Kryemadhi me banorët e Kombinatit të prekur nga tërmeti: Do jem pranë jush, prona është e juaja

0 329

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e shoqëruar nga kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi është takuar me banorët e prekur nga tërmeti në Kombinat, ku u ka premtuar banorëve se nuk do të lejojë kryeminstrin Edi Rama dhe as kryetarin e Bashkisë Erion veliaj që të shkatërroj pronat e tyre.

Pjesë nga deklarata

Unë nuk mund të flas dot për zonën e Shijakut, Maminasit apo zonën atje sepse nuk e di tamam, por zonën e kësaj lagjes këtu unë e di shumë mirë se që kur kam qenë deputete në 2001 në Kombinat, e di sesi është kjo. Historia dhe lidhja shpirtërorë e njerëzve, janë ata që kanë ndërtuar Kombinatin tekstil, prandaj edhe quhet Kombinat. Këta e kanë ndërtuar Kombinatin, kanë mbjellë çdo pemë, çdo lule, çdo gjë. Kanë lindur, janë rritur dhe në njëfarë mënyre kanë krijuar të gjithë networkun dhe ne dhe në atë kohe, kur ishte Rama kryetar bashkie, ramë dakord edhe me banorët edhe me ndërtuesit, për të rindërtuar pallatet dhe për të pasur një përfshirje, edhe për ata që ishin kate të para, edhe për katet e dyta, dhe për ata që ishin 2-3 kurora.

Pra për të krijuar një zgjerim edhe të përfshirjes në apartamente të tyre. Edhe ata që ishin në kate të para, që tashmë paguajnë taksa si të jenë dyqane, paguajnë energjinë elektrike si biznes, taksat e pronës i paguajnë si biznes, taksat e bashkisë.  Ne në atë kohë ramë dakord, edhe banorët ranë dakord për ta bërë këtë gjë, por mesa duket ëndrra e 2002 i doli në 2019, por me Zotin para unë jam e bindur që ai nuk ka për ta realizuar këtë gjë. Ka një gjë, sado ne të mundohemi të bëjmë politikë të madhe, nuk bëhet politikë me hallet dhe me fukarallëkun e njerëzve, as me problemin dhe aq më shumë me strehën, që nuk ia ka dhënë politika njerëzve, sidomos në këtë zonë.

Dhe ajo që unë dua të them, të paktën jo vetëm garancia ime personale, por e të gjithë njerëzve tanë që kanë mundësi, gjënë e parë që do bëjmë është të shikojmë nga ana ligjore dhe për ta dokumentuar. Vërtetë ne nuk kemi një sistem drejtësie, sepse po të shkojmë në Gjykatë, ato kanë hallin e Vettingut, e të japi një vendim që ti nuk e tjetërson dot pronën këtu, se ju keni hipotekat këtu. Ju nuk keni as hipotekën e Sali Berishës, as të Edi Ramës, as të Fatos Nanos, as të Ilir Metës. Ju keni këtu hipotekën e viteve kur është ndërtuar Kombinati. Kështu që nuk e tjetërson dot pronën tuaj as Erion Veliaj, as njeri.

Banori 1

Ne e dimë që njerëzit janë futur në një lloj paniku me këtë çështjen e tërmetit dhe për më tepër për zgjidhjen që nuk po i jepet. Plus që po na i mbyllin edhe dyert e nuk po na sqarojnë, kemi dëgjuar që duan të na transferojnë nga këtu e të na çojnë diku tjetër. Aq më tepër ne kemi lindur e jemi rritur këtu, kjo tokë për ne është e shenjtë dhe nuk mund të na heqin që këtej e të na çojnë diku tjetër. Në kërkojmë që nëse është në plan për t’u prishur, duam që ta ndërtojnë po këtu ku jemi, të marrë secili atë që i takon, biznesi të klasifikohet si biznes, shtëpive t’u krijohet mundësia. Me një fjalë t’ia gjithin hallet njerëzve, jo t’ia vështirësojnë jetën. Asgjë më tepër nuk kërkojmë. Këto tulla janë blerë me gjak. Kështu që nuk mund ta tolerojmë një gjë të tillë. Të gjithë banorët nuk kanë për ta lejuar një gjë të tillë.

Banori 2

Ne kërkojmë që këto pallatet këtu, se vjen nëntori u bë një vit, dhe nuk është dukur asnjë njeri. As sesi do bëhet, as sesi nuk do bëhet, as se do shkoni në Vaqarr, as se do rrini këtu ku jeni. Nuk na ka sqaruar asnjë njeri, e po bëhet viti. Tani, të braktis pronën këtu, të iki me bonus qiraje, e të lë pronën time këtu, që ka punuar nëna, babai, motra, vëllai, jemi rritur ne, po bëhemi gjyshër, e tani të braktisësh shtëpinë e të shkosh në Vaqarr. Mund të më spostosh 200 metra më poshtë, mjafton që unë të jem brenda Kombinatit. Nëse planimetria mund të jetë që këtu të bëhet diçka, mund të më spostosh 200 metra, por jo të më dërgosh në Vaqarr dhe unë të braktis pronën e prindërve të mi që kanë punuar gjithë jetën. Ne këtë kërkojmë, ne duam që këtu ku jemi, të rrimë akoma.

Leave A Reply

Your email address will not be published.