Ju vdes babai në Spitalin Infektiv, policia i padit penalisht vajzat

0 281

Policia e Shtetit ka nisur sot procedim penal për dy vajzat e Rifat Lalos, personi që humbi jetën në Spitalin Infektiv dy ditë më parë. Vajzat e të ndjerit deklaruan në media se i ati i tyre nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe ndërrojë jetë në hyrje të spitalit. Policia thotë se dy vajzat kanë përhapur informacione të rreme.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E.L dhe I.L. sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M.Q, me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Vajzat e Rifat Lalos deklaruan se nga komunikimet më të atin, kur ishte në spital, ai u kishte thënë se nuk kishte marrë asnjë mjekim dhe as skaner. Ky denoncim publik ka shërbyer për padinë penale ndaj vajzave duke shënuar një rast të paprecedentë, ku veç humbjes së jetës së të afërmit, vajzat duhet të përballen dhe me hetimin e prokurorisë.

Rifat Lalo është vëllai i ish-deputetit të PD-së, Vili Minarolli. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama edhe pse bëhej fjalë për një person që ka ndërruar jetë, tha se akuzat e familjarëve ishin politike. Një ditë më parë, për rastin e Rifat Lalos, Edi Rama tha se ”njerëzve iu dha informacion gjysmak si ato dy zonjat që qanë për humbjen e babait te spitali. QSUT e tha se çfarë kishte ndodhur se nuk kishte asnjë të vërtetë në atë deklaratë dhimbje dhe partie”.

Pas deklaratës së Ramës që e cilësoi humbjen e jetës së një njeri si “dhimbje partie” duket se Policia e Shtetit ka marrë kurajën që të nis procedimin duke shënuar një rast të paprecedentë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.