Henze: Shkelja e kontratës nga Rama ka pasoja të rënda. Si mund të negociojë BE-ja me antidemokratët?

0 321

Këshilltari i CDU-së gjermane: Projekti i Ramës, Ballës dhe Hajdarit me projektligjin antidemokratik për ndryshimet kushtetuese, krijon kaos të plotë dhe i mbyll derën Shqipërisë për në BE, nëse zbatohet, për sa kohë që kjo qeveri “Rama” është në pushtet

 Intervistoi: Qamil Xhani

Këshilltari ekonomik pranë grupimit politik qeverisës në Gjermani, CDU, Martin Henze në një intervistë për “Koha Jonë” ka komentuar situatën politike që po kalon Shqipëria, pas zyrtarizimit të nismës së kryeministrit Edi Rama për ndryshime të njëanshme të Kushtetutës, që për opozitën dhe ndërkombëtarët çojnë automatikisht në zhbërjen e marrëveshjes politike të 5 qershorit për reformën zgjedhore, që u negociua nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe. Henze thotë se ky proces tregon që, Rama dhe qeveria e tij, përfshirë opozitën ndoshta të paligjshme në parlament, natyrisht edhe Rudina Hajdarin, nuk janë përfaqësues të besueshëm për popullin shqiptar dhe për bashkësinë ndërkombëtare. E për këtë arsye, ai thotë se kjo shkelje e kontratës nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij ka pasoja të rënda. Drafti i ri, në optikën e ekspertit gjerman, nuk është në përputhje me Evropën, bie në kundërshtim me standardet minimale demokratike, veçanërisht ndalimi i koalicioneve, një qasje tipike post-komuniste e shekullit XIX. E në këtë pikëpamje, Martin Henze thekson se Europa e të pamundur të negociojë me anti-demokratët. “Projekti i Ramës, Ballës dhe Hajdarit me projektligjin antidemokratik për ndryshimet kushtetuese, krijon kaos të plotë dhe i mbyll derën Shqipërisë për në BE, nëse zbatohet, për sa kohë që kjo qeveri “Rama” është në pushtet”, shprehet ndër të tjera, këshilltari gjerman i CDU-së, Martin Henze.

Intervista e plotë

Henze, pas miratimit të marrëveshjes për reformën zgjedhor me 5 qershor, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka vendosur të rrëzojë pakti me opozitën reale dhe të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Çfarë pasojash do të ketë ky vendim i Edi Ramës për integrimin në BE?

Henze: Deklarata e kryeministrit Rama më 10 korrik 2020 se ai do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që prishin marrëveshjen kombëtare midis opozitës së zgjedhur, të udhëhequr nga lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili përfaqëson mbi 50% të popullsisë elektorale, dhe e partisë qeverisëse të Ramës më 5 qershor, për reformën zgjedhore, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor, çon në diskutimin aktual.  Marrëveshja e 5 qershorit 2020 u negociua dhe u nënshkrua midis partisë në pushtet dhe opozitës së bashkuar të udhëhequr nga Lulzim Basha. Nuk mund të ndryshohet apo tjetërsohet. Sfondi i marrëveshjes të 5 qershorit, e cila u përmbyll nën kujdesin e BE-së dhe SHBA-së, është marrëveshja e 14 janarit 2020 mbi kornizën për bashkëpunim për reformën zgjedhore midis partisë në pushtet dhe opozitës së bashkuar.

