Klodiana Lala zbardh detajet e rënda nga dosja hetimore e “8 janarit”

0 166

Gazetarja Klodiana Lala ka  publikuar një pjesë të dosjes hetimore të 8 janarit, mbi protestën e thërritur nga Komisioni i Rithemelimit të PD. Sipas Prokurorisë, më 6 janar, në aplikacionin e “Komisariatit Digjital” ka ardhur një njoftim, se persona të armatosur e të veshur me të zeza, qëndrojnë në selinë e PD. Pas këtij denoncimi, policia ka dërguar agjentë në vendngjarje dhe nuk janë konstatuar asnjë person i dyshimtë.

“Më 6 janar, në portalin “Komisariati Digjital”, aplikacion në administrim nga Policia e Shtetit, ka ardhur një raportim anonim, i regjistruar me numër 45939, me tekst “Persona të dyshimtë dhe të armatosur në selinë e PD, me adresë Bulevardi “Zhan D’ark selia PD”. Bashkëlidhur këtij njoftimi ka ardhur imazh në formatin elektronik, në të cilën shfaqen 8 veta të veshur me tesha të errëta, kapele sportive, një pjesë e tyre me maska të zeza, të cilët qëndrojnë në një dhomë. Po në këtë imazh dallohet një femër rreth 60-65 vjeç, veshur me përparëse të bardhë, e me flokë të kuqe, e cila ka përqafuar në anën e majtë të saj një prej personave të veshur me të zeza dhe kapele.

Në qendër të këtij imazhi dallohet një mashkull me kapele të zezë dhe me maskë në formë shalli që mban veshur jelek sportive pa mëngë, me simbolin Adidas dhe në anën e djathtë të tij ka të shënuar numrin 03. Në anën e majtë në pjesën e xhepit, ky individ ka një pjesë të ngritur, e cila krijoi dyshimin e fshehjes së sendeve të paligjshme të cilat, nisur dhe nga njoftimi i bërë nëpërmjet këtij mesazhi, krijon dyshimin e armës së zjarrit”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Policia më pas, ka mundur të identifikojë personat e shfaqur në foton e dërguar në denoncimin e një qytetari anonim. Personat që shfaqen në foto sipas Policisë janë Donika Xhaferri, e cila punon sanitare në selinë e PD dhe Rafael Kurti.

“Pas këtij denoncimi, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1., është organizuar puna me qëllim verifikimin dhe saktësimin e të dhënave të sipërshkruara, u dërguan agjent dhe oficer i policisë Gjyqësore në bulevardin “Zhan D’ark”, afër selisë së PD, por nuk u bë i mundur identifikimi i plotë apo konstatimi i individëve në imazhin e mësipërm.

Nga verifikimet e kryera, u sigurua informacion se gruaja e shfaqur në foto është sanitarja që shërben në selinë e PD, e njohur me emrin Donika Xhaferri, ndërsa mashkulli që ndodhet në të majtë të fotografisë është Rafael Kurti. Përfaqësues të një grupimi të njohur publikisht me emrin, “Grupi i Rithemelimit të PD”, kanë njoftuar në rrjete sociale e media të shkruar e pamore, se më datë 8 do të ketë një grumbullim përpara selisë së PD”, thuhet në dosje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, policia kishte të dhëna operative se më 8 janar do të ushtrohej dhunë.

“Po në rrjete sociale, në aplikacionin “Komisariati Digjital”, është shfaqur një video, ku dallohen një grup prej 10 vetash të ulur në një dhomë, duke ngrënë ushqim dhe duke luajtur instrument muzikor, ku në mes tyre dallohet Florenc Hoxha i veshur me kostum sportive, me ngjyrë blu dhe vija të bardha. Nga të dhënat operative të disponueshme nga policia, rezultonte se grupimet e individëve, por edhe individëve të tjerë që mbështesnin Grupin e Rithemelimit të PD, do të kryenin veprime të dhunshme ndaj njëri

tjetrit, ndërtesës ose Selisë së PD, duke u bërë pjesë e skenarëve të dhunës, shkatërrimin të pronës dhe prishjes së rendit e qetësisë publike. Nga drejtoria vendore e policisë, janë sjellë të dhëna në rrugë elektronike, për grupe që do të udhëtonin në drejtim të Tiranës, me qëllim pjesëmarrjen në tubimin e 8 janarit.

Janë këqyrur sistemet policore me qëllim marrjen e të dhënave për Rafael Kurtin, janë këqyrur të dhënat në internet dhe në Komisariatin Digjital, si dhe në rrjetin social Facebook. Sa më sipër, u sugjerua nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të regjistrohej çështje penale për veprat penale, shkatërrim i pronës, prishja e qetësisë publike, mbajtja, blerja apo shitja e pa leje të armëve të ftohta”, theksohet më tej në dosje.

Leave A Reply

Your email address will not be published.