Kryeministri Rama ndan Shqipërinë në katër çifliqe

0 355

Pas ndryshimit flagrant të Kushtetutës, në të njëjtën ditë Rilindja ka miratuar një ligj që shkatërron institucionet vendore dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Bëhet fjalë për ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, një titull që në pamje të parë duket se lidhet me BE dhe integrimin, por është një projekt që siç e cilësoi dje nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili e ndan Shqipërinë në 4 vilajete dhe hedh në erë Kushtetutën, ligjet për pushtetin vendor, ndarjen territoriale dhe administrimin lokal të vendit.

“Edi Rama po ndan Shqipërinë në 4 vilajete apo 4 çifligje. Kjo do të thotë pushtim nga qeveria i pushtetit lokal. Sepse këto rajone i mbivendosen dhe i rrëmbejnë kompetencat qarqeve të cilët janë të përcaktuar qartësisht në kushtetutën e Shqipërisë e ku ndodhen atje edhe sot e kësaj dite. Pa pyetur për kushtetutë dhe të drejtat e qytetarëve, me një ligj të thjeshtë që mund të miratohet edhe me 36 vota, i rrëmbehen kompetencat e zhbëhet një autoritet lokal i zgjedhur siç është qarku”,- deklaroi dje nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Konkretisht ligji e ndan Shqipërinë në 4 zona ekonomike, mbi bazën e të cilave qeveria do të vendosë për investimet, turizmin, projektet ekonomike dhe zhvillimin. Ligji nuk flet as ku dhe si do të ndahen këto zona, por ngarkon Këshillin e Ministrave që të bëjë ndarjen gjeografike dhe përcaktimet e tjera territoriale. Pra, me një të rënë të lapsit Parlamenti që nuk e ka idenë çfarë voton, i jep të drejtë qeverisë që të krijojë një hartë tjetër territoriale duke e ndarë Shqipërinë në 4 pjesë. Qeveria do të vendosë nëse një qytet apo fshat do futet në iks rajon apo do të kalojë në një rajon tjetër. Me ligjet aktuale askush nuk e pengon qeverinë që të investojë në çdo centimetër tokë të vendit dhe është e pakuptimtë që ndarjes aktuale territoriale me 61 bashki dhe 12 qarqe ti shtohet edhe një ndarje tjetër me 4 rajone. Le të mendojmë për një moment se kjo ndarje e re është e nevojshme dhe fondet e qeverisë dhe të donatorëve të huaj kanë nevojë për një orientim rajonal duke mos menduar vetëm për 1 bashki, por një grup të madh të tyre. Problemi është se një ndërhyrje e tillë nuk mund të bëhet vetëm nga ca deputetë dhe as vetëm nga një qeveri. Projekte të tillë prekin jetën e qindra mijëra banorëve, ndryshojnë të ardhmen e qyteteve dhe komuniteteve të zonave të caktuara. Ndërhyrje të tilla duhet të kryhen duke pyetur minimalisht banorët. Por nëse kjo qeveri ka alergji nga referendumet dhe mendimet e qytetarëve, më e pakta duhet të ishin pyetur drejtuesit vendore, prefektët, këshillat bashkiak dhe ekspertët e qeverisjes vendore. Bashkitë janë pushtet me vete dhe pavarësisht se ky pushtet u vodh më 30 qershor 2019 dhe askush nga kryetarët e emëruar nuk flet, një vendim i tillë nuk mund të merrej pa pyetur qytetarët.

Reformat territoriale në Shqipëri, ashtu si dhe kushtetuta, historikisht janë bërë me konsensus mes partive politike. Arsyeja është e thjeshtë se shteti nuk është vetëm te godina e qeverisë dhe parlamenti, por edhe bashkitë dhe zyrat vendore. Reforma administrative që e ndau Shqipërinë në 61 bashki hoqi komunat dhe disa institucione të panevojshme, por njëkohësisht largoi dhe investimet nga njësitë administrative të vogla duke i grumbulluar ato në pak qytete. Tashmë qeveria ka në plan të krijojë një strukturë më të madhe vendore duke larguar sërish vëmendjen nga qytetet dhe banorët dhe duke i mbledhur projektet dhe investimet në pak duar qeveritarësh. Më e keqja është se administrimi i rajoneve nuk do të kryhet nga njerëz të zgjedhur dhe të votuar nga qytetarët, por nga njerëz anonimë që sigurisht do të emërohen dhe urdhërohen nga kryeministri.

Me këtë vendim të parlamentit shkeljet kushtetuese janë pa fund. Parlamenti ka goditur thelbin e demokracisë që është ndarja e pushtetit qendror nga ai lokal dhe ka nxjerrë jashtë loje gjithë ligjet për autonominë lokale. Arsyet e miratimit të një ligji të tillë janë sa financiare, aq dhe elektorale. Relacioni i projektligjit merret gjatë më fondet e BE që aktualisht jepen për bashkitë dhe do t’i kalojnë në kontroll qeverisë dhe kjo është një tjetër e dhënë alarmante për grabitjen që po përgatitet me këtë ligj.

Ndarja e re territoriale që propozon qeveria vjen në një sërë shkeljesh alarmante të kësaj qeverie me kushtetutën dhe parimet e demokracisë. Me këtë vendim rilindja i ka vënë vulën reformave të saj duke e trajtuar Shqipërinë si çiflig personal ku beu, që në këtë rast është kryeministri, bën ç’të dojë pa i dhënë llogari askujt. Në fakt kur iu vjen ikja nga pushteti, njerëzit autoritar fillojnë e kapin çdo pushtet, porse ikin rrokullimthi me pushtetet direkt e në humnerë.

/M.Xhani/

Leave A Reply

Your email address will not be published.