejkalon shumëfish emrin e një personi. I gjithë ky proces duket se synon delegjitimin e vetë Gjykatës Kushtetuese. /https://publiktv.live/

Leave A Reply

Your email address will not be published.