Deklarata e kryeministrit Rama më 10 korrik se ai do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që do të prishin marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor erdhi një ditë pasi Rama njoftoi publikisht se nuk kishte mjaftueshëm vota në parlament. Por siç doli, kjo ishte e pavërtetë dhe u refuzua nga të ashtuquajturit deputetë parlamentarë të opozitës. Këta deputetë njoftuan se ishte arritur shumica e kërkuar. Ky ndryshim i papritur i Ramës erdhi pasi Partia Socialiste dhe përfaqësuesi i saj në Këshillin Politik kishin refuzuar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht çdo ndryshim në sistem, përfshirë propozimin për listat e hapura dhe propozimin për ndryshime në Kushtetutë, gjatë diskutimeve në Këshillin Politik, para dhe pas marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore. Sigurisht, këtu zbatohet edhe parimi “pacta funt servanda” që do të thotë se marrëveshja duhet të respektohet. Z. Rama nuk do të largohet nga marrëveshja e 5 qershorit 2020 aq lehtë. Një përfundim i njëanshëm i kontratës: nuk është i mundur. Ky proces tregon që, Rama dhe qeveria e tij, përfshirë opozitën ndoshta të paligjshme në parlament, natyrisht edhe Hajdari, nuk janë përfaqësues të besueshëm për popullin shqiptar dhe për bashkësinë ndërkombëtare. Është një shkelje e qartë e marrëveshjes nga qeveria Rama, Hajdari dhe bashkëpunëtorët e tyre. Çfarë thotë Shopenhauer për shkeljen e një marrëveshjeje: “Shkelja e kontratës është gënjeshtër, shmangie dinake, e rreme dhe e plotë e njërës palë”. Kjo shkelje e kontratës nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij ka pasoja të rënda.

Drafti i ri, që tani është para nesh, nuk është në përputhje me Evropën, bie në kundërshtim me standardet minimale demokratike, veçanërisht ndalimi i koalicioneve, një qasje tipike post-komuniste e shekullit XIX. Përjashton pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar nga procesi i formimit të mendimit, dhe ideja e ndryshimeve kushtetues është shkelje e hapur e kushtetutës, me fjalë të tjera, është çoroditje për drejtësinë që është e rëndësishme për Kodin penal, dhe popullin shqiptar, sovranin, por edhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka më asnjë besim në veprimet e Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij në parlament. Dhe cili është rezultati?! Zoti Rama e zonja Hajdari i kanë kthyer shpinën kombit shqiptar dhe Evropës, për të ardhmen. Më 10 qershor 2020 ata u bënë njerëzit e së shkuarës. Për më tepër, Kryeministri Rama përbën kërcënim, sepse ai akuzohet për korrupsion, mashtrim elektoral, formimin e një organizate kriminale, tradhti (negociatat me Serbinë) dhe shkelje e hapur e kushtetutës, si dhe shkelje të ligjit. Gjithashtu, diskutohet se ai ka qenë në burg në Francë për marrjen e mallrave të vjedhura dhe tregtinë e drogës në 1993/1994. Z. Rama bën akuza të pavërteta dhe kërcënon në rrjetet sociale. Më 11 korrik 2020, ora 12:53, duke iu drejtuar opozitës së bashkuar, e drejtuar nga demokrati Lulzim Basha, e indirekt edhe bashkësisë ndërkombëtare, pra SHBA, BE dhe Gjermani, që morën pjesë në marrëveshje për ligjin zgjedhor, shkroi: “… Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se….. ” Sigurisht, partia e Ramës ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit, nëse nuk dëshiron t’i përmbahet marrëveshjes. Z. Rama tani po tregon se kush është në të vërtetë, jo një patriot shqiptar, jo një qytetar i BE-së, një person që përfaqëson veten dhe interesat e tij.

Përveç pesë prioriteteve kryesore të formuluara nga Komisioni në progres-raportin për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit, OSBE / ODIHR dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës kanë formuluar rekomandime të qarta për reformën zgjedhore në 2013 dhe 2015. Këto do të të zbatohen përmes marrëveshjes së 5 qershorit 2020. Ato nuk do të zbatohen nga drafti i ri i Ramës dhe Hajdarit. Shkelja e kushtetutës dhe ndalimi i koalicioneve janë të papranueshme. Sipas dokumentit të BE-së, ekzistojnë 15 kushte shtesë përveç kritereve të Kopenhagenit, që përfshijnë: shtetin kushtetues, një ligj demokratik zgjedhor, zgjedhje të lira parlamentare dhe lokale dhe akuzat e anëtarëve të partisë qeverisëse, e cila bleu zgjedhjet parlamentare në 2017, u vendosën nga Bundestagu gjerman në shtator 2019 dhe u miratuan nga Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së janë të detyruara t’i përmbahen atij vendimi, prandaj nuk do të ketë hapje të negociatave. Sigurisht që Rama është në dijeni të vendimit dhe është njoftuar edhe zyrtarisht nga BE. Ambasadori gjerman në Tiranë gjithashtu i ka theksuar në mënyrë të përsëritur dhe të drejtë 15 kushtet ditët e fundit. Rama nuk ka bërë asgjë për këtë çështje që nga viti 2014. Shkelja e hapur e marrëveshjes së 5 qershorit për reforma zgjedhor, tregon pabesueshmëri, tregon se qeveria Rama nuk ka absolutisht asnjë interes që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.

