Kryeparlamentarja Nikolla e veshur me të zeza, merr bekimin e Atit të Shenjtë

0 24

Sikurse njofton “Vatican News”, Papa Françesku priti dje paradite, në audiencë në Vatikan, Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Zonjën Lindita Nikolla, shoqëruar nga Zëvendëskryetari Agron Gjekmarkaj. Papa Françesku i besoi Kryetares së Parlamentit urimet më të mira për popullin shqiptar, shoqëruar me bekimin tij apostolik

Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, vuri në dukje disa virtyte dhe vlera qё karakterizojnë popullin shqiptar dhe theksoi se ndjek me përzemërsi ecurinë e vendit. “Njё popull qё punon, ёshtё njё popull qё pёrparon, – theksoi Ati i Shenjtё, – vazhdoni udhёn e ndërmarrë”.

Kryetarja Nikolla e falënderoi Atin e Shenjtë për audiencën, për mbështetjen dhe mesazhet e çmuara, që ndihmojnë në mbrojtjen e vlerave njerëzore, shoqërore e shpirtërore, si bashkëjetesa vëllazërore ndërmjet besimeve, familja si qelizë e shoqërisë, mbështetja dhe vlerësimi i grave në shoqëri dhe dialogu, parë si udhë për të çuar përpara proceset dhe reformat, që i shërbejnë së mirës së përbashkët të të gjithë shtetasve.

Kryetarja e Kuvendit e njohu Papën me situatën e sotme në Shqipëri, duke nënvizuar vlerat që karakterizojnë popullin shqiptar dhe aspiratat e tij evropiane. “Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman shqiptar është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri”, – u shpreh znj. Nikolla.

Pas audiencës me Papën, Kryetarja e Kuvendit tё Shqipёrisё, Zonja Lindita Nikolla, dhe Zëvëndëskryetari, Zoti Agron Gjekmarkaj, u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Gjatë bisedimeve tё pёrzemёrta u nënvizuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, posaçërisht në 30 vjetët e rivendosjes së lidhjeve diplomatike, dhe u shpreh dëshira për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

“Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar. Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët”, – theksoi Nikolla.

Leave A Reply

Your email address will not be published.