Integrimi në BE, Balla: Arritjet tona janë vlerësuar në mënyrë unanime nga të 27 anëtarët e BE

0 161

U mbajt sot në Kuvendin e Shqipërisë takimi i 14-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, Bashkimi Europian- Shqipëri. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq afër ndërmarrjes së hapit më të rëndësishëm atij të vendosjes së marrdhënieve me Bashkimin Evropian.

Balla u shpreh se qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur të vijojë të arrijë rezultate të qëndrueshme në lidhje me prioritetet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe reformën në administratën publike.

“Viti 2021, ka qenë një vit dinamik. Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq afër ndërmarrjes së hapit më të rëndësishëm të marrëdhënies me Bashkimin Evropian. Nën prizmin e aspiratave tona, mosrealizimi i pritshmërive ka qenë i lidhur ngushtë edhe me mosmarrëveshjen ende të pazgjidhur mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Arritjet tona janë pranuar dhe vlerësuar në mënyrë unanime nga të 27 anëtarët e BE. Mundësitë tona për të avancuar në bazë të meritave tona të përmbushjes së kërkesave të Këshillit për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare nuk kanë qenë kurrë më të mëdha e megjithatë, ne vazhdojmë të mbetemi një dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari-Maqedoni e Veriut.

Përgjatë vitit 2021, Bashkimi Evropian ka vazhduar të tregojë dedikim dhe përkushtim ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Ndihma dhe mbështetja financiare e teknike për rajonin dhe Shqipërinë, në përballimin e pasojave të krizës së Covid-19, ka vazhduar përgjatë të gjithë vitit, duke konfirmuar edhe njëherë se Unioni është dhe do të vazhdojë të jetë një partner strategjik dhe i besueshëm për ne. Qeveria shqiptare ka vazhduar me përkushtim dhe dedikim zbatimin e programit ambicioz të reformave gjithëpërfshirëse, duke përmbushur kërkesat nga Këshilli për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por edhe një numër reformash të tjera.

Në planin e brendshëm, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mund të arrihet vetëm përmes reformave transformuese dhe të pakthyeshme për konsolidimin e demokracisë, respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe funksionimin e ekonomisë së tregut.

Bazuar në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020, është ndjekur zbatimi i Planit të Veprimit për përmbushjen e kërkesave të Këshillit të marsit 2020, i dakordësuar në Kuvend në qershor 2020. Në planin e brendshëm të reformave, janë bërë hapa të mëdha përpara dhe janë prodhuar rezultate dhe historik arritjesh në të gjitha kërkesat e vendimit të marsit 2020, për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur të vijojë të arrijë rezultate të qëndrueshme në lidhje me prioritetet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe reformën në administratën publike”, është shprehur Balla.

Përsa i përket reformës në drejtësi, Balla shprehet se Shqipëria vazhdon të zbatojë një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse ndërsa procesi i vettingut ka ecur në mënyrë të qëndrueshme, si dhe ka vazhduar të japë rezultate të prekshme.

“Institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi janë tashmë plotësisht funksionalë dhe kanë treguar angazhim dhe rezultate të qarta në përmirësimin e transparencës, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit në sistemin e drejtësisë. Të gjitha gjykatat, si dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë gjithashtu funksionale. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ajo aktualisht përbëhet nga 7 anëtarë nga 9 gjithësej. Pas përfundimit të procedurave të verifikimit të KED në dhjetor 2020, u emëruan tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, dy nga Presidenti i Republikës dhe një nga Kuvendi ndërsa, sa i përket Gjykatës së Lartë, viti 2020 shënoi rifillimin e punës së kësaj gjykate me emërimin fillimisht të 3 anëtarëve jo gjyqtarë dhe më pas me emërimin e 6 anëtarëve të tjerë të rinj nga radhët e gjyqësorit në periudhën mars dhe korrik 2021. Funksionimi i plotë i saj mbetet prioritet jo vetëm për Këshillin e Lartë Gjyqësor por edhe për të gjithë sistemin gjyqësor. Plotësimi i vakancave të këtyre dy gjykatave ka rezultuar në shqyrtimin dhe reduktimin e numrit të ceshtjeve të prapambetura. Procesi i vettingut ka ecur në mënyrë të qëndrueshme, si dhe ka vazhduar të japë rezultate të prekshme. Në përgjithësi, 61% e dosjeve të vettingut të përpunuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime apo dorëheqje vullnetare nga vlerësuesit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjykuar në total 488 gjyqtarë, prokurorë dhe subjekte të tjera të vettingut, 181 gjyqtarë, prokurorë dhe subjekte të tjera të vettingut janë shkarkuar nga detyra dhe 75 kanë dhënë dorëheqjen. Nga 251 çështje të regjistruara, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka gjykuar për 126 çështje, duke lënë në fuqi vendimin e KPK-së në 92 raste. Nga 805 subjekte të vlerësuar gjithsej, KPK ka nisur zyrtarisht hetimet për 767 të vlerësuar sipas performancës së lotit dhe 34 të vlerësuar, të cilët gjykohen në Dhomë gjykimi në bazë të dokumentacionit.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi zgjatjen e mandatave të organeve të Vetting-ut deri në fund të vitit 2024”, ka thënë Balla.

Përsa i përket luftës ndaj korrupsionit Balla është shprehur se në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, në tetor 2021, Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e Drejtorisë së parë të Përgjithshme të Antikorrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë, si një strukturë unike që vepron në nivel kombëtar për koordinimin e luftës kundër korrupsionit. “Kjo Drejtori do të ketë burime njerëzore shtesë dhe do të jetë e përkushtuar për të përmbushur sa më mirë të gjitha funksionet e KKKK. Misioni i kësaj strukture është të kryejë verifikimin (hetimin administrativ) të denoncimeve/ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare.
Që nga miratimi i VKM-së, në periudhën tetor 2021 deri në dhjetor 2021, janë kryer hetime administrative në 8 institucione, janë propozuar 34 masa administrative dhe janë bërë 9 kallëzime penale. Angazhimi në luftën kundër korrupsionit në administratën publike u dëshmua me miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Luftën kundër Korrupsionit.

Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe forcave policore të shteteve anëtare në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikimin e drogës, dhe pjesëmarrja në disa operacione të përbashkëta të suksesshme policore, me fokus goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, falsifikimin e dokumenteve të identitetit, trafikimit të emigrantëve etj, vazhdon të vlerësohet”, thotë Balla.

Balla ne fjalën e tij theksoi se qeveria shqiptare vazhdon të zbatojë procesin e saj shumë ambicioz të reformave të ndërmara.

Leave A Reply

Your email address will not be published.