Më shumë se 95% të shqiptarëve dëshirojnë të bëhen anëtarë të BE-së, është e qartë se qeveria Rama dhe përfaqësuesit e parlamentit, veçanërisht Hajdari, duket se nuk kanë më asnjë lidhke me kombin shqiptar. Është e qartë se duhet të bëhen ndryshime themelore në Shqipëri. Përveç kushteve që Shqipëria tani duhet të përmbushë një për një, ka një angazhim të gjerë për të bërë ndryshime thelbësore politike. Për këtë, Shqipërisë i duhet një sistem i paprekur politik, demokratik dhe ligjor, një ekonomi e paprekur, e rregullt dhe, më e rëndësishmja, konsensusi brenda shoqërisë, që të gjithë faktorët mungojnë aktualisht. Në këto kushte, nuk do të ketë negociata me BE. Gjithashtu, do të ketë pasoja të rënda për qeverinë Rama. Komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë që zoti Rama të vazhdojë kështu. Z. Rama i futi gozhdën e fundit arkivolit të tij politik më 10 korrik 2020. Ky është fundi i tij politik.

Anulimi i Edi Ramës i marrëveshjes me opozitën reale rrëzon dhe investimin e ndërkombëtarëve për të normalizuar situatën politike në Shqipëri. Do të lejojë BE-ja dhe Bundestagu gjerman që Edi Rama të veprojë edhe kundër tyre?

Henze: Zbatohet parimi: Pacta sunt servanda (marrëveshja vetëm respektohet). Ne dyshojmë shumë nëse Rama mund edhe ta anulojë “de jure” marrëveshjen e 5 qershorit. Nuk ka asnjë arsye për tjetërsim. Ajo është nënshkruar, certifikuar nga SHBA dhe BE. Ne nuk e dimë se për çfarë flasin në të vërtetë zoti Rama dhe zonja Hajdari, të paktën angazhimi i tyre nuk ka lidhje me realitetin. Nëse qeveria “Rama” nuk respekton marrëveshjen, nuk mund të ketë negociata me këto zonja dhe zotërinj. Besimi shkatërrohet përfundimisht. Qeveria është plotësisht e izoluar. Historia i ndëshkon ata që janë vonë, zoti Rama. Ambasadorja amerikane dhe BE janë shprehur shumë qartë se marrëveshja e 5 qershorit duhet të zbatohet. Z. Rama, Hajdari & Co. nuk kanë më asnjë mbështetje në këtë çështje. Në situatën aktuale ligjore dhe humbjen absolute të besimit të popullit shqiptar në vullnetin për reformën nga qeveria Rama, Hajdari & Co., duhet të  përqendroheni vetëm te demokracia, zgjedhjet e reja. Në këtë kontekst, më lejoni të vë në dukje sa vijon:

Qëllimi i kësaj reforme zgjedhore, që është gjithashtu një pikë thelbësore për fillimin e bisedimeve me BE-në, ishte parandalimi i manipulimit, si në zgjedhjet parlamentare të 2017, të iniciuara nga anëtarët e partisë qeverisëse, apo zgjedhjet e paligjshme lokale të 2019. Kjo është bërë me përdorimin e shtrëngimit shtesë nga bashkësia ndërkombëtare kundër qeverisë Rama, tani më 5 qershor 2020. Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të jenë të lirë dhe të barabartë të marrin pjesë në procesin demokratik. Kjo është me rëndësi të veçantë për Republikën e Shqipërisë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet liria përmes mungesës së mbizotërimit: Përgjigjet parimore për ruajtjen e lirisë, kemi parë, janë nga një grup i gjerë i mbrojtjeve procedurale, dhe nga një skemë akoma më e hollësishme, e krijuar për të siguruar se, në bërjen e zgjedhjeve thelbësore, procesi i vendimit do të jetë i hapur dhe i barabartë për të gjithë, dhe vendimmarrësit duhet të jenë përgjegjës për të mbrojtur interesat e të gjithë atyre. Reformat e mëtejshme duhej t’i liheshin parlamentit për t’i diskutuar. Qëllimi kryesor ishte parandalimi i manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme. Rezultati i ligjit zgjedhor duhej të realizohej e pakta një vit para zgjedhjeve të reja, pra data e vendimit në qershor 2020.

