Inceneratorët që po djegin mbetjet e opozitarizmit

0 229

Dy ngjarje që u zhvilluan pothuajse paralelisht ditët e fundit, ngërthejnë në mënyrë perfekte paradoksin e opozitës zyrtare. Fjala është për intensifikimin, në njërën anë, të denoncimeve nga deputetët që përfaqësojnë PD-në e vulës, në komisionin hetimor për inceneratorët dhe nga ana tjetër, bashkimin e votave me Edi Ramën që bënë 38 prej tyre, duke zgjatur mandatin e trupës të vettingut.

Në pamje të parë të duket sikur kemi të bëjmë me dy opozita të ndryshme. Puna që po zhvillon komisioni i inceneratorëve për të zbardhur një grabitje spektakolare do të ishte e mjaftueshme, jo vetëm për shembur çdo qeveri, por edhe për të hapur dyert e burgjeve katër kanat. Nën drejtimin dhe me bekimin e Edi Ramës, një grup i strukturuar, i ka dhënë pak njerëzve që sot janë në arrati, miliona euro nga buxheti i shtetit, për tre inceneratorë që ende gjashtë vite nga fillimi i këtij projekti, nuk kanë punuar një ditë të vetme.

Faktet që po zbardhen përditë të trondisin. Vetë pesonalisht i ndoqa me vëmendje denoncimet e panumërta që u bënë në komisionin hetimor, për inceneratorin e Tiranës. Erion Veliaj jo vetëm ka nënshkruar në kundërshtim me ligjin për ti hapur rrugë skemës së ‘Integrated Energy BV”, duke rëmbyer një tagër që nuk i takon, atë të Këshillit Bashkiak, por vazhdon i paguan kompanisë tarifën e incenerimit të mbledhur nga xhepat e kryeqytetasve, ndërkohë që plehërat vetëm groposen. Nga ana tjetër, ai nuk e ka çuar ndërmend ta gjobisë koncesionarin për punët e pa realizuara, pavarësisht se kontrata e parasheh një gjë të tillë. Ai vazhdon të furnizojë një projekt, që ndonëse u miratua me shifër të gënjeshtërt (do të kushtonte vetëm 90 milionë euro), do të rëndojë mbi xhepat tanë me më shumë se katërfishin e këtyre parave.

Pra, mjafton qoftë edhe ky shembull, për të pohuar se PD-ja e vulës po e kryen me nder betejën e saj ligjore dhe misionin e saj moral. Por fatkeqësisht, e vërteta është krejt tjetër dhe këtë na e dëshmoi ajo që ndodhi të enjten e kaluar. Në momentin kur kjo opozitëu shkri si një grup i vetëm me rilindjen, njësoj si në parlamentin e shkuar monist, atëhere kur pranoi të votojë pro mitrës prej nga lindin të gjitha mëkatet e reformës në drejtësi, ajo  nuk asgjesoi vetëm vetveten, ajo u shndërrua në elementin që shumëzon me zero kontributin e secilit faktor opozitar në këtë vend. Sepse fabula është e thjeshtë. Denoncimet nuk kanë vlerë në vetvete. Ato janë të gjitha dallgë që shërbejnë, në fund, për të ngritur cunamin e shkatërrimit të një qeverisjeje të koruptuar.

Por, kur vjen ky moment, Basha dhe njerëzit e tij sillen si ai lojtari që humbet penalltinë e minutës së fundit.

Pra pyetja që shtrohet pas asaj që kemi përjetuar këto ditë është: ç’kuptim ka të tregosh me fakte vjedhjen, kur ti e amniston me votë atë sistem drejtësie që do ta kamuflojë këtë vjedhje? Ose më tej: sa efikase është denoncosh bandën Rama & Co, kur në aktin final të votimit ti bëhesh njësh me ta?

Për të justifikuar kartonat jeshilë të parlamentarëve të vet pro katrahurës së reformës në drejtësi, Basha u rek të argumentonte se, ndonëse janë ende shumë pak, dy ministra të Edi Ramës gjenden sot në burg. Pra nënteksi që ai la të kuptohet ishte se drejtësia, mirë apo keq, ka filluar të funksionojë. Ai kërkoi të shesë optimizmin naiv të atyre që duan ta shohin gotën gjysëm plot.

Në fakt, llogaria me këtë katrahurë që po i nxjerr bojën SPAK-ut të ambasadorëve nuk bëhet sipas kriterit se sa kanë përfunduar në qeli, por me atë se sa nga ata që e meritonin prej kohësh të qenë aty, bëjnë varavingo akoma jashtë.

Pikërisht kjo lloj llogjike, të të kënaqurit me rezultatet sa për sy e faqe, të të bërit betejë sa për të siguruar një alibi, shpjegon dhe paradoksin që vumë re ditët e fundit.

Duke mbrojtur, paralelisht me denoncimin e vjedhjeve, badigardët e hajdutëve në drejtësinë e re, opozita e vulës aktroi një film të keq, të parë disa herë me radhë. Sjellja e saj qe njësoj si futja në koalicion pas çadrës në 2017, si tryeza me Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin pas bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve, si marëveshja e 5 qershorit pas protestave me molotov.

Ato të gjitha i përngjajnë fabulës së zjarrfikësit që shuan flakën që ka ndezur vetë.

Prandaj, këtë herë, zelli që po tregon PD-ja e vulës në komisionin hetimor për inceneratorët nuk mund ta fshehë aspak mëkatin e pashlyeshëm të votës për zgjatjen e mandatit të vettingut.

Kësaj fabule i ka dalë boja. Ajo tani po djeg të gjithë ata opozitarë që shtiren sikur ndeshen me krimin, por në fakt kërkojnë kushte më të favorshme në një pakt të ri me të.

Leave A Reply

Your email address will not be published.