Kreu i PR-së, Mediu: Jo më lojë politiko-elektorale me pronat e qytetarëve

0 285

Kreu i PR-së, njëherësh edhe kandidati me nr. 7 i koalicionit “PD-Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu zhvilloi takime me banorë dhe biznese të Njësisë nr.1 në Tiranë. Mediu ndër të tjera, theksoi se çdo njeri kërkon të jetë i lirë, kërkon dinjitet, kërkon ato që i ka falur Zoti, të mos ia rrëmbejë as Edi Rama dhe askush tjetër.

”Prej 30 vitesh shteti tallet me qytetarët, legalizim, privatizim, shtet që merr, rrëmben, shkatërron, bën si të dojë me pronën dhe jetën e qytetarëve dhe kjo duhet të marrë fund. Kur një qytetar arrin të paguajë taksat, voton, e ka të gjithë autoritetin e pronës dhe shtëpisë dhe nuk mund të bëhen pjesë e lojrave dhe interesave politiko-elektorale.

Partia Socialiste, në mënyrë të veçantë Edi Rama, i ka përdorur shtresat në nevojë vetëm si një kontigjent elektoral. Mbi 70% e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria. Mbi 90% e atyre që kanë studiuar jashtë, nuk duan të kthehen në Shqipëri.

Mbi gjysmë milioni shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, duke krijuar kështu një varfëri dhe një plagë shumë të madhe, jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe politike. Kjo është politika e Edi Ramës, t’i largojë njerëzit e zotë nga vendi, në mënyrë që ai të lulëzojë pushtetin e korrupsionit dhe të interesave të veta kriminale”, deklaroi Mediu.

Kreu i PR-së i bëri thirrje banorëve që të votojnë ”Aleancën për Ndryshim”. ”Në Parlament nuk do të ndaloja asnjëherë të flisja fort, për çdo hall dhe problem që keni. Për mua nuk ka politikë më të madhe sesa politika e njerëzve, e familjeve të tyre, e halleve dhe problemeve që kanë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.