Inflacioni që po godet botën dhe ekonomia shqiptare

0 33

“Consensus Economics” është një kompani 30 vjeçare në Britani që furnizon qeveritë e korporatat e botës me informacion të dedikuar ekonomik.

Të dhënat e tyre janë përpunuar nga Financial Times dhe në një hartë globale në punë sekondash mund të shohësh lehtë se si shtete të ndryshme po vuajnë pasojat e rritjes së çmimeve të produkteve të shportës. Dhe qeveritë si dhe bankat qendrore kudo janë duke reaguar për të frenuar këtë “sëmundje” ekonomike e cila godet kryesisht shtresat e varfra por që në në një periudhë afatgjatë mundet të frenojë rritjen ekonomike dhe të çojë në papunësi të lartë.

Por si arritëm që në SH.B. A të kemi inflacion 8.6%, Gjermani 7.9%, Mbretëri e Bashkuar 9%, Serbi 9.6%, Bosnjë Herzegovinë 13.2%, Shqipëri 6.7% e Turqi 73.3%? Si ka mundësi që në pak muaj të gjitha ekonomitë e botës po përballen me një sfidë që mendohej se I përkiste historisë së librave ekonomikë dhe çfarë duhet të dimë për ekonominë Shqiptare?

Së pari, ashtu sikundër shihet nga të dhënat më sipër rritja e çmimeve në Shqipëri nuk është një sëmundje lokale dhe pasojë e ndonjë politike ekonomike të gabuar të brendshme. Kjo nuk e përjashton qeverinë dhe shtetin shqiptar të marrë masa për pasojat e rritjes së çmimeve por është thelbësore për të kuptuar se inflacioni vjen I importuar nga jashtë dhe në periudhën afatshkurtër opsionet e politikave ekonomike janë të limituara për të adresuar problemin e rritjes së çmimeve.

Në këtë kohë Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kaluar një paketë sociale e cila amortizon efektin e rritjes së çmimeve për 576 mijë qytetarë të cilët janë me të ardhura të ulëta duke iu ofruar 9000 mijë lek për tre muaj dhe po ashtu duke ofruar 28 miliardë lekë mbështetje për energjinë elektrike duke bërë që askush, sidomos shtresat e varfra, të cilat ngrohen e gatuajnë me energji elektrike të mos cënohen nga rritja e çmimeve ndërkombëtare. Duhet theksuar se këto janë politika të përkohshme që adresojnë pasojat sociale të rritjes së çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëseve të qytetarëve por nuk janë politika që mundet të ndiqen afatgjatë dhe për më tepër nuk ndryshojnë dot trendin e inflacionit. Por si do mundet inflacioni të mbahet në kontroll në vendin tonë?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të kuptojmë që inflacioni është kryesisht pasojë e politikave monetare ose e thënë ndryshe e sasisë së parasë që është në qarkullim në ekonomi në krahasim me sasinë e mallrave që janë në dispozicion. Gjatë pandemisë vendet e zhvilluara ndoqën politika për t’I ardhur në ndihmë ekonomisë duke dhënë para në dorë për qytetarët dhe bizneset me vlerë 5 trilion dollarë vetëm në Sh.B.A si dhe bankat qendrore rritën ofertën e parasë në ekonomi nëpërmjet politikës së “lehtësimit sasior”; praktikisht Bankat qendrore printonin para për të blerë bono qeveritare. Ndaj sot me hapjen e ekonomisë botërore post-covid ekonomitë e zhvilluara mundet të rindiznin ekonomitë e tyre me shpejtësi dhe me shumë para nëpër duar. Kërkesa u rrit njëkohësisht për produkte anembanë botës por oferta e produkteve dhe shërbimeve ishte e kushtëzuar me sasi fizike të limituara dhe nuk u përgjigj dot në kohë. Dhe nga shtatori I vitit 2021 e deri në muajt aktual çmimet kanë njohur vetëm rritje pasi sasia e parasë në ekonominë botërore është shumë më e lartë se para pandemisë dhe kërkesa për produkte vetëm u rrit. Duke ditur këtë fenomen Bankat Qendrore kudo duan ta bëjnë koston e parasë më të shtrenjtë dhe për këtë arsye kanë filluar të rrisin normat e interesit. Kështu qytetarët kudo në vendet e zhvilluara do ta kenë më të shtrenjtë për të paguar kredinë e shtëpisë, firmat do e kenë më të shtrenjtë për të marrë hua për të zgjeruar aktivitetin ekonomik dhe po ashtu qeveritë do e kenë më të shtrenjtë koston e marrjes së huas. Disa do të kursejnë më shumë dhe në muajt në vijim kërkesa agregate botërore për mallra e shërbime do të ngadalësohet duke bërë që dhe çmimet të bien. Ky është trendi global I pritshmërive ekonomike dhe në bazë të këtyre zhvillimeve është pozicionuar dhe ekonomia shqiptare për të marrë masat e saj.

