Kur do vijnë vaksinat anti-covid? Rama: Komunikojmë 7 herë në ditë me Pfizer, por ka një problem

0 270

Kryeministri Edi Rama, bën të ditur se qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me Pfizer për sjelljen e partisë së parë me vaksina. Në një konferencë për mediat, i pyetur në lidhje me dozën e dytë të vaksinave, Rama theksoi se për ata që kanë marrë dozën e parë patjetër që vaksinat janë aty.

Sa i përket furnizimit me vaksinat nga Pfizer, Rama tha se ”Pfizer ka një problem të madh aktualisht me të gjitha vendet. Besoj që e keni ndjekur që Italia ka kërcënuar me proces gjyqësor, për shkak se i janë bllokuar, jo vetëm Italisë, por shumë vendeve, i janë bllokuar ato dozat e premtuara sipas skedulit, sepse Pfizer ka lajmëruar një stop për zgjerimin e bazës prodhuese”.

Kreu i qeverisë tha se është në kontakte të vazhdueshme me kompaninë jo 1 po 7 herë në ditë, por pranoi se ka probleme. ”Ajo që mund të thuhet me plot gojën është që Shqipëria nuk është mbrapa askujt dhe shqiptarëve nuk do t’ju mungojë kujdesi për të dalë sa më parë nga kjo flamë dhe nga kjo fazë kaq e vështirë e luftës me Covid-19, në raport me asnjë vend. Kështu që së shpejti shpresoj të japim lajme të mira. Për momentin jemi në komunikim të vazhdueshëm me Pfizer dhe shpresoj që dhe Pfizer të lëshojë një pjesë të paktën të dozave që ka premtuar si parti e parë. Dhe unë shpresoj që në 10 ditë, dy javët e ardhshme do kemi stabilitet dhe do kemi qartësi dhe do kemi më shumë se sa ç’dini dhe ç’dimë akoma sot, vaksina e kam fjalën”, tha Rama.

Leave A Reply

Your email address will not be published.