Krizat ekonomike, qeveria merr 80 milionë USD të tjera borxh

0 30

Shqipëria do të marrë një tjetër kredi tek Banka Botërore që do të vijë si një mbështetje për rritjen e elasticitetit të ekonomisë ndaj goditjeve të krizave dhe menaxhimin më të mirë të rreziqeve.

Një projekt i paraqitur së fundmi që mban datën 8 qershor por publikuar vetëm tre ditë më parë parashikon që nën emërtimin Financimi i Politikës së Zhvillimit të Rritjes së Qëndrueshme të merren 80 milionë dollarë të cilët do të shërbejnë në dy drejtime.

Bordi i Bankës parashikon që mbledhja për miratim të jetë në shkurt të vitit të ardhshëm.

Kjo është e një nga disa kreditë që qeveria po kërkon pranë Bankës kohëve të fundit si pjesë e kornizës që ky institucion financiar ka me Shqipërinë për reformat që do të mbështeten në vijim.

Konkretisht, thuhet se ky dokument informativ mbi programin propozon një operacion të Financimit të Politikës së Zhvillimit të Rritjes së Qëndrueshme (DPF) për Shqipërinë në shumën prej 80 milionë USD.

Ky operacion mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe për të përforcuar qëndrueshmërinë mjedisore.

“Amullia aktuale në ekonominë globale shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe pandemia COVID-19 goditën Shqipërinë pas një tërmeti shkatërrues në 2019. Shqipëria përballoi këto goditje shumëdimensionale dhe është në rrugën t’u rikuperuar së bashku me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor.

Por, ajo pësoi një kosto fiskale, në borxh më të lartë dhe mungesë vëmendjeje ndaj fushave kritike të qëndrueshmërisë mjedisore. Ndërkohë që borxhi në rritje dhe reformat e vonuara mjedisore janë shkak për veprim, frekuenca në rritje e fatkeqësive natyrore që Shqipëria është përballur, së bashku me rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike, argumentojnë nevojën për rindërtimin e amortizatorëve fiskalë dhe futjen e mekanizmave të fortë për zbutjen e rrezikut. Ata gjithashtu sjellin në vëmendje nevojën për rifokusimin në axhendën e reformave të para pandemisë dhe forcimin e themeleve të rritjes duke adresuar shqetësimet mjedisore.

Objektivi i zhvillimit të programit për operacionin e propozuar është të mbështesë Shqipërinë për

(i) forcimin e elasticitetit të ekonomisë së saj duke rivendosur amortizatorët fiskalë dhe menaxhimin më të mirë të rreziqeve dhe

(ii) forcimin e themeleve të rritjes duke përforcuar qëndrueshmërinë mjedisore” nënvizon Banka. Marrë nga MONITOR

Leave A Reply

Your email address will not be published.