Krimi i organizuar kërcënon me jetë prokurorët, 8 prej tyre u morën në mbrojtje

0 34

Rrallë flitet për kërcënimin e jetës së atyre që hetojnë krimin në përgjithësi dhe të organizuarin në veçanti.

Edhe pse asnjëherë nuk bëhen publike të dhëna me emra konkret që lidhen me kërcënimet ndaj prokurorëve dhe nevojës së tyre për t’u marrë në mbrojtje, në fakt Këshilli i Lartë i Prokurorisë është i detyruar të raportojë për numrin e atyre që kanë kërkuar dhe iu është dhënë mbrojtje.

Duke parë shifrat e vitit që lamë pas, mësohet se janë vetëm 8 prokurorë që kanë kërkuar mbrojtje të posaçme, një shifër shumë herë më e ulët se viti paraardhës, ku KLP-ja raportoi se bëhej fjalë për rreth 21 prokurorë të cilët u mbrojtën me urdhër të posaçëm.

KËRCËNIMET E PROKURORËVE PËR 2021

Sipas të dhënave të raportit të KLP-së bëhet me dije se përgjatë vitit që lamë pas 8 prokurorë kanë kërkuar mbrojtje të menjëhershme nga Policia e Shtetit. Këto kërkesa kanë ardhur pasi janë ndjerë të kërcënuar me jetë nga segmente të krimit të organizuar, për shkak të ushtrimit të detyrës.

Ndërkaq, 7 prokurorë të tjerë kanë kërkuar zgjatjen e mbrojtjes, me pretendimin se rreziku ndaj tyre, familjes dhe pasurisë, ekzistonte ende, pikërisht për shkak të detyrës.

“Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka pranuar të gjitha kërkesat e prokurorëve për mbrojtje policore dhe zgjatjen e mbrojtjes, pasi ka vlerësuar rast pas rasti informacionin, duke konstatuar se në rrethana serioze që rrezikonin jetën e prokurorëve dhe të familjes së tyre” ka sqaruar raporti.

Sipas të dhënave bëhet me dije se kërcënimet e prokurorëve ka ardhur pikërisht nga qytetet me krimin më të madh në vend. Dhe madje dhe mbrojtja e tyre është dhënë duke pasur parasysh rrezikshmërinë jo vetëm të detyrës së tyre për çështje të caktuara që kanë pasur në duar por edhe duke iu referuar qarkut apo qytetit ku ata punonin.

Sipas të dhënave Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë janë qytetet nga të cilat është kërkuar të mbrohen prokurorët që kanë punuar në prokuroritë e tyre. Në raport nuk jepen emra të mbrojturish, por ky shërbim vjen në bazë të një komisioni që mblidhet dhe shqyrton rastin.

KËRKESAT PËR VITIN 2020

Në veprimtarinë e Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve, rezulton se gjatë vitit 2020 janë realizuar 30 mbledhje përgatitore duke trajtuar çdo rast kërkese për dhënien e mbrojtjes së veçantë fizike të paraqitur në KLP nga ana e prokurorëve apo drejtuesit të prokurorive të ndryshme dhe në përfundim të tyre janë marrë 21 vendime për mbrojtjen e prokurorëve të ndryshëm apo drejtuesit e prokurorive të cilët kanë kërkuar mbrojtje. Gjithashtu, janë trajtuar me dhënien e mbrojtjes së veçantë fizike 12 prokurorë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.