Projekti i Ramës, Ballës dhe Hajdarit me projektligjin antidemokratik për ndryshimet kushtetuese, krijon kaos të plotë dhe i mbyll derën Shqipërisë për në BE, nëse zbatohet, për sa kohë që kjo qeveri “Rama” është në pushtet. Rezultati i saj: Shqipëria nuk ka të ardhme. E drejta kushtetuese shqiptare i jep Gjykatës Kushtetuese bazën e ekzistencës dhe fuqinë e saj të vendimit. Në kushtetutë, Gjykata Kushtetuese dhe kushtetuta shqiptare formojnë një njësi simbiotike. Nuk ka kushtetutë funksionale pa mbrojtje, pa kujdestarinë, pa Gjykatën Kushtetuese. Por as Gjykatë Kushtetuese funksionale pa Kushtetutën shqiptare. Kushtetuta vendos shtetin ligjor në një “rend të bazuar në vlera”, të cilin Gjykata Kushtetuese duhet ta mbrojë kur një palë, siç është Rama, përpiqet të abuzojë me procedurat dhe institucionet demokratike me qëllim që të eliminojë demokracinë që po lufton, për të vendosur forma të papajtueshme të sundimit, siç është diktatura. Sundimi i ligjit zbatohet, ligji ka përparësi ndaj politikës, një marrëdhënie e qartë e nënshtrimit dhe epërsisë. Rama dhe Hajdari duket se nuk duan ta shohin këtë. Me këtë injorancë nuk ka hapje të negociatave me BE. Si mund të negociojë BE-ja me antidemokratët. Pritet një standard minimal, d.m.th., zbatimi i kritereve të Kopenhagës, plotësimi i 15 kushteve të Bundestagut gjerman dhe BE, rivendosje e sundimit të ligjit, zgjedhje në vitin 2020.

Prandaj, Gjykata Kushtetuese shqiptare ka për detyrë të përcaktojë përmbajtjen e normave kushtetuese në rast të mosmarrëveshjeve në mënyrë autoritative, të zhvillimit të mëtejshëm të ligjit kushtetues dhe të zbatimit të kërkesave e standardeve të ligjit kushtetues kundër vendimeve politike të parlamentit dhe qeverisë, kundër ushtrimit të administratës publike dhe kundër gjyqësorit. Vetë Gjykata Kushtetuese kontribuon në formimin e ligjit duke përcaktuar parimet juridike të Kushtetutës në përputhje me parimet e arsyetimit juridik. Në terma konkretë, për një ndryshim kushtetues, çdo dispozitë kushtetuese duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetë në përputhje me këto parime themelore kushtetuese dhe vendime themelore të ligjvënësit kushtetues. Për shkak të “unitetit të kushtetutës”, e cila duhet të presupozohet dhe që është e bazuar në “Vendimin e pushtetit të Kushtetutës”, kjo nuk çon në një hierarki të jashtëzakonshme të vetë dispozitave kushtetuese. Kjo do të thotë që kushtetuta shqiptare mund të ndryshohet vetëm nëse në të njëjtën kohë mund të garantohet mbrojtja e saj kundër veprimtarive të mundshme antikushtetuese të qeverisë dhe / ose parlamentit. Pra, ekziston ndarja e pushteteve, ai parim themelor demokratik. Thjesht, jo ligjërisht, i formuluar: Kushtetuta shqiptare mund të ndryshohet vetëm nëse një gjykatë kushtetuese është funksionale dhe mund të shqyrtojë këtë ndryshim. Në mungesë të një gjykate kushtetuese funksionale, Rama nuk mund të ndryshojë Kushtetutën. Nëse Qeveria e Ramës dhe / ose Parlamenti shqiptar ndryshojnë kushtetutën, vendoset një “ligj antikushtetues”.