Shqipëria sot ka një borxh publik të rritur që pas tërmetit të vitit 2019 dhe më pas të politikave ekonomike të ndjekura gjatë pandemisë për të amortizuar efektet negative të mbylljes. Ndaj me sfida financiare ndërkombëtare në rritje e me një luftë që kushtëzon furnizimin me energji e grurë Europën nuk është rastësi që FMN vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për të mos bërë pezullime të përkohshme të taksave për energjinë apo naftën. Rritja e normave të interesit ndërkombëtare për shkak të inflacionit do të sjellin dhe rritje të kostos së marrjes hua të vendit apo të rifinancimit të borxhit në muajt apo vitet e ardhshme. Këto janë ujëra të turbullta në financat botërore dhe duhet kuptuar që në ekonomi tregu nuk ka “drekë falas”.

Ndaj pavarësisht këtyre sfidave të ekonomisë botërore që do të përplasen dhe në brigjet e ekonomisë sonë politikat ekonomike tona duhet të vazhdojnë në krahun e përmirësimit të produktivitetit të ekonomisë dhe të asaj që njihet si politika të krahut të ofertës. Ulja dhe kontrolli I borxhit publik mbeten prioritete por pa hequr dorë nga investimet në përmisim të infrastrukturës si dhe të sigurisë energjetike. Politikat për shërbime të digjitalizuara janë drejt përmirësimit të shërbimit publik dhe po ashtu investimet në arsim profesional dhe në investim në biznese në “start-up” janë kahu I duhur për brezat e rinj të cilët lundrojnë në një ekonomi globale dhe që mundet të ofrojnë shërbime ICT në një mjedis fiskal që I favorizon. Po ashtu rritja e rendimentit të firmave vendase është në fokus të politikave ekonomike ku MFE po harton për herë të parë një strategji për nxitjen e eksporteve vendase dhe politikave të duhura në përmirësim të këtij objektivi. Politikat e lëvizjes së lirë të mallrave dhe kapitalit me vendet e Ballkanit nëpërmjet Open Balkan janë po ashtu në favor të një tregu më të madh e më konkurrues që do të nxisë bizneset vendase drejt tregjeve të reja. Po ashtu politikat fiskale për agroturizmin si dhe për investimet strategjike në turizëm do të japin efeket e tyre në vitet që vijnë ku mbi 2 miliardë euro investime janë projektet e aprovuara në këto fusha. Ndaj pavarësisht ndryshimeve të kushteve të ekonomisë botërore Shqipëria mbetet e pozicionuar mirë për të arritur rritje të qëndrueshme ekonomike e cila do të cojë në rritje të punësimit si dhe në paga më të larta për qytetarët. Këto objektiva nuk arrihen brenda një muaji apo brenda vitit ndaj dhe sfidat e rritjes së cmimeve duhet të na vendosin në më shumë presion për përmirësimin e klimës së të bërit biznes si zgjidhja afatgjatë e problemeve ekonomike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.