Kim Mehmeti: Ne kemi vetëm elita policore, që mbrojnë elitat e hajdutëve!

0 46

Në të gjitha lagjet e vendbanimeve të ‘Shqipërive tona’ ka nga dy-tre doktorë shkencash dhe me qindra që kanë diploma fakulteti. Por megjithatë, nëpër ato lagje nuk ka thuajse asnjë që do ishte shëmbëlltyrë e njeriut, që popullit dhe vendit të vet ia dhuron më të bukurën e më të vlefshmen që ka, duke mos kërkuar asgjë si kundërvlerë.

Ne pra kemi doktorë shkencash më shumë se tifozë të futbollit, por megjithatë mbetëm pa elita që do t’i prijnë këtij populli, elita që nuk do të lejojnë që një politikan injorant ta përcaktojë fatin e artistit, të vendosë se kush do të jetë rektor i universitetit dhe kryetar i akademisë së shkencave.

Dhe sa më shumë që shtohet numri i të shkolluarve të paditur dhe i doktorëve të shkencave që kurrë nuk janë ulur të mësojnë, aq më shumë qartësohet e vërteta se ne thuajse tërësisht e realizuam projektin antishqiptar që thotë: shqiptarëve jepu diploma, por mos iu jep dije!

Nëpër vendbanimet e ‘Shqipërive tona’ u shtua numri i të diplomuarit të paditur dhe i politikanëve hajdutë e injorantë, por u zhdukën ata që e posedonin mjeshtërinë që edhe sofrën e varfërisë ta begatojnë me yjet e shpresës, me yjet e besimit, se do t’i jetësojmë ëndrrat e paraardhësve tanë, ëndrrat për një shqiptari, e cila në mos më shumë, do jetë më e kujdesshme ndaj vetvetes.

‘Shqipëritë tona’ u bënë vende ku nuk shtohet vetëm numri i plaçkitësve të popullit, por edhe i atyre që besojnë se mund ta vjedhësh edhe diturinë. Me çka vendbanimet tona u bënë të pabanueshme për ata që e dinë si mund t’i vjelësh yjet e shpresës, si mundet ato t’i shtrëngosh në grushte, e që pastaj t’ua shpërndash të rinjve, atyre që ato yje do mund t’i ngjitin lart e më lart në qiellin e shqiptarisë.

Vendbanimet e ‘Shqipërive tona’ janë përplot me vlera të rrejshme, por thuajse pa asnjë nga ata pa të cilët është e pamundur të bëhesh, por rrugën e të cilëve ia vlen ta ndjekësh. Me çka edhe u bëmë shoqëri që kanë elita, por vetëm elita policore, të cilat në masë të madhe u shërbejnë dhe i mbrojnë ata që i kontrollojnë ‘Shqipëritë tona’: elitat e hajdutëve dhe të kriminelëve tanë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.