Kisha katolike kundër vendimit të Ramës, Frendo: I nxituar dhe diskriminues, pikërisht Natën e Krishtlindjes

0 343

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve që ndryshuan orën policore, pra që nga data 24 dhjetor duhet të mbyllemi që në orën 20:30 deri në 06:00. Ky vendim është kundërshtuar nga kisha katolike.

Përmes një letre dërguar zv/ministres së Shëndetësisë, njëherësh edhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli dhe për dijeni ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë George Frendo shprehet ndër të tjera se, Kisha Katolike kishte marrë masa që kremtimet për natën e Krishtlindjeve të kryeshin në orare të përshtatshme.

”Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit netën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e Diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjtem në orën 20.00”, thuhet ndër të tjera në letër.

Letra e plotë:

Prot. 65/2020

Për dijeni: Znj. Ogerta Manastirlliu

Nunciaturës Apostolike në Shqipëri

Tiranë 21 dhjetor 2020

E Nderuar Zonja Rakacolli,

U njohëm me vendimin e ri të Komitetit të Ekspertëve të drejtuar prej jush, rreth kufizimit në kuadër të masave anti-COVID të marra nga qeveria shqiptare që ndalon qarkullimin e njerëzve pas orës 20.30, duke filluar nga data 24 dhjetor, pikërisht natën e Krishtlindjes.

Ne si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshët në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020, sikurse do të shihni nga dokumenti bashkëngjitur. Në këtë dokument kemi vendosur që meshët të mbahen në orare që t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00.

Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit netën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e Diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjtem në orën 20.00.

Me kënaqësi do të kishim marrë pjesë në konsultim për një gjë të tillë.

Duke ju uruar punë të mbarë ju përshëndes,

me nderime George Frendo O.P.

Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Leave A Reply

Your email address will not be published.