Kundër opozitës apo kundër sistemit?

0 24

Nga Ergys Mërtiri –

Shumë nga ata që kërkojnë me forcë ndryshimin e sistemit elektoral, i kam miq dhe i respektoj si njerëz me integritet, siç ka dhe të tjerë që dukshëm, janë të prirur drejt interesave private, në funksion të ambicieve politike që përfaqësojnë. Edhe vetë mendoj se ky sistem ka nevojë të ndërrojë, pavarësisht se nuk jam dakort me propozimin e tyre, për arsye që i kam shkruar e debatuar, ndonëse jo mjaftueshëm, për shkak se tema kërkon një debat tepër të gjerë.

Personalisht jam për sistem maxhoritar të korrektuar, sepse është një sistem më i ekuilibruar, dhe që na i zgjidh më mirë pjesën më të madhe të problemeve: përfaqësueshmëri më të lartë, garë më të fortë e më të ndershme, llogaridhënie më të madhe të qeverisjes, stabilitet politik etj. Gjithsesi, duhet të pranojmë se nuk ka një sistem që na i zgjidh përfundimisht problemet dhe, mbi të gjitha, këto probleme nuk varen aq shumë nga sistemi elektoral.

Pra kjo nuk është një arsye për të vënë kujën e për ta shndërruar këtë çështje në një problem kombëtar. Të thuash se të dyja palët janë njësoj, se opozita është e shitur tek qeveria, se populli duhet të ngrihet kundër të dyjave, është diçka që nuk ndihmon aspak, përkundrazi, shkatërron çdo mundësi që ky pushtet i kalbur nga zullumet dhe i rrezikshëm për demokracinë, të bjerë.

Kam dëgjuar gjatë këtyre ditëve shumë njerëz që argumentohen duke thënë se është vetë opozita që e ka shitur kauzën e saj, dhe sulmet e tyre nuk e pengojnë opozitarizmin. Duke pranuar të mos ndryshojë sistemin elektoral, opozita po mban Ramën në pushtet, pasi, sipas tyre, ky sistem favorizon qeverinë. Kjo ilustrohet me faktin se, në zgjedhjet e kaluara, Rama fitoi 74 mandate megjithëse kishte vetëm 48 përqind të votës pblebishitare, dhe kjo do të thotë se opozita nuk po pranon sistemin që do ta rrëzojë këtë qeveri. Prej këtej i bie të kemi dy mundësi: Ose e gjithë opozita nuk paska njerëz që të kuptojnë se qenka kaq e thjeshtë puna, ose ajo nuk ka dëshirë të vijë në pushtet. Të dyja janë krejt pa sens.

Në të vërtetë, ky argument nuk merr në konsideratë faktin që rezultati është produkt edhe i sjelljes së aktorëve politikë para zgjedhjeve. Përpara se të futet në zgjedhje, një parti e madhe harton një strategji, të mbështetur mbi projeksione që vijnë nga kalkulime të hollësishme që marrin në konsideratë çdo zone e çdo lagje, shtëpi më shtëpi. Blerja e votës, si një fenomen vendimtar në zgjedhjet e fundit, është bërë mbi bazë të kalkulimeve të tilla, duke hedhur para aty ku ka mundësi për të galuar pragun e votave për një mandat më shumë. Paratë nuk hidhen asnjëherë kot, ndaj dhe rezultati do të ishte ndryshe, nëse sistemi zgjedhor do të ishte ndryshe.

Por, këtu harrojmë edhe një tjetër element. Ky sistem favorizon koalicionet, të cilat u bënë të pamundura në vitin 2017. Duke qenë në një koalicion, vota nuk shkon dëm, pasi çfarë tepron nga plotësimi i një mandati të një force politike, i shkon aleatit të saj, për të prodhuar një mandat tjetër. Në këtë mënyrë, edhe në 2017 rezultati do kish qenë ndryshe, nëse do të kishte një koalicion të gjerë kundër Ramës.

Natyrisht, opozita ka shumë për t’u kritikuar dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe, aq më tepër në realitetin ku ndodhemi, ku pushteti ka prodhuar një superstrukturë formale e informale. Por, a është vërtetë problemi tek defektet e opozitës dhe a mund të barazohet ajo me një pushtet të përbindshëm si ky, i cili ka akumuluar e monopolizuar gjithçka, ka shtrenjtuar deri në dhjetëfish çdo shpenzim publik që ne e paguajmë me taksat tona, ka mbjellë vendin me drogë dhe ka veshur me pushtet njerëz nga bota e krimit, e përveç këtyre, po na grabit liritë me ligje antikushtetuese e policë që arrestojnë njerëz pse ushtrojnë të drejtën e të protestuarit, ndërsa po asgjëson mundësinë e rotacionit politik duke kapur zgjedhjet?

Do të isha dakort e me shumë prej atyre që janë angazhuar në këtë aksion kundër sistemit, nëse vërtetë do të kishin mundësi për të ndërtuar një alternativë reale që do të mund ta rrëzonte të gjithë establishmentin politik në vend. Do isha i lumtur e do ti mbështesja në çdo hap në këtë betejë. Por një gjë e tillë është plotësisht e pamundur dhe përtej mundësive tona. Këtë e ka të qartë gjithkush, e pa dyshim, edhe vetë ata.

Në këto kushte, nuk mund të ketë gjë më të gabuar sesa t’i krijosh publikut pritshmëri të paarritshme? Me apo pa të drejtë, duke prodhuar një front antiopozitar, paralel me atë antiqeveritar, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se pengojmë mundësinë e rrëzimit të qeverisë. Pushtete si ky i Ramës, vijnë në një pikë ku nuk dëmtohen më nga sulmet e atyre që thonë se “janë të gjithë një lloj”. Përkundrazi, duke qenë se gëzojnë një marzh të caktuar mbështetjeje nëpërmjet kontrollit të trafikut të interesave (që sidoqoftë nuk iu garanton kurrë votat për të qenë maxhorancë), mundohen të mbijetojnë vetëm duke çarë frontin opozitar, të cilit i duhet të grumbullojë pjesën e mbetur të mbështetjes.

Duhet ta themi se sado problematik, shumë prej fajeve mbi gjendjen tonë nuk i ka sistemi, por Rama. Nuk është sistemi, por Rama ai që shembi Teatrin. Nuk është sistemi, por Rama ai që iu shemb shtëpitë njerëzve. Nuk është sistemi, por Rama ai që harton ligje për burgosjen e njerëzve për organizim protestash, nuk është sistemi por Rama ai që ka kapur të gjitha institucionet e pavarura, mediat, shoqërinë civile e që ka monopolizuar tregun. Mbi të gjitha, sot sistemi është Rama, prandaj rrëzimi i tij është emergjencë kombëtare, përpara çdo lëvizjeje antiestablishment.

Në thelb, çdo aksion politik, edhe kur buron nga premisa jopartiake, duhet të ketë parasysh kushtëzimet e fushës ku vepron. Politika e tillë është. Forcat, burimet, flukset, lidhjet e pushtetit, ndikimeve dhe interesave janë një barrierë e pashmangshme dhe prandaj politika është gjithmonë “art i të mundshmes” dhe jo i utopisë. Nëse ajo kërkon të pamundshmen, vetëm do të shkatërrojë mundësitë reale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.