Jam përballur dikur me Putinin, çfarë duhet për ta mposhtur këtë despot brutal

0 43

Nga Viktor Jushchenko “The Guardian”

Maksym Kurochkin është dramaturg. Prej gati 3 vitesh, ai dhe 20 dramaturgë të tjerë ukrainas po punonin për të ndërtuar një teatër të ri në zemër të Kievit të Vjetër. Ata gjetën një strukturë të vjetër, të cilën nisën ta rikonstruksionin për të ndërtuar dhe inauguruar aty teatrin e dramaturgëve më 12 mars të këtij viti.

Por më 24 shkurt, Maksym dhe kolegët e tij u zgjuan nga zhurma e tmerrshme e bombave ruse. 12 marsi erdhi dhe iku. Në vend se të planifikojë një hapje madhështore të teatrit të ri, Maksym po shqyrton tani strategjitë ushtarake për të mposhtur pushtuesit rusë. Në vend të stilolapsit ai mban në dorë një armë.

Janë mbushur 2 muaj qëkur ushtria ruse kaloi ilegalisht kufijtë tanë. Që nga ajo kohë rusët kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të pushtuar Ukrainën. Një pjesë e arsyes së dështimit të tyre, është se ata nuk prisnin të ndeshnin një rezistencë kaq të ashpër dhe heroike, si nga ushtria jonë e sofistikuar, ashtu edhe nga mbrojtësit e territorit si Maksym, të cilët, kur u përballën me realitetin e pushtimit rus, vendosën të rrëmbenin armët dhe të luftonin.

Shumë nga këta mbrojtës të guximshëm të territorit, përfshirë edhe vajzën time, e cila u regjistrua menjëherë sapo nisi lufta, nuk kanë pasur kurrë ndonjë trajnim ushtarak, apo të kenë qenë pjesë e konflikti me armë.

Histori si ajo e çiftit të ri që e shtyu dasmën për t’iu bashkuar forcës së mbrojtjes territoriale, apo e humoristit që zakonisht i ndihmon veteranët të kapërcejnë traumat e tyre, por që ka vendosur të bëhet vetë luftëtar, dëshmojnë shpirtin e pathyeshëm të ukrainasve. Mjerisht, disa nga këta mbrojtës janë vrarë në luftime.

Të tjerët janë torturuar dhe vrarë në qytete si Bucha, Kharkiv dhe Mariupol. Ne nuk do ta dimë më saktësi se sa nga qytetarët tanë kanë vdekur, derisa të rihapim varrezat masive, dhe të pastrojmë rrënojat e qyteteve tona të rrafshuara nga bombardimet.

Sado tronditëse që janë këto histori, kjo është pikërisht ajo që duhet të presim nga ushtria brutale ruse e udhëhequr nga diktatori Vladimir Putin. Unë e kam takuar Putinin për herë të parë në vitin 2000, kur të dy ishim kryeministra të vendeve tona përkatëse.

Vetëm kur unë garova për presidentin e Ukrainës në vitin 2004, ai bëri një fushatë aktive kundër meje. Në atë kohë u bë i qartë, se ai ishte i gatshëm të bënte çdo gjë për të arritur atë që donte. Por unë nuk mund të lejoja që të më pengonte kjo gjë.

Pasi fitova zgjedhjet, e kuptova se duhej të përpiqesha të mbaja një marrëdhënie funksionale me të, si udhëheqës i fqinjit tonë në lindje. Por Putini me të cilin takohesha atëherë, nuk ekziston më. Që nga ajo kohë ai është shndërruar në një despot krejtësisht të izoluar dhe brutal, që nuk duron dot asnjë zë kundër.

Një nga armët më të mëdha që kemi tani kundër Putinit, është solidariteti dhe mbështetja ndërkombëtare. Kjo është diçka që atë e shqetëson vërtet. Unë e di që teksa lajmet për luftën tonë u bënë tituj kryesorë në mbarë botën dhe dominuan diskutimet globale për disa javë, interesi mbi historitë e mbrojtësve tanë territorialë ka filluar të zbehet.

Lodhja me tmerret e luftës është për fat të keq e zakonshme. Ne e pamë këtë me Sirinë, Jemenin dhe Donbasin. Por ne në Ukrainë, nuk kemi luksin të ndihemi të lodhur, përndryshe rrezikojmë ta humbasim fitoren. Forca jonë është tani më e rëndësishme se kurrë.

Megjithëse po ndodhin tërheqje të trupave ruse në disa zona, ne dëgjojmë edhe raportime se trupat ruse po rigrupohen, dhe po planifikojnë ta vazhdojnë sulmin e tyre. Pikërisht tani,ne duhet të tregojmë vendosmërinë maksimale për ta fituar këtë luftë. Por s’mund ta bëjmë dot këtë pa mbështetje nga jashtë.

Kjo luftë është një moment përcaktues, jo vetëm në historinë e Ukrainës, por në mbrojtje të demokracisë. Ky nuk është vetëm një konflikt rajonal midis Ukrainës dhe Rusisë, por një luftë kundër tiranisë dhe imperializmit. Ushtria jonë vazhdon të ketë nevojë për armë dhe ndihmë ushtarake nga të gjithë aleatët tanë.

Po ashtu ne kemi nevojë për ndihmë në para, që të mbyllim të cacrat që ka krijuar kjo luftë në ekonominë tonë dikur të fortë. Udhëheqja jonë nuk është vetëm në ballë të luftës kundër Rusinë. Ajo po lufton edhe në prapavijë, në zyrat dhe sallat e institucioneve ndërkombëtare për të siguruar nga aleatët mbështetjen që na nevojitet, me synim rivendosjen e paqes dhe lirisë në Ukrainë.

Njëherazi, ne kemi një ushtri vullnetarësh, e cila vazhdon t’i furnizojnë mbrojtësit tanë territorialë me pajisjet e duhura për të vazhduar luftën në vijën e parë të frontit. Fatmirësisht, organizatat e shoqërisë civile si Kongresi Botëror i Ukrainës kanë punuar pa u lodhur për të siguruar një rrjedhë të qëndrueshme të furnizimeve jo ushtarake për mbrojtësit tanë.

Po ashtu, ata kanë bërë një përpjekje të madhe për të mbrojtur dërgesat me armë të aleatëve tanë, që na duhen aq shumë. Ndërkohë aleatët po vendosin bllokadën ekonomike dhe sanksionet e nevojshme për të mposhtur agresionin rus. Mbrojtësit tanë do të vazhdojnë të luftojnë derisa të arrijmë përfundimisht fitoren, ndërsa mbështetësit tanë nëpër botë do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden që t’i ndihmojnë ata.

Unë besoj fuqimisht se fitorja e Ukrainën është e pashmangshme. Kur ukrainasit e zakonshëm heqin dorë nga gjithçka për të luftuar për lirinë dhe dinjitetin e tyre, fitorja është e vetmja mundësi.

Unë mezi pres ditën kur kjo luftë të përfundojë, dhe kur Maksym dhe kolegët e tij do të jenë në gjendje ta hapin teatrin e tyre dhe të vënë në skenë drama të reja të shkruara nga dramaturgë të guximshëm dhe sfidues, të cilët do të fokusohen jo tek propaganda, por te zërat dhe idetë e tyre. Sot ne po luftojmë për liri. Nesër do të shohim shfaqjet e dramaturgëve tanë që e fituan këtë liri, duke ia bërë të qartë të gjithëve se çfarë do të thotë të jesh ukrainas.

Leave A Reply

Your email address will not be published.