Kryemadhi: Në LSI asnjë person pozitiv. Qeveria ka dështuar në menaxhimin e Covid-19

0 46

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se Shqipëria duhet të kryejë sa më shumë testime pasi është e vetmja mënyrë për të vënë në kontroll virusin. ”U mbajtëm 4 muaj të bllokuar dhe nuk tentoi njeri të bënte një test në një kohë kur Evropa po vendoste masa dhe duke bërë testime masive. Ndërkohë që ne dëgjonim deklaratat e kryeministrit në Facebook, në Evropë bëheshin mijëra teste”.

Përveç tamponëve, ajo thotë se mund të kryhen dhe analiza gjaku për të zbuluar personat që e kanë kaluar Covid-19, personat mbartës por edhe ata që janë negativë. Vetë personalisht ajo tregoi se ka marrë një kit holandez që ka një nivel vërtetësie prej 80-90% pasi asnjë test nuk tregon plotësisht vërtetësinë e rezultatit.

Ndërsa në partinë e saj, LSI, tha se deri tani nuk ka asnjë person pozitiv. Sipas kryetares së LSI-së, qeveria ka dështuar në menaxhimin e pandemisë për shkak se ka vendosur në Komitetin e Ekspertëve përfaqësues politikë dhe jo specialistë të fushës së epidemiologjisë.

“Nuk menaxhohet pandemia me këshill politik por me ekspertë. Qeveria duhet të jetë pak më dashamirëse ndaj rekomandimeve të opozitës pasi në stafin e tyre nuk kanë asnjë doktor, ndërsa ne kemi mjekët më të mirë në menaxhimin e gripit të derrit që ka qenë shumë më i rrezikshëm se sa Covid-19”, u shpreh gjatë intervistës për ”Euronews Albania”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.