Katari merr pjesë në Sesionin e 9 të Forumit Arabo-Kinez

0 303

Shteti i Katarit mori pjesë në sesionin e 9-të të forumit arabo-kinez në nivel ministror, i cili nisi punimet e tij dje përmes video-konferencës. Delegacioni i Katarit u kryesua nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. Gjatë seancës, Shteti i Katarit tha se bashkëpunimi arabo-kinez është i bazuar në interesa reciproke, me histori të gjatë dhe pikëpamje konvergjente në lidhje me shumë çështje globale, duke theksuar se prosperiteti dhe siguria e botës arabe dhe Kinës kërkojnë rritjen e bashkëpunimit dhe veprimit gjithëpërfshirës përmes forcimit të institucioneve dhe projekteve të përbashkëta, për t’i shërbyer kauzave të popujve dhe arritjes së paqes rajonale dhe globale. Ndryshimet e shpejta dhe sfidat me të cilat përballet bota sot na obligojnë të punojmë së bashku për rirregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare sipas një vizioni të bazuar në bashkëpunim, solidaritet dhe bashkëjetesë midis popujve.

Vizioni i Katarit është që vetëm paqja mund të çojë në një të ardhme premtuese, stabilitet dhe zhvillim botëror.
Katari afirmoi se kauza palestineze mbetet në krye të axhendës së përbashkët midis botës arabe dhe Kinës, ndërsa vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të Republikës së Kinës për të mbrojtur palestinezët dhe të drejtat e tyre legjitime për liri dhe përfundimin e okupimit izraelit. Kjo kërkon që komuniteti ndërkombëtar të përmbushë përgjegjësitë e tij në arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, në përputhje me rezolutat ndërkombëtare dhe parimin e një zgjidhje me dy shtete.

Procesi i ngecur në rajon është rezultat i mosrespektimit të vazhdueshëm nga Izraeli ndaj konventave dhe normave ndërkombëtare. Këmbëngulja e Izraelit në praktikat dhe shkeljet flagrante që bien ndesh me dispozitat e ligjit ndërkombëtar, godasin besueshmërinë e komunitetit dhe institucioneve ndërkombëtare, shtoi delegacioni i Katarit. Zgjidhja politike konsiderohet nga Katari si mënyra e vetme për të dalë nga kriza e tejzgjatur siriane me të gjitha pasojat e saj humanitare dhe ekonomike që kanë kapërcyer kufijtë e Sirisë, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë përpjekje për të adresuar katastrofën siriane dhe ndërlikimet e saj dhe për të ruajtur unitetin, integritetin dhe sovranitetin e Sirisë. Shteti i Katarit theksoi se situata në Libi ka hasur shumë sfida. Angazhimi i të gjithëve duhet të përtërihet për të mbështetur arritjen e stabilitetit dhe për të inkurajuar dialogun politik midis palëve, në përputhje me aspiratat e populli libian.

Ndërsa për krizën jemenase, delegacioni katarian tha se “Të gjithë jemi të shqetësuar për ngërçin politik për zgjidhjen e kësaj krize që ka përshkallëzuar në vrasje, sabotim dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore dhe kapaciteteve jemenase. Duhet të bashkëpunojmë për t’i dhënë fund kësaj krize për të ruajtur unitetin dhe sovranitetin dhe për të ndaluar gjakderdhjen e popullit të Jemenit. Masat tona duhet të bazohen në rezultatet e dialogut kombëtar jemenas dhe në Rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit”. Forumi pasqyron një dëshmi të vullnetit të përbashkët arabo-kinez për krijimin e një modeli të suksesshëm bashkëpunimi jug-jug. Shteti i Katarit shprehu bindjen se ky forum do të jetë një shtysë e fortë për të përshpejtuar ritmin e zhvillimit të qëndrueshëm përmes punës, ngritjes së kapaciteteve njerëzore, shkëmbimit të ekspertizave, teknologjisë dhe kapitalit, si dhe rritjes së vëllimit të shkëmbimeve tregtare që krijojnë oportunitete investimesh ekonomike, pa anashkaluar ndërkohë dhe aspektin kulturor.

Leave A Reply

Your email address will not be published.