Humbi nënën, Rama: Mund të derdhësh lot pse iku, ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi

0 17

Nga: Edi Rama

Mund të derdhësh lot pse iku Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi.

Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë.

Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të.

Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të.

Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të.

Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara.

***Edhe në emër familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.

Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.