Një veprimtari antikushtetuese e organeve nuk është në kushtetutë që të vlerësohet si një masë jokushtetuese ose një vendim ligjor i parlamentit për të ndryshuar kushtetutën. Një ndryshim kushtetues i paligjshëm, si ky që po ndërmerr Rama, është një veprim ligjor që nuk mbulohet nga dekreti ndryshues i Kushtetutës. Nëse Rama ndryshon kushtetutën shqiptare me anë të një dekreti parlamentar, ndryshimet kushtetuese të paligjshme janë të pavlefshme, pra ato nuk janë efektive. Qeveria duhet të japë dorëheqjen, parlamenti të shpërndahet dhe të mbahen zgjedhje të reja. Kjo rezolutë e përgatitur tregon, nga njëra anë, energjinë kriminale të qeverisë “Rama” dhe disa përfaqësuesve të parlamentit për të mosrespektuar kushtetutën dhe nga ana tjetër, tregon se qeveria Rama dhe përfaqësuesit e parlamentit duket se nuk kanë njohuri kur bëhet fjalë për respektimin e rregullave juridike. Kjo mund të shihet shumë mirë nga shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit 2020, por edhe nga qëllimi për të nisur ndryshimin e kushtetutës në mënyrë të paligjshme. Tani do të shohim diçka të ngjashme, të njëjtin model si me ligjet e tjera antikushtetuese. Nëse merret vendimi për të ndryshuar Kushtetutën, Presidenti i Republikës së pari duhet ta refuzojë këtë ligj. Nuk mund të përjashtohet që qeveria Rama e ka dëshiruar këtë situatë, sepse Rama dëshiron që të zhvillojë zgjedhjet e ardhshme sipas ligjit të vjetër zgjedhor, i cili lejon shumë hapësira për manipulim. Të mohosh se Shqipëria ka rënë në një krizë serioze, ndoshta edhe fatale, do të ishte të mbyllësh sytë nga realiteti, sepse Shqipëria aktualisht nuk ka shtet kushtetues e demokraci, se shqiptarët nuk e pranojnë këtë situatë dhe se Shqipëria po përballet me një humnerë ekonomike dhe juridike.

ADN-ja e Ramës nuk përmban asnjë informacion për respektimin e të tjerëve, lirinë, demokracinë dhe empatinë ndaj popullit shqiptar dhe asnjë vullnet për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE-së. Ekziston një emergjencë legjislative dhe kushtetuese në Shqipëri, sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve nuk funksionojnë dhe qeveria po shkel vazhdimisht parimet themelore kushtetuese, shto këtu edhe kaosin që qeveria Rama po krijon në keqmenaxhimin e pandemisë dhe duke shmangur çdo dialog demokratik dhe kompromis. Prandaj, shtrohet çështja nëse Presidenti i Republikës duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, të shpërndajë parlamentin menjëherë dhe të përgatitet për zgjedhje të reja. Shqipëria është në një gjendje të emergjencës legjislative dhe kushtetuese. Kjo plotësohet edhe me sulmet e vazhdueshme ndaj kushtetutës nga partia në pushtet. Në thelb, qeveria Rama është armiku i kushtetutës; në vendet e tjera partitë e tilla do të ndaloheshin. Shteti shqiptar është “de fakto” dhe “de jure” i paaftë për vepruar, i cili është në thelb në kundërshtim me Kushtetutën. Një qeveri vërtet demokratike duhet të sigurojë prosperitet, liri dhe paqe për sovranin, popullin dhe të mbështesë njerëzit në ushtrimin e të drejtave të tyre njerëzore.

