Komiteti Teknik i Ekspertëve: Vijon ora policore pas 22:00. Universitetet mësim online edhe për 2 javë

0 367

Komiteti Teknik i Ekspertëve për Covid-19, foli për situatën e pandemisë për dy javët e fundit 23 dhjetor-5 janar. Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri me dije se do të vijë ora policore pas orës 22:00 dhe kufizimet e tjera. “Mendohet se kjo situatë e qëndruehsme është pasojë e masave të 2 javë të fundit, të vazhdojnë në fuqi ora policore pas orës 22:00, universiteti edhe 2 javë online dhe po kështu fluturimet me Britaninë e Madhe të mbeten të pezulluara deri në datën 18 janar”, tha ajo e cila bëri thirrje që të respektohen masat.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bëri me dije shifrat e përballjes me Covid-19 që prej fillimit të pandemisë deri në ditën e fundit të vitit të kaluar. Brataj tha se janë bërë rreth 700 mijë thirrje gjatë kësaj periudhe dhe janë kryer 150 mijë vizita. “Rreth 700 mijë thirrje janë bërë që prej fillimit të pandemisë deri më 3 dhjetor. Kemi bërë 150 mijë vizita 55% në banesë, 45% drejt spitale. Numrat më të mëdhenj të pacientëve trajtohen kryesisht në banesë. Qendra Kombëtare do të vijojë të bëjë pikën lidhëse, që nga skedimi për tampon, informimi dhe lidhja me të gjitha sistemet”, tha ai.

Kurse drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se gjatë periudhës 2 javore 23 dhjetor-5 janar ka një rënie të lehtë të rasteve, megjithatë mbetemi ende në një situatë ku transmetueshmëria është e lartë. Ajo tha se në këto dy javë mosha mesatare e të infektuarve është 48.7 vjeç dhe më e prekur është grupmosha 55-64 vjeç. Qarku me numrin më të lartë të rasteve pozitive në këtë periudhë 2 javore ishte Gjirokastra dhe më pas ndiqej nga Tirana e Lezha. Fico ka bërë dhe një përmbledhje të situatës epidemiologjike referuar të dhënave javore ndërkohë që ka bërë me dije se është vënë re një rritje e pozitivitet në moshat 25-34 vjeç.

“Situata për këto dy javë mbetet e qëndrueshme me zbritje të lehta të cilat janë për t’u parë në vijimësi. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në fund të ditës ne jemi akoma në një situatë ku transmetueshmëria është e lartë, ku pozitiviteti është ai që ne përmendëm ku rastet spitalore vazhdojnë të jenë të rëndësishme si numër dhe mbi të gjitha jemi në pikën ku duhet të jemi tejet të kujdesshëm në zbatimin masave”, bëri thirrje Fico.

Leave A Reply

Your email address will not be published.