Korabi pa trajner, ikja e beftë e Klevis Dalipit: Kam synim një sfidë të re

0 300

Trajneri i Korabit, Klevis Dalipi është larguar nga stoli i skuadrës, e cila me 16 pikët e grumbulluara gjatë fazës së parë, renditet në vendin e tretë në grupin A të Kategorisë së Parë, së bashku me skuadrën e Burrelit.

Përmes një letre, tekniku elbasanas pasi i ka falënderuar të gjithë në klubin e Korabit, bën me dije se kjo lëvizje e beftë nga ana e tij, vjen pasi ai ka si synim nisjen e një sfidë të re, por nuk bën me dije detajet. ”Falënderojmë Klevis Dalipin për kontributin dhe punën e bërë deri sot tek KF Korabi”, njofton klubi dibran, i cili më poshtë publikon edhe mesazhin e plotë të trajnerit elbasanas.

”Rezultatet e arritura në kampionat dhe Kupë, përzgjedhja e afrimi i lojëtarëve të rinj me shumë potencial, janë dëshmi e një ecurie mjaft të mirë të klubit përgjatë këtij viti, edhe pse me vështirësitë e veta në ndeshje e momente të caktuara. Sot, më duhet të ndaj me ju, largimin tim nga drejtimi i “Korabit” për një sfidë tjetër profesionale. Ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive dhe largohem i kënaqur për çfarë kemi arritur gjatë sezonit të kaluar dhe gjatë këtij gjysmë sezoni me “Korabin””,-thotë ndër të tjera Dalipi.

Letra e plotë

Të nderuar miq, bashkëpuntorë dhe sportdashës dibran! Për gati 1 viti kam qenë në krye të klubit futbollistik “Korabi” si trajner i ekipit, dhe mendoj se besimin e dhënë e kam shpërblyer me punë dhe përkushtim maksimal në drejtimin e konsolidimin e kësaj skuadre që premton shumë në të ardhmen.

Rezultatet e arritura në kampionat dhe Kupë, përzgjedhja e afrimi i lojëtarëve të rinj me shumë potencial, janë dëshmi e një ecurie mjaft të mirë të klubit përgjatë këtij viti, edhe pse me vështirësitë e veta në ndeshje e momente të caktuara. Sot, më duhet të ndaj me ju, largimin tim nga drejtimi i “Korabit” për një sfidë tjetër profesionale. Ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive dhe largohem i kënaqur për çfarë kemi arritur gjatë sezonit të kaluar dhe gjatë këtij gjysmë sezoni me “Korabin”.

Jam i bindur që kjo skuadër që kemi ndërtuar: kompakte, ambicioze, me energji të reja, si dhe me suportin e nevojshëm financiar, do të shkojë aty ku e meriton. Duke shpresuar në mirëkuptimin e këtij vendimi, gjej rastin të falenderoj jashtë mase për besimin dhe mbështetjen e pakursyer si për mua si trajner, ashtu edhe për të gjithë klubin futbollistik “Korabi”, presidentin e ekipit dhe njëherazi Kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj., administratorin Z. Meziu.

Njëkohësisht shpreh falenderimet e mia për bashkëpunimin korrekt dhe respektin karshi meje, stafin, lojëtarët, si dhe gjithë tifozerinë e zjarrtë dibrane për mbështetjen e jashtëzakonshme morale që i dhurojnë skuadrës në çdo ndeshje. Faleminderit dhe Suksese më tej “Korab”! “

Leave A Reply

Your email address will not be published.