Të gjithë kanë të drejta të patjetërsueshme që duhet të mbrohen, dhe kjo bëhet gjykata kushtetuese, nga Gjykata e Lartë, nga një shtyp i lirë dhe nga zgjedhje të lira e demokratike. Në një situatë ku shteti demokratik kushtetues, si në Shqipëri, nuk funksionon më dhe një qeveri vepron në mënyrë arbitrare, tentohet të parandalohet ligji zgjedhor demokratik që lejon votimin e lirë, të fshehtë dhe të barabartë dhe të kërcënohet rendi kushtetues, është detyrë kushtetuese Presidentit të Republikës të rivendosë funksionin mbrojtës të kushtetutës shqiptare dhe të shtetit kushtetues demokratik përmes zgjedhjeve të reja. Para këtij akti ligjor, Qeverisë duhet t’i kërkohet, për herë të fundit, të informojë Presidentin e Republikës në detaje brenda 24 orëve se si dhe kur Qeveria synon të rivendosë sundimin e ligjit jofunksional dhe demokracinë / ndarjen e pushteteve, për të përmbushur 15 kushtet e BE-së, për të zbatuar reformën zgjedhore të 5 qershorit dhe për të mbajtur zgjedhjet parlamentare e lokale në vitin 2020.

Shqipëria në 30 qershor 2019 bëri një palë zgjedhje të modelit komunist pa opozitën. A duhet të ketë reagim më të fortë nga ndërkombëtarët për të mos lejuar përsëritjen e një farse të tillë me zgjedhjet parlamentare në vitin 2021?

Henze: Pati një dekret kushtetues të presidentit sipas nenit 93 të kushtetutës dhe pas kësaj data e zgjedhjeve ishte në tetor të 2019 dhe jo 30 qershori. Për sa kohë që gjykata kushtetuese nuk e shfuqizon dekretin e presidentit Meta, atëherë dekreti kthehet në ligj dhe e detyron Qeverinë Rama ta zbatojë atë. Pra, zgjedhjet lokale të 2019 ishin të paligjshme. Zgjedhjet ishin zgjedhje të komitetit të brendshëm të partisë qeverisëse, zgjedhje njëpartiake, e cila më pas pushtoi në mënyrë të paligjshme të gjitha funksionet lokale, por jo zgjedhjet lokale. Bashkitë e uzurpuara aktualisht drejtohen nga kryetarët e paligjshëm të qeverisë Rama. Shumë kryetarë bashkie dhanë dorëheqjen, kështu që u desh të hiqnin dorë sepse kishin mbajtur sekret të kaluarën e tyre kriminale, të gjithë miqtë e partisë së Ramës. Një situatë e turpshme për Shqipërinë.

Zgjedhjet nuk u monitoruan nga asnjë autoritet serioz, shumë e anuluan misionin e tyre vëzhgues sepse nuk donin të merrnin pjesë në zgjedhje të brendshme të një partie qeverisëse. Vetëm disa përfaqësues nga OSBE ishin në vend. Raporti i OSBE-së për këto zgjedhje vërteton kaosin dhe procesin antidemokratik, si dhe rezultatin. Siç u tha tashmë, Shqipëria nuk ka asnjë shans tjetër të shpëtojë nga kaosi përveçse zgjedhjeve të reja në vitin 2020, nuk ka kohë për eksperimente. Pas këtij procesi, qeveria duhet të japë dorëheqjen për aktivitete antikushtetuese dhe një datë e re zgjedhjesh duhet të caktohet në vjeshtë. Kjo gjithashtu siguron dhe garanton qasje në BE.

Nëse zoti Rama mendon se ka zbatuar një politikë fantastike gjatë viteve të fundit, që e ka bërë Shqipërinë të lulëzojë, nuk duhet të ketë frikë nga zgjedhjet. Ai duhet të jetë i kënaqur që ka rastin për të konfirmuar sukseset e tij nëse shqiptarët e rizgjedhin me zgjedhje të ndershme e demokratike. Etërit dhe nënat shqiptare, nga malet e Shqipërisë së veriut, nga brigjet e jugut, nga kufiri me Kosovën dhe Maqedoninë, nga qendra e Shqipërisë, tani duhet të kërkonin me guxim për brigje të reja, duke u dhënë vajzave dhe djemve të tyre një të ardhme në Shqipëri dhe Bashkësinë europiane.

Përktheu dhe përshtati në shqip: Lindita Kokoli

Leave A Reply

Your email address will not be published.