Hapja e PD, garanci për FITORE të sigurt

0 329

Partia Demokratike ka nisur prej disa javësh një proces që përbën risi në jetën e brendshme të partive politike shqiptare. Emrat e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie nuk do të përzgjidhen më ekskluzivisht nga kryetari dhe kryesia, por do të dalin pas një procesi të gjatë selektimi nga Komisioni i Vlerësimit. Procesi është huazuar nga modelet më të mira të partive në SHBA, Gjermani dhe Britani të Madhe. Fillimisht janë anëtarët e PD në bazë që propozojnë emrat që duan për t’i përfaqësues në Parlament dhe pushtetin vendor, më pas është Komisioni i Vlerësimit, i cili bën seleksionimin e tyre mbi bazën e kritereve politike, profesionale dhe morale.

Në fund, emrat marrin miratimin e Kryesisë së PD dhe institucioneve të tjera duke kaluar kështu në 3-4 filtra të rëndësishëm që bëjnë një vlerësim total të emrave. Modeli që po ndjek Partia Demokratike kryhet për herë të parë në Shqipëri dhe si çdo fillim nuk do të mungojnë keqkuptimet apo dhe tentativat për ta paraqitur si një proces jo real nga kundërshtarët. Cilatdo qofshin qëndrimet pro dhe kundër kësaj nisme, jemi para faktit të kryer se listat e kandidatëve nuk do të dalin nga zyra e kryetarit, por në masën më të madhe do të jenë përfaqësim i asaj që duan demokratët. Çdo model ka të metat e veta, por Lulzim Basha në këtë pikë duhet vlerësuar që po kthen në realitet një nismë që bën diferencë të madhe me modelin e mbyllur dhe pa asnjë mendim ndryshe që ka PS dhe Edi Rama.

Më shumë sesa nisma që ka ndërmarrë selia blu, garancia kryesore e këtij procesi kontrolli në PD janë emrat e përzgjedhur në komision. Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Mark Marku dhe Enriketa Papa janë emrat që do të vlerësojnë kandidaturat e PD-së për zgjedhjet. Emrat e përzgjedhur nuk janë thjeshtë përfaqësues dhe themelues të PD, por pjesa më e madhe e tyre edhe figura intelektuale dhe me peshë në opinionin publik që i japin seriozitetin e duhur procesit. I rëndësishëm është fakti se një proces kaq delikat sa përzgjedhja e emrave nuk u është lënë në dorë zyrtarëve tradicional të PD, por Besnik Mustafajt, Genc Rulit, Mark Marku etj, që vetëm si njerëz që veprojnë sipas urdhrave të kryetarit nuk mund të quhen. Përkundrazi, janë emra që këto vite e kanë kritikuar Bashën dhe politikën e jo pak herë publikisht dhe shumë ashpër. Në këtë pikë qëndron dhe garancia se procesi nuk do të jetë farsë apo një model i ngjashëm me votime e shëmtuara fiktive që bën Rilindja brenda saj.

Afrimi i Genc Rulit dhe Besnik Mustafajit është shenja e parë konkrete e ndryshimit të Partisë Demokratike dhe përgatitjes së saj serioze për zgjedhjet e ardhshme. Genc Ruli bën pjesë te themeluesit e Partisë Demokratike dhe te grupi i demokratëve historikë që nuk ka heshtur asnjëherë kur gjërat nuk kanë ecur mirë te e djathta. Është nga ata demokratë që nuk vihet në rresht nga kryetari dhe këtë e ka treguar me Berishën e parë në vitet ’90, por edhe me Lulzim Bashën pas marrjes së drejtimit të partisë në vitin 2013. Rikthimi i tij në strukturat vendimmarrëse të PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha është sinjali se procesi i hapjes është realë në PD.

Ruli iu përgjigj ftesës së Lulzim Bashës dhe do të ishte mirë që dhe figura të tjera të PD që kanë kontribute ta shikojnë këtë moment si një fazë të re të së djathtës. Ka plotë emra të tjerë demokrate dhe demokratësh që edhe pse kanë kritikuar hapur lidershipin e PD, nuk janë bërë pjesë e pazareve të rilindjes dhe miratojnë të jenë në betejën e radhës elektorale. Në PD ka hyrje të reja dhe njerëz që janë rritur politikisht këto vite, por përballja me rilindjen ka nevojë për kontributin e kujtdo që e ndjen veten të aftë me intelekt dhe profesionistë e kurajoz.

Përballë nuk është një kundërshtar normal, madje është një rival që luan fare pa rregulla loje. E vetmja mënyrë që beteja e radhës elektorale të sjellë fitoren e PD është mobilimi i të gjithëve. Dhe këtë duket se po e bën Lulzim Basha.

Leave A Reply

Your email address will not be published.