Hajnaj: BKH strukturë do të veprojë jashtë çdo ndikimi

0 328

Aida Veizaj (Hajnaj), drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke bërë thirrje për aplikantë që duan të punojë si hetues pranë BKH-së, thotë se kjo strukturë do të veprojë jashtë çdo ndikimi.

Aplikimet do të jenë të hapura deri më 29 shtator ndërsa pjesë e BKH-së mund të bëhen të gjithë ata oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët punojnë në prokurori, por edhe oficerë të policisë që kanë mbaruar Akademinë e Policisë dhe ka mbi një vit përvojë punë.

“Aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për “Hetuesin” e BKH-së është një mundësi shumë e mirë për t`u zgjedhur si pjesë e ekipit të ri që do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm”, shprehet Hajnaj.

Drejtuesja e BKH-së nënvizon se procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent pasi kërkohet që të përzgjidhen kandidatët/et më të mirë. “SPAK ju bënë thirrje të gjithë kandidatëve ose kandidateve që demonstrojnë lidership, integritet, profesionalizëm dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të aplikojnë për këtë pozicion pune, para datës 29 shtator 2020. Shkoni tek njoftimi për këtë pozicion të lirë pune në website-in e BKH-së dhe ndiqni udhëzimet”, ka shtuar drejtuesja e BKH-së.

Leave A Reply

Your email address